E Shtunë, 31 Tetor 2026

TKOB, koncert me krijimtari të kompozitorit Kozma Lara



Më 29 nëntor, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit do të organizojë një shfaqje me këngë të njohura të muzikës shqiptare, të cilat për nga kompozimi mbajnë firmën e Artistit të merituar Kozma Lara. Ky koncert vjen në kuadër të Stinës Skenike 2008 dhe do të ketë në programin e tij një sërë këngësh të ngritura mbi poezi të ndryshme që do të interpretohen nga instrumentistë të njohur shqiptarë, nga kori dhe solistët më në zë të Teatrit të Operës dhe Baletit. Sa i takon programit mund të përmendim tituj si “Dhe pishat me mall përqafojnë” me poezi nga Jorgo Bllaci; “Gjarpërushe pikëlore” dhe “Iskër bukurie” me poezi të Lasgush Poradecit; “Gjurma e njohjes” me poezi të Robert Bërns; “Letër e padërguar” me poezi të Pandeli Koçit etj. Kompozitori Lara mësimet e para i ka marrë nga pianisti Tonin Guraziu, më pas ai kreu studimet në liceun artistik “Jordan Misja” duke vijuar të japë kontributin e vet në arsim dhe në gjallërimin e jetës muzikore të vendlindjes, Durrësit. Më pas, ai ka punuar si koncert-maestër në TKOB dhe në Ansamblin e Ushtrisë Popullore. Më 1959-n u diplomua për kompozicion në konservatorin “P. I. Çajkovski” në Moskë. Kozma Lara mban titullin “Artist i merituar”. Aktualisht, ai punon si pedagog i jashtëm në Akademinë e Arteve. Krijimtaria muzikore e kompozitorit përmban vepra të ndryshme, që nga ato instrumentale e vokale, simfonitë, koncertet për piano dhe orkestër, rapsoditë, sonatat për piano, duetet, triot etj. Gjithashtu, nuk mungojnë pjesët për violinë, kuartete për harqe, koncert për oboe, valle për orkestër, balada për piano, pjesë për violonçel, albume pianistike, romanca vokale, suita për flaut dhe piano, deri te përpunimi i këngëve të ndryshme popullore.

28 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›