“Piramida”, rrëfehen në prokurori organizatorët e grupit që skanonte miliona lekë në mënyrë perfekte
Organizatorët e grupit kriminal që falsifikonte lekë kanë pranuar akuzën para Prokurorisë së Tiranës, duke deklaruar se gjendja e keqe ekonomike dhe mungesa e të ardhurave i ka detyruar të kryenin këtë vepër penale. Në dëshminë e dhënë para oficerëve të policisë gjyqësore, ata kanë shfaqur pendesë të thellë dhe kanë shpjeguar mënyrën e falsifikimit të kartëmonedhave në lekë. “Gjendja e keqe financiare dhe mospasja e mjeteve të jetesës na ka detyruar të kopjonim kartëmonedha”, mësohet se kanë deklaruar para hetuesve të pandehurit kryesorë: Altin Lala, Avdi Gjika, Sali Prendi dhe Dritan Eleza, si dhe të pandehur të tjerë. Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, policia dhe prokuroria e kryeqytetit ndërmorën një operacion për arrestimin e një grupi të madh kriminal që falsifikonte kartëmonedha. Nën pranga ranë 25 persona, midis tyre edhe të mitur. Baza e falsifikimeve ndodhej në lagjen “5 maji” në Tiranë, nga ku shpërndaheshin në të gjithë Shqipërinë kartëmonedha të prerjeve 500, 1000, 2000 dhe 5000 lekë të reja.
Përplasja
Ndërkohë, të pandehurit që akuzohen për shpërndarje të vleftave monetare të falsifikuara kanë pohuar para hetuesve të çështjes se janë mashtruar. Ata kanë deklaruar se “trafiku” i kartëmonedhave realizohej në qendër të Tiranës. Ndërkohë, hetimet po vazhdojnë në evidentimin e pasurisë që mund të kenë vënë këta persona nga aktiviteti i paligjshëm. Gjykata e Apelit në Tiranë ka liruar dje njërin nga të arrestuarit e operacionit për kartëmonedhat false, shtetasin Besnik Gaci. Pas vendimit, prokuroria është shprehur kundër këtij vendimi, pasi sipas akteve të dosjes ai është njëri nga personat kryesorë në falsifikimin e kartëmonedhave. Sipas prokurorisë, personi në fjalë që po hetohet për falsifikimin e kartëmonedhave është nën hetim për një dosje të dytë, nën akuzën e rrahjes dhe heqje të paligjshme të lirisë.
Operacioni
Në ditët e fundit të vitit të kaluar u vunë në pranga plot 25 persona, pasi dyshoheshin si anëtarë të një rrjeti që falsifikonte dhe hidhte në treg kartëmonedha të falsifikuara. Operacioni “Piramida” u realizua në bashkëpunim me njësinë hetimore Task-Force. Grupi kriminal vepronte në qytetet: Tiranë, Durrës, Fier, Berat, Sarandë, Elbasan, Pogradec, Korçë, Shkodër dhe Kukës. Nga hetimi i kryer ka rezultuar se këto kartëmonedha prodhoheshin në Tiranë në afërsi të rrugës “5 Maji”, ku nga kontrolli i kryer janë gjetur pajisjet e nevojshme për këtë prodhim të jashtëligjshëm.
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, të arrestuarit kanë kryer shpërndarjen e kartëmonedhave të falsifikuar, kryesisht në Tiranë, në qendrat spitalore dhe në subjekte e biznese private. Në punishten e tyre u kapën: shuma e parave prej 1.4 milionë lekësh, kartëmonedha të falsifikuara të prerjeve 1000, 2000 e 5000 lekë të reja, kompjuterë desktop dhe kompjuterë lap-top të cilët shërbenin për përpunimin e kartëmonedhave të skanuara, printer dhe skaner me rezolucion të lartë, që shërbenin për printimin e prodhimin e kartëmonedhave të falsifikuara, makineri për prerje. Janë sekuestruar edhe armatime, si fishekë të kalibrave të ndryshëm, një armë zjarri e llojit pushkë, maska të ngjashme me ato të Forcave Speciale, një sasi e konsiderueshme kartash telefoni prej 400 numrash, rreth 100 aparate celularë.