Bashkëbisedim i kryeministrit Berisha me studentë të Universitetit të Sporteve në Tiranë dhe sportistë të disiplinave të ndryshme

Kryeministri Berisha ishte të shtunën pasdite mes studentëve të Universitetit të Sporteve, në Tiranë, në një bashkëbisedim të zgjeruar me ta, mbi probleme të sportit dhe perspektivës së zhvillimit të tij në të ardhmen. Studentët, si dhe sportistë të disiplinave të ndryshme si atletë, volejbollistë, basketbollistë, peshëngritës, midis tyre dhe kampionë ndërkombëtare, ngritën pyetje dhe parashtruan kërkesa e sugjerime lidhur me problematika të caktuara sportive.
Kryeministri Berisha iu përgjigj interesimit të tyre mbi çështjet dhe premtoi se në mandatin e ri qeveria do të bëjë gjithçka për ti dhënë një mbështetje të fuqishme zhvillimit të sporteve në Shqipëri, për të krijuar kushte me optimale në mënyrë që të rinjtë të mund të stërviten, të performojnë në gara kombëtare e ndërkombëtare , por mbi të gjitha të kaliten për veten e tyre e për të qenë individë me mendje të shëndoshë, në një trup të shëndoshë.
Në nisje të bashkëbisedimit, kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari ju falënderoj përzemërsisht për nderin që me keni bërë dhe keni ardhur këtu në këtë bashkëbisedim me ju sportistët e rinj. Natyrisht sporti është i dobishëm në çdo moshë, por sinonimi i tij është rinia. Unë dua të dëgjoj zërin tuaj. Për mua të rinjtë janë të parët, ndaj dhe sot dua të diskutoj bashkërisht me ju të rinj sportistë që i keni dhënë emër sportit shqiptar dhe vendit, me ju të gjithë të tjerët se çfarë të bëjmë ne 4 vitet që vijnë për ti dhënës një mbështetje të fuqishme zhvillimit të sporteve në Shqipëri, për të krijuar kushte me optimale në mënyrë që të rinjtë të mund të stërviten, të mund të arrijnë të performojnë në gara kombëtare e ndërkombëtare , por mbi të gjitha të kaliten per veten e tyre për të patur një mendje të shëndoshë, në një trup të shëndoshë. Kjo përbën harmoninë më të shkëlqyer për çdo individ. Përpjekje janë bërë këto vite. Pak vite më parë ne e nisëm në këtë universitet duke besuar se universiteti ka një rol thelbësor në formimin e mësuesve në formimin e pedagogëve, në formimin e nxënësve, studenteve. Ne kemi rritur financimet për federatat sportive, kemi rritur financimet për stadiumet dhe terrenet sportive. Disa arritje janë të lakmueshme, por të tjera janë plotësisht të mundshme. Ende në programet shkollore edukimi fizik nuk ka vendin themelor që duhet të ketë. Do të bëjmë gjithçka për ta vendosur kurrikulën e kësaj lënde, si një kurrikul themelore. Pra le të diskutojmë se në së bashku sot për një program i cili do të jetë në lartësinë e ambicieve tuaja pozitive.
Pyetje: Ne jemi sportistë kampion të volejbollit që përfaqësojmë denjësisht sportin në arenën ndërkombëtare. Cila është strategjia juaj për ti mbështetur këta sportistë në 4 vitet që vijnë. Ju faleminderit!
Kryeministri Berisha: Strategjia jonë për mbështetjen e tyre do të jetë së pari një subvencionim më i fuqishëm i të gjithë veprimtarisë së kësaj federate. Së dyti, ne besojmë se shtrirja e të gjitha terreneve sportive në mbarë vendin, pajisja e të gjitha shkollave me palestra moderne, krijimi i terreneve sportive në çdo lagje dhe komunë të vendit, do të bëjë të mundur një pjesëmarrje më masive, nga e cila pa diskutim do të dalin më të mirët. Por gjithnjë një mbështetje më e madhe për kampionët, për më të mirët, për të shkëlqyerit është dhe mbetet qëllim i pandryshuar i programit tonë. Në këto vite ne jemi përpjekur, kemi rritur financimin për federatat, kemi rritur financimet për terrenet sportive, por a jemi aty ku kërkohet. Ende jo dhe në qoftë se ka një degë, një fushë në të cilën ne do të përqendrohemi në 4 vitet që vijnë do të jetë sporti. Ka një disbalancë midis mbështetjes që u jepet federatave. Kam insistuar gjithnjë dhe do të insistoj se kjo disbalancë duhet të marrë fund. Potencialet tona ne duhet ti kërkojmë dhe ti zhvillojmë në çdo fushë të sportit, veçanërisht aty ku ekziston ndonjë traditë më mirë siç është volejbolli.
Pyetje: Unë jam përfaqësuese e fakultetit të veprimtarisë fizike dhe kreacionit, viti i parë. A do të hyjë në kornizën e profesioneve të rregulluara, profesioni i trajnerit, i cili deri më sot nuk është futur?
Kryeministri Berisha: Unë mendoj se profesioni i trajnerit duhet të jetë detyrimisht në kornizën e profesioneve të rregulluara sepse roli i tij është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ekipin dhe për fashën. Është e vërtet që lista e profesioneve të rregulluara është në plotësim e sipër. Fillimisht vendosen disa por kjo listë ka ardhur duke u shtuar dhe gjykoj se trajneri duhet të jetë në listën e profesioneve të rregulluara për vetë rëndësinë dhe peshën që ka roli i tij.
Pyetje: Jam student i viti të dytë të fakultetit të veprimtarisë fizike dhe kreacionit. Desha tu pyesja në lidhje me reduktimin e orëve mësimore të edukimit fizik në shkollat e mesme. Duke qënë se në BE orët e tilla mësimore janë diku tek 5 orë dhe variojnë sipas vendeve në zhvillim, a do të merren nisma serioze nga qeveria juaj për ndryshimin e kësaj kuote këtu tek ne?
Kryeministri Berisha: Jam absolutisht i vendosur dhe unë di që shkolla amerikane ka tre lëndë themelore, edukatën fizike, matematikën dhe gjuhën angleze dhe e kam theksuar shumë herë këtë dhe jam shumë i bindur se kjo duhet të jetë. Është shumë normale që shkolla të të mësojë sa më mirë gjuhën tende, është shumë normale që shkolla të mësojë matematikën si bazë për një seri shkencash të tjera, por është po kaq normale dhe e domosdoshme që shkolla të të japë mundësi të të kesh stërvitjen dhe kalitjen. Asgjë nuk është më e rëndësishme për njeriun sesa kalitja e tij. Por ta trajtojmë në mënyrë figurative dhe të shtrojmë pyetje çfarë është supernjeriu? Supernjeriu është njeriu i kalitur. Një njeri i kalitur ka forcë dhe ambicie, pasi ato të dyja shkojnë paralel në këtë rast. Ky njeri ka qëndresë, ka përqendrim , pra ka shumë avantazhe krahasuar me një njeri të pakalitur. Ndaj dhe në këtë kontekst edukata fizike duhet të jetë një nga aspektet themelore të shkollës. Ju siguroj se orët do të rriten dhe do të ecin drejt shndërrimit të edukatës fizike në një disipline themelore në shkollat tona, si një shërbim që mund ti bëjmë nxënësve.
Pyetje: Jam studente në fakultetin e shkencave të lëvizjes. Zoti kryeministër, a do ti mbështesë qeveria jua inisiativat private të bizneseve, psh të palestrave të fitnesit, të rehabilitimit dhe të rekreacionit. Dhe na keni premtuar se në shkollën tonë do të ndërtohet një pishinë. A do të realizohet ky premtim në këtë mandat?
Kryeministri Berisha: Së pari, për sa i përket investimeve jam plotësisht dakord. Ne kremi miratuar një ligj këto kohë, ligj i cili parashikon tokë për shkollë, shkolla në kuptimin të gjithë terrenet sportive, tokë për spitale private dhe tokë për qendra sociale, bëhet fjalë për tokë publike. Në qoftë se ligji nuk përputhet tërësisht në germë tërësisht dhe me tokë për veprimtari sportive do të plotësohet tërësisht. Ka vetëm një moment këtu. Unë isha në Fier. Të rinjtë e Fierit më kërkuan stadiumin e lojërave me dorë. Fieri është një qytet i madh dhe nuk ka stadium të lojërave me dorë. Ka terrene sportive, të cilat janë me pagesë, por mendoj se shteti, qeveria duhet të garantojë terrene sportive falas për cilindo që do të ushtrohet dhe stërvitet. Nuk është kjo një praktikë thjesht shqiptare. Në tërësi kjo mundësi u krijohet dhe duhet tu krijohet të rinjve. Ndaj dhe duke inkurajuar pjesëmarrjen e sektorit privat, do të të bëjmë gjithçka që të rinjtë të mund të stërviten, të mund të kaliten, të mund të ushtrohen në terrene sportive të cilat janë pa shpenzime.
Pyetje: Jam Kapitene e ekipit të basketbollit për femra. Zoti kryeministër flitet dhe përflitet për ndërtimin e klasave sportive. A ka në plan qeveria për të ndërhyrë në mandatin e ri qeveritar?
Kryeministri Berisha: Qeveria ime ka në plan mandatin e ri të ridimensionojë tërësisht qëndrimin ndaj sportit dhe zhvillimit të tij dhe pa diskutim edhe për klasat sportive. Qeveria do të adaptojë një qëndrim shumë më mbështetës dhe inkurajues në këtë fushë. Predominon ideja që edukata fizike të marrë një rol qendror në sistemin arsimor në Shqipëri dhe ne do t’ja japim këtë rol. Natyrisht, ky rol qendror kërkon një përllogaritje të saktë të gjithë burimeve njerëzore që nevojiten. Ky rol qendror kërkon një përllogaritje dhe financim të të gjitha terreneve dhe baza të nevojshme materiale për ushtrimin e tij. Por ne qëndrojmë fuqishëm që siç i dhamë shkollës sonë me sukses dimensionin e gjuhës së huaj, pra ja arritëm që sot niveli i mësimit të gjuhës së huaj në shkolla është shumë i lartë dhe për këtë kemi vepruar shumë drejt. Pra ne do ti japim një dimension të fuqishëm përgatitjes fizike të të rinjve, edukatës fizike nëpër shkolla. Do të bëjmë gjithçka për ta nxitur këtë në komunitete dhe kudo që ka të rinj.
Pyetje: Jam atlet kampion kombëtar, anëtar i ekipit kombëtar. Në radhe të parë ju falënderojmë për pjesëmarrjen dhe për dhënien e mundësisë jo vetëm për të shprehur falënderimet, por edhe problematikat që mund të kemi. Ju përgëzoj për gatishmërinë tuaj për ndihmesën që keni dhënë për rikthimin e terreneve sportive me veprimin që keni kryer me ambientet e kompleksit sportiv Dinamo, të cilat ishin për një destinacion tjetër, por tashmë janë për një destinacion sportiv. Desha të shtroja dy pyetje për sa i takon sportit elitar dhe sportit për të gjithë. Sot jemi të rrethuar nga një numër sportistësh elitare me medalje të ndryshme botërore. Do të doja të na njihnit me një strategji tuajën se çfarë do të bëhet për tu dhënë një status këtyre atletëve, pasi deri më sot përveç vullnetit tuaj personal me nje vendimi të Këshillit të Ministrave që është gjëja më e mirë që është bërë deri më sot për sportin, nuk kemi parë gjë tjetër të bëhet, përsa i përket aspektit legjislativ, jo vullnetit të mirë dhe dashamirësisë së kryeministrit apo ndonjë biznesmeni. Sporti është shumë i lidhur me fushat e tjera. Dua të marr një shembull tuajin dhe të rivalit tuaj. Ju jeni duke kryer në këto momente të paktën tre katër ture të tilla, në të njëjtën kohë me angazhimet tuaja qeveritarë. Ndërkohë që rivali juaj kryen në rastin më të mirë 2 apo tre takime me militantët e tij dhe jo me grupe interesi të ndryshme dhe kjo tregon për gjendjen tuaj të mirë fizike. Gjithashtu edhe disa nga arritjet tuaja si ngjitja në malin e Dajtit apo thyerja e rekordit të përvitshëm në not, e tregojnë këtë gjë. Pra në këtë kontekst duhet të shihet pak më gjerë se sa sport, është në të njëjtën kohë shëndet, cilësi jete, bashkëpunim midis njerëzve etj.
Kryeministri Berisha: Së pari, ju siguroj se do të bëjmë gjithçka për tu dhënë statusin, mbështetjen trajtimin që meritojnë sportistëve të elitës. Sportistët e elitës janë produkt i një seleksioni dhe i një përpjekje të jashtëzakonshme, shumë të madhe. Në këtë kontekst dua të siguroj një gjë që zërat e tyre unë i dëgjoj dhe shqetësimet e tyre janë të drejta. Janë bërë disa hapa, por jo të plota. Nuk mundet që shteti të mos mbështesë ekipin më të mirë sportistët më të mirë, nuk mundet që qeveria të mos mbështesë fuqimisht suksesin e tyre të ardhshëm dhe kur theksoj këtu që ne duhet të shpalosim një dimension të ri në qëndrimin ndaj sportit unë nënkuptoj edhe këtë. Ju theksuat se një pjesë e madhe e buxhetit shkon edhe në ministritë e tjera. Sot një nga dimensionet absolute më të rëndësishme të sistemit shëndetësor është zhvillimi i shëndetit, e cila është rruga më e sigurtë e parandalimit të sëmundjeve, por kjo është njëra anë. Ana tjetër po kaq e rëndësishme është ajo e rivendosjes së shëndetit. Edhe ajo kalon detyrimisht ndërmjet procesesh dhe procedurash sportive dhe injorimi i saj tek ne ka një kosto kolosale. Sot janë dhjetëra mjëra qytetarë, të cilat meritojnë shkallë të pamotivuara paaftësie vetëm e vetëm se nuk është bërë riaftësimi i duhur, vetëm e vetëm se nuk janë zhvilluar qendrat rehabilituese të cilat ju kthejnë atyre aftësitë fizike që kishin më parë dhe i bëjnë ata jo vetëm të përballojnë jetën e tyre, por të përballojnë me sukses detyrat dhe veprimtarinë e tyre. Çfarë ndodh tek ne? Ata marrin një shkallë paaftësie dhe me atë firmë marrin një lloj pensioni dhe me atë pension zhyten gjithnjë e më shumë në një pasivitet që nuk u shërben aspak. Sporti elitar është sport elitë dhe duhet të ketë mbështetje, por jashtëzakonisht e rëndësishme është që ne të bëjmë të vetëdijshëm çdo njeri, për rëndësinë që ka për të një kalitje e vazhdueshme, një veprimtari fizike qoftë e përditshme, qoftë periodike, pasi jo çdo njeri ka mundësinë ta ketë atë të përditshme. Ne sot kemi arritur që në jetëgjatësi të lëmë mbrapa 9 vende anëtare të Bashkimi Europian dhe kjo është arritje e madhe. Por, në qoftë se ne do të ndërmarrim një program të zgjeruar në favor të sportit, ne kemi mundësi që jo vetëm ta rrisim atë më tej, por të përmirësojmë ndjeshëm cilësinë e jetës. Gjendja fizike e njeriut është pazgjidhshmërisht e lidhur me gjendjen e tij shpirtërore dhe cilësinë e jetës së tij dhe është absolutisht e sigurt se ajo është një rrugë e sigurt e cilësisë së jetës së qytetarëve. Ndaj në katër vitet që vijnë do të bëjmë gjithçka, që ta vendosin sportin në përparësinë që meriton. Përsa i përket ligjit, ju siguroj se do ta shqyrtoj me shumë përparësi.
Zoti Kryeministër, së pari, dua t’ju falenderoj për prezencën tuaj. Quhem Sait Prizreni dhe përfaqësoj sportin e mundjes. Dua të theksoj këtu bashkëpunimin që i ka dhënë qarku i Kukësit këtij sporti. Kërkesa ime është që në mandatin tuaj të ardhshëm, duke parë edhe problemet që sporti ka pasur kohët e fundit, në parlament të dëgjohet zëri i sportit dhe me këtë them se na duhet një përfaqësues nga sporti. Shpresoj që kjo të arrihet.
Kryeministri Berisha: Unë ju siguroj se do të bëj çmos, për të pasur përfaqësues nga sporti, natyrisht, jo ndërtues nga sporti. Ju e keni parë, a kishte gjë më qesharake të fliste për sportin, kur e kishte ndërtuar pallatin në oborr të shkollës dhe betohej se nuk është i tij, por dilte se ishte i tezakut të tij. Por a ia jepte Edi Rama, lejen e ndërtimit, djalit të zezës së tij!? Kurrë! Si mund të ndodhte!? Do të vinte Flamuri nga Skrapari e do të merrte leje ndërtimi tek Edi Rama! Asnjëherë nuk mund të ndodhte. E kishte marrë vete lejen e ndërtimit dhe thoshte pallati nuk është i imi. Ka zënë terrenet sportive me pallate, ndaj nuk mund të flasë më për sportin. Kjo është e vërteta. Ndaj sportistët do ta kenë përfaqësuesin, por që të përfaqësojë interesat e sportit dhe jo të pallateve të tij, pasi këto i kanë shumë qejf pallatet.
Zoti Kryeministër, a do të përmirësohet infrastruktura sportive, jo vetëm e edukimit fizik, por edhe ato rekreative.
Kryeministri Berisha: Ne do të inkurajojmë shumë zhvillimin e një infrastrukture moderne sportive, qoftë me financime direkte të qeverisë, qoftë në partneritet publik privat, domethënë në bashkëpunimin me sektorin privat. Ky ligj ju siguroj se i jep mundësi të madhe angazhimit të fondeve shumë të mëdha në fushën e sportit, në fushën rekreative. Ne do të bëjmë gjithçka për zhvillimin e saj.
Jam nxënëse e Fakultetit të Sporteve Rekreacioni, zoti Kryeministër, a ka ardhur koha që edhe në Shqipëri të ngrihet Federata Sportive Shkollore si në shumë vende të BE-së. Ne kemi marrë pjesë në dy universiada, por që kjo është nismë e drejtuesve të Universitetit të Sporteve dhe jo nga një federatë përkatëse.
Kryeministri Berisha: Nuk shoh asnjë pengesë që Federata të ngrihet. Unë di që numri i federatave nga viti 2008 gjer sot, në mos gaboj është rritur pothuaj me 1/3 dhe ne e inkurajojmë dhe e mirëpresim këtë. Mendoj se janë absolutisht të domosdoshme. Në rrafshin organizativ, federatat përbëjnë institucione shumë të dobishme. Nuk mendoj se mund të ketë pengesë. Ku qëndron pengesa zoti rektor?
Rektori i Universitetit të Sporteve: Thjesht organizative. Universiada ishte harruar dhe ne arritëm të bëjmë universiadën e parë mbarëkombëtare.
Kryeministri Berisha: Kjo nismë është shumë e mirë dhe ju përgëzoj, por edhe Federata është e domosdoshme.
Përshëndetje. Jam Romela Begaj, peshëngritësja e Klubit Tirana, një sportiste që kam nderuar denjësisht në arenën ndërkombëtare, klubin, Shqipërinë dhe juve. Dua të falënderoj në radhë të parë pedagogët e kësaj shtëpie sportive, si dhe të falenderoj për mbështetjen e madhe që kam pasur nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, që është një dashamirës i sportit, për lodhjen e paharruar të shefit të klubit, të gjithë sportistët dhe Luan Shabanin. Dua të theksoj se jam mbajtëse e medaljes së vendit të tretë në botë dhe jam në renditje e 6-ta në olimpiadë, rezultate që nderojnë flamurin kombëtar e të gjithë shqiptarët. Çfarë ndihme më të madhe do të jepni për sportistët? Për mua do të ishte më mirë të bëhej një ligj për sportin.
Kryeministri Berisha: Kalimi nga centralizmi në decentralizim është pozitiv dhe kërkon një qëndrim të përcaktuar, mbështetës, të kodifikuar në ligje nga qeveria dhe këtu keni shumë të drejtë, ndaj ekipeve, federatave dhe sportistëve. E thashë edhe më sipër se sportisti arrin suksesin dhe detyra e tij, detyra e federatës, detyra e qeverisë është që të punojë për suksesin tjetër të tij, të bëjë gjithçka që sportisti të kalojë nga një sukses në tjetrin. Jam plotësisht dakord për ligjin. Ligj, i cili duhet të trajtojë si sportin elitar, ashtu edhe për atë, le ta quajmë masiv, të cilin duhet të bëjmë gjithçka për ta nxitur dhe inkurajuar. Pra, unë jam dakord për ligjin.
Përshëndetje zoti Kryeministër, jam nga Klubi Studenti në basketboll. Infrastruktura sportive për ne sportistët elitarë ka nevojë për përmirësime. A ka qeveria juaj ndonjë plan në këtë drejtim?
Kryeministri Berisha: Qeveria e ka një plan dhe do të bëjë gjithçka që të ketë një infrastrukturë vërtet moderne. Klodiana Shala bën përpjekje të jashtëzakonshme, për ta shndërruar vërtet në një qendër të niveleve funksionale më të mira. Klodiana, je interesuar dhe ke bërë përpjekje personale të admirueshme dhe e them këtë me kënaqësi, këtu. Në të gjitha nivelet, ju jeni përpjekur për t’i dhënë në radhë të parë kolegëve tuaj, një qendër. Ju siguroj se ne do të bëjmë gjithçka për krijimin qendrave moderne. Në katër vitet që vijnë, ne synojmë të shumëfishojmë mbështetjen për ekipet, sportistët më të mirë. Në një mënyrë apo një tjetër, ata janë frymëzuesit e zhvillimit të sportit. Roli i trajnerëve është i jashtëzakonshëm, por asgjë nuk frymëzon më shumë sesa rezultati që ju arrini në gara. Ndaj ne do të bëjmë gjithçka, për të përmirësuar infrastrukturën sportive, do të bëjmë gjithçka që, krahas infrastrukturës më moderne në qendrat për sportistët profesionistë, ta shtrijmë këtë infrastrukturë për sportin në çdo skaj të vendit.
Unë përfaqësoj sportin e mundjes dhe jam qytetar i Prizrenin dhe ju falënderoj që më keni dhënë mundësinë që përmes Shqipërisë të përfaqësoj dhe ngjyrat e Kosovës dhe të Shqipërisë. Dua t’ju falënderoj se tani unë dhe disa qytetarë të Prizrenit përfaqësojmë kombëtaren e Shqipërisë në mundje, në Kampionatin Europian dhe atë Botëror.
Kryeministri Berisha: Të përgëzoj që jeni këtu dhe që ke konkretizuar nismën mbarëkombëtare të ligave. Kjo është shumë pozitive. Ne do të vazhdojmë në këtë linjë, natyrisht, duke respektuar rregullat ndërkombëtare, por në rastin konkret, ato nuk kanë penguar dhe ju përgëzoj.
Duke folur edhe si qytetarë, po përfitoj pasi nuk është e lehtë të kesh këtë privilegj të jesh me ju. Unë dëgjova se pretendimi i qeverisë është për 7 milionë turistë. E vërteta është se keni bërë rrugë pa fund, është përmirësuar hoteleria, uji i pijshëm, por jam i sigurt se në projektet tuaja ka resorte, ka turizëm malor, qendra skish etj.. Dua të optimizoj edhe studentët e mia në fakultetin e ri, që është hapur falë jush, për fitnesin, trajnimin personal, për resortet turistike, pa të cilat ky turizëm do mbeste pa ushqimin e vet. Në këtë kuadër dua t’ju falënderoj për vizionin që keni pasur, për ta bërë universitet, unë besoj se askush tjetër nuk do ta bënte universitet. Ju falënderoj shumë.
Kryeministri Berisha: Zoti rektor, ky sektor nuk mund të vihej në diskutim se meritonte të kishte universitet si për rolin që ka, por edhe për vetë arritjet e rezultatet e sportistëve tanë, të cilët me përpjekje shumë të mëdha dhe me mbështetje, dua ta them, minimale, - mbështetje që duhet ta kishin më të madhe - kanë arritur në rezultate si kampion europianë, në rezultate të shkëlqyera në botëror, rezultate në të gjitha fushat. Ne jemi një komb që seleksioni natyral ka vepruar në mënyrë shumë të pamëshirë mbi të, në shekuj dhe në tërësinë e vet ka përforcuar genin tonë. Kjo ka qenë historia jonë, jo një histori bulevardesh, por histori e vështirë. Por potencialet sportive janë të jashtëzakonshme, tek shqiptarët. Në këtë aspekt, e them haptas, nuk është bërë maksimumi. Ne u përqendruam në shkallën më maksimale tek rrugët, pasi nuk ka zhvillim pa rrugë, pa shkollën. Nëse e lë zonën pa rrugë, e dënon atë për t’u zbrazur me shpejtësi të madhe, ndërkohë që kudo ka potenciale.
Ju folët për skitë, për sportet dimërore. Le ta analizojmë sëbashku. Shqipëria është vendi më malor në Europë. Malet e saj nuk kanë lartësitë e Alpeve të Zvicrës apo maleve të Kaukazit, por prapë është vendi më malor se ka majat më të panumërta për sipërfaqen e saj dhe një lartësi mesatare 708 metra. Por kur vjen puna tek sportet malore, dimërore, ato janë shumë larg. Ndërkohë që ekzistojnë të gjitha terrenet natyrale për t’i pasur të zhvilluara, por kjo, sepse kanë munguar investimet. Për të bërë ski, nga Tirana shkojnë në Mavrovë apo Kolashinë, ndërkohë që 40 minuta nga qendra e Tiranës, në Bizë e më tutje bora nuk shkrin deri në gjashtë muaj. Ne po e ndërtojmë rrugën, po ecim drejt Shishtavecit. Duhet ta dini se një potencial i përmasave më të mëdha janë malet midis Kukësit e Peshkopisë. Të jashtëzakonshme! Të tilla janë edhe Alpet, por ato janë pak më të egra. Për më tepër të parat kanë edhe aeroportin e Kukësit afër. Ndërtimi i rrugëve do t’i hapë ato për resortet turistike dimërore. Ne kemi edhe detin, edhe liqenet e mrekullueshëm për sezonet përkatëse, por edhe malet mahnitëse.
Ju siguroj se katër vitet që vijnë do të jenë vitet e një ridimesionimi të fuqishëm, i mbështetjes për sportin e zhvillimin e tij. Ne sëbashku do të hartojmë një program kombëtar për zhvillimin sporteve, të cilit ne do t’i qëndrojmë siç i qëndrojmë programeve të tjera kombëtare, me burime financiare e mbështetje të gjithanshme. Hartimi i këtij programi do të bëhet me mendimin tuaj më të mirë, me specialistët më të shquar. Ky program do të jetë kompleks e do të përfshijë të gjitha aspektet e zhvillimit të kësaj fushe, jashtëzakonisht të rëndësishme për njeriun e shoqërinë.
Zoti kryeministër, në emër të të gjithë pjesëmarrësve në takim shpreh kënaqësinë që shkëmbyem mendimet. Unë jam i bindur se institucioni që drejtoj është shprehje e fjalës së mbajtur nga ju e qeveria dhe këto janë projekte që mund të realizohen, mjafton të jetë dëshira e mirë.
Kryeministri Berisha: Edhe unë dua t’ju falënderoj, t’ju uroj shumë suksese dhe të shpreh kënaqësinë që takova nga afër shumë prej jush, si dhe t’ju përgëzoj për atë që keni arritur. Ju garantoj se do të bëjmë gjithçka për t’i dhënë kësaj fushe dhe juve, mbështetjen që plotësisht e meritoni.
20/04/2013