Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve të programit master profesional, dega administrim biznes në universitetin e Sarandës

- 4 vitet që vijnë do të jenë në mbështetje të botës akademike shqiptare në mënyrë që të rritet gjithnjë e më shumë cilësia e mësimdhënies në universitetet dhe shkollat tona
Në serinë e takimeve të tij me të rinj nga i gjithë vendi, Kryeministri Berisha iu bashkua sot pasdite, studentëve të universitetit të Tiranës, dega Sarandë, në ceremoninë e tyre të diplomimit.
50 studentë të këtij universiteti përfunduan studimet e tyre për programin master profesional, në degën administrim biznes. Kryeministri e vlerësoi këtë ditë të gëzueshme në jetën e tyre, si një ngjarje shumë të rëndësishme për Sarandën dhe botën universitare të Shqipërisë. “Diplomimi këtu sot me master profesional, për here të parë në këtë universitet është një ngjarje e madhe, dëshmi e një progresi të qenësishëm që është bërë këtu në përpjekje të gjithanshme.” tha kryeministri.
Duke falënderuar rektorin e Universitetit të Tiranës për mbështetjen e dhënë projektit të ndërtimit të këtij universiteti, Kryeministri u shpreh se askund më mirë dhe më natyrshëm nuk mund të ngrihet një universitet për turizmin, sesa në qytetin e mrekullueshëm turistik të Sarandës.
Me premtimin se qeveria do të bëjë gjithçka për të inkurajuar kërkimin shkencor dhe nivelet më të larta të kualifikimit në universitete, Kryeministri garantoi se 4 vitet që vijnë do të jenë në mbështetje të botës akademike shqiptare në mënyrë që të rritet gjithnjë e më shumë cilësia e mësimdhënies në universitetet dhe shkollat tona.
Në përshëndetjen drejtuar studentëve, kryeministri Berisha u shpreh:
“Zoti ministër i arsimit,
I nderuar zoti Dhori Kule, rektor i universitetit të Tiranës,
Të dashur studente dhe studentë, prindër familjarë, të dashur diplomantë të masterit profesional, miku im Edmond Gjoka, zoti drejtori filialit, të dashur të pranishëm!
Ju falënderoj përzemërsisht për nderin e madh që më bëtë që jam i pranishëm në këtë ngjarje shumë të rëndësishme, për Sarandën, për ju, familjet tuaja, dhe për të gjithë botën akademike shqiptare, botën universitare të Shqipërisë, botën e dijes së këtij kombi.
Diplomimi këtu sot me master profesional, për here të parë në këtë universitet është një ngjarje e madhe, dëshmi e një progresi të qenësishëm që është bërë këtu në përpjekje të gjithanshme. Me këtë rast zoti rektor, falënderimi i parë është për ju , për angazhimin tuaj, për gatishmërinë tuaj për te bërë realitet një projekt të zotit Edmond Gjoka , i cili me përkushtim të veçantë, me vizon të kthjellët donte që Saranda të kishte fakultetin dhe fakultet e veta.
Ju zoti rektor, që në fillim ju përgjigjet kësaj kërkese, bëtë gjithçka që një ëndërr e qytetarëve të Sarandës të bëhet reale, që ky projekt sot, të ketë lëshuar shtat me një numër kaq të madh studentësh dhe jo më si një universitet rajonal, por më i gjerë pasi këtu ka studentë dhe studente nga mbarë vendi, dhe kjo përbën një dëshmi të reputacionit me ekipet tuaja.
Unë e kam vizituar këtë universitet në fillim, miku im , kryetrari i bashkisë në atë kohë, miku im Edmond Gjoka më njohu me të gjitha investimet e bëra, në mënyrë që pedagogët që vinin të kishin kushte sa më normale për atë kohë që do të qëndronin këtu në mësimdhënie dhe faktikisht kjo ka dhënë frytet e saj shumë të dobishme.
Të dashur studente dhe studente,
Për Shqipërinë dhe shqiptarët, për çdo komb, gara e dijes është gara e të gjitha garave, është gara që përcakton fatin e të tjerave, që përcakton suksesin e të tjerave. Por për ne shqiptarët është më jetike se çdo gjë tjetër, sepse ne patëm fatin e keq që të gjendeshim në vitet ‘90 në një gjendje që sot është e paimagjinueshme, të gjendeshim në vitet ‘90 dhe më pas, me një nivel shkollimi të popullatës në shkolla e te larta, ndër më të ulëtit dhe kjo politikë, ky qëndrim duhej ndryshuar. Duhej ndryshuar së pari në rrafshin njerëzor. Çdo i ri , çdo e re duhet të ketë të drejtë, të bëjë reale, të bëjë të vërtetë ëndrrën e vet universitare. Ky është një detyrim i shoqërisë, i shtetit dhe ata nuk mund ta shmangin asnjëherë. Është normale që çdo fëmijë që mbaron shkollën 9 vjeçare dhe ndjek gjimnazin , ka të drejtë më legjitime të ëndërroje të ketë diplomën e universitetit, të ëndërrojë të futet në shtëpinë e dijes së kombit të tij.
Ky është motivi i parë dhe më i rëndësishëm sepse ne bëmë gjithçka për tu dhënë të rinjve shqiptarë këtë mundësi. Sot numri i studentëve në universitetet tona publike dhe private është 162 mijë, kundrejt vetëm 52 mijë që ishte në vitin 2005. Kanë bërë një përpjekje të jashtëzakonshme akademikët tanë, pedagogët tanë, katedra për të përballuar këtë volum që 6 vjet më parë askush nuk imagjinonte, kanë dëshmuar një përkushtim të madh dhe e vërteta është që ndonëse qeveria ka bërë çdo përpjekje për të mbështetur, por nuk kanë patur dot atë mbështetje që këtyre ju lipsej për të përmbushur misionin e tyre. Kanë kapërcyer vështirëso serioze dhe sot kemi ndjekjen e shkollave të larta në një nga nivelet më të larta dhe vendi ka shumë nevojë për këtë.
Ne, 8 vjet më parë kishim përqindjen e të diplomuarve në popullatën tonë 3,4 % tërësisht e papajtueshme me ritmet e zhvillimit dhe rreth 8 herë larg mesatares evropiane. Ne po ngjitemi me shpejtësi, natyrisht në këtë proces është e pamundur të mos ketë dobësi, është e pamundur të instalohet menjëherë cilësia që do, por rrugë tjetër për të arritur atë cilësi, rrugë tjetër më të drejte se kjo për ta arritur objektivat nuk ka. Ndaj dhe ne qëndrojmë të bëjmë gjithçka për këtë projekt, sikundër i garantoj se 4 vitet që vijnë do të jenë në mbështetje të botës akademike shqiptare në mënyrë që të rrisim gjithnjë e më shumë cilësinë e mësimdhënies në universitetet dhe shkollat tona.
Thashë këto fjalë se në mënyrë të pandërgjegjshme dhe rëndom dëgjon kritika se universitetet u shndërruan në piramida. Këto janë fjalë të papërgjegjshme. Ëndrrat e fëmijëve dhe të rinjve tanë janë të shenjta, nuk janë piramida. Shoqëria shqiptare nuk mund ti shkelmojë ato dhe ajo ka qënë një politikë shumë e gabuar, politika e kufizimit të hyrjeve në universitet.
Sot, Shqipëria ka instaluar në shkollat e larta, sistemin e Bolonjës, Shqipëria ka filluar sistemin e reitingut dhe në këto shkolla nga 6 mijë pedagogë që ishin në vitin 2006, sot ka mbi 10 mijë dhe do të rriten edhe me shumë. Do të bëjmë gjithçka që stafet pedagogjike të plotësohen , sikundër do të bëjmë gjithçka për të inkurajuar kërkimin shkencor, për të inkurajuar nivelet më të larta të kualifikimit.
Le të shtrojmë së bashku një pyetje, në cpjesë të Shqipërisë apo të planetit mund të ngrihet një universitet për turizmin më mirë se këtu në Sarandë. Askund sepse këtu është djepi natyral i këtij universiteti.
Natyrshëm, që duhet të hapen dhe degë të tjera, por e rëndësishme është emri i mirë, i rëndësishëm është përkushtimi i pedagogëve i studentëve, i rektoratit të Tiranës për suksesin në rritje të këtij fakulteti për çka unë ju uroj shumë përzemërsisht.
Urime!
19/04/2013