E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron ujësjellësin e Ksamilit: Objektivi ynë, 7 milionë turistë e vizitorë në vit

Kryeministri Berisha, në vijim të takimeve në jug të vendit, u ndal sot pasdite në Sarandë, ku inauguroi përfundimin e fazës së parë e të dytë të ujësjellësit të Ksamilit. Rëndësia e ujësjellësit, një investim me vlerë rreth 450 milionë lekë, është jo vetëm lokale, pasi i shërben furnizimit me ujë 24 orë në ditë një komuniteti prej 50 mijë banorësh, por edhe banorëve të përkohshëm që e frekuentojnë këtë zonë gjatë sezonit turistik.

Ndërsa e vlerësoi këtë investim tepër të rëndësishëm jo vetëm për përditshmërinë banorëve, por edhe për investitorët në industrinë turistikë, Kryeministri Berisha u shpreh se turizmi përbën potencialin më të jashtëzakonshëm të kësaj zone dhe vendit në tërësi.

“Zhvillimi i turizmit mbetet për ne një nga përparësitë më madhore. Në katër vitet që vijnë objektivi ynë është: Shqipëria, 7 milionë turistë e vizitorë në vit. Në katër vitet që vijnë objektivi ynë është të paraqesim para tregut të madh turistik botëror, projektet më të mira për zonat turistike nga Kepi i Stillës, në Shën Jozef në Velipojë”, - shpalosi Kryeministri një nga objektivat madhorë për katër vitet e ardhshme, duke garantuar se do të kontraktohen kompanitë më të mëdha të fushës, për të hartuar projektet më të bukura turistike.

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Të dashur banorë të Ksamilit, qytetare e qytetarë të një prej qytezave më të bukura që ka bërë Zoti mbi tokë, së pari, ju përgëzoj përzemërsisht, shpreh kënaqësinë time që sot inaugurojmë sëbashku këtë ujësjellës, jashtëzakonisht të rëndësishëm për banorët e zonës suaj, për jetën e tyre të përditshme, por edhe për potencialin e jashtëzakonshëm turistik të Ksamilit. Ujësjellësi, me vlerë rreth 450 milionë lekë, do të furnizojë me ujë Ksamilin, në çdo kohë 24 orë dhe do të jetë inkurajim i madh për investitorët për të investuar në industrinë turistike në Ksamilin e bukur, si dhe do të jetë lehtësim i madh për familjet e shtëpitë tuaja, për të mikpritur vizitorë e turistë nga Shqipëria e mbarë bota.

Jam sot këtu, gjithashtu për t’ju dhënë fjalën se në një hark kohor dy mujor do të përfundojë rindërtimi i plotë i rrjetit të energjisë elektrike dhe ju do furnizoheni me rrjetin 20 kilovolt, me energji elektrike të cilësive më të larta dhe pa asnjë ndërprerje. Ne do të bëjmë gjithçka që Ksamili dhe e tërë Saranda të ketë edhe infrastrukturën më moderne që ekziston. Turizmi përbën potencialin më të jashtëzakonshëm, përbën pasurinë përrallore të shqiptarëve. Gjatë këtyre viteve, si rezultat investimeve të mëdha në infrastrukturë, ne kemi ndërtuar nga Velipoja në Ksamil, rreth 500 kilometra rrugë që zbresin nga akset kombëtare drejt detit, pa llogaritur akset kombëtare. Ne qëndrojmë të vendosur të ndërtojmë çdo rrugë, të garantojmë furnizimin 24 orë me ujë të të gjithë banorëve të brigjeve të vendit, qëndrojmë të vendosur të bëjmë gjithçka për marketingun më të mirë në Europë e në botë, të potencialit tonë turistik, të magjisë turistike të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Ne jemi ndryshimi, sepse nga viti 2004 gjer më sot, turistët e vizitorët në këtë vend të bekuar u rritën nga 300 mijë që ishin në vitin 2004, në 4.7 milionë në vitin 2012. Kjo është rritja më e shpejtë, rritja më e madhe që është regjistruar ndonjëherë në industrinë turistike, në fluksin turistik. Por potenciali i Shqipërisë është shumë më i madh se ky. Ndaj do të bëjmë gjithçka që ku numër të vazhdojë me këto ritme rritjeje.

Zonja e zotërinj,

turisti që vjen këtu, krahas bukurive mahnitëse natyrore, gjen qytetarë mikpritës, zemërbardhë, të qytetëruar, që i rezervojnë atij një mikpritje shembullore, gjen shërbime ndër më cilësoret dhe ushqime ndër më të shijshmet, por gjen edhe pasuri kulturore mahnitëse, që janë trashëgimi e çmuare e kulturës botërore, siç është Butrinti këtu afër, Finiqi më tutje, Gjirokastra në anën tjetër. Askund nuk besoj se në një distancë kaq të shkurtër, në një territor kaq të vogël të gjenden dy nga pasuritë kulturore, më mahnitëse, të njerëzimit, Butrinti dhe Gjirokastra.

Zonja e zotërinj, vëllezër e motra,

zhvillimi i turizmit mbetet për ne një nga përparësitë më madhore. Në katër vitet që vijnë objektivi ynë është: Shqipëria, 7 milionë turistë e vizitorë në vit. Në katër vitet që vijnë objektivi ynë është të paraqesim para tregut të madh turistik botëror, projektet më të mira për zonat turistike nga Kepi i Stillës, në Shën Jozef në Velipojë. Ne do të kontraktojmë kompanitë më të mëdha, për të hartuar projektet më të bukura. Ne do ta bëjmë bregun shqiptar, bregun më tërheqës në Europë e më gjerë. Ne do të bëjmë gjithçka që të shtrijmë infrastrukturën moderne në çdo segment të këtij bregu dhe në të gjitha zonat malore të Shqipërisë.

Zonja e zotërinj,

po shkojmë drejt zgjedhjeve të 23 qershorit. Zgjedhjet përbëjnë një proces themelor për demokracinë shqiptare, për të drejtat e qytetarëve shqiptarë. Le të bëjmë gjithçka për procesin e standardeve më të larta ndërkombëtare. Me besim të madh tek vetja jonë, me besim të madh tek njëri-tjetrit, me respektin që ne kemi për lirinë e njëri-tjetrit, të zhvillojmë zgjedhjet më të qytetëruara që kemi zhvilluar ndonjëherë. Le të konkurrojnë programet. Dhe unë jam këtu, për t’ju deklaruar qytetarëve shqiptarë që ne nuk e kërkojmë votën për ato që kemi realizuar gjer më sot, por votën e kërkojmë për ato që do të realizojmë në katër vitet që vijnë. Por ne vijmë e trokasim në dyert tuaja, trokasin në zemrat tuaja, me njerëzi, gjithashtu edhe si gra e burra, si njerëz që kemi dëshmuar mbajtjen e fjalëve tona, mbajtjen e premtimeve tona, si forcë politike që ka ndryshuar vendin, në tetë vjet, më shumë se kurrë në historinë e saj, si forca politike që anëtarësoi vendin në NATO, që bëri që qytetarët shqiptarë, pas reformave të mëdha, të lëvizin të lirë në mbarë Europën, që bëri që Shqipëria, me reformat e saj të mëdha, të meritojë plotësisht statusin e vendit kandidat, në qoftë se zoti Rama, me zemërligësi ekstreme nuk do të bllokonte tre ligje, për të çuditur çdo qytetar shqiptar, çdo mik të Shqipërisë dhe çdo europian.

23 qershori janë zgjedhjet e programit për Shqipërinë e zhvilluar, janë zgjedhjet e programit për punësimin masiv të shqiptarëve, janë zgjedhjet e programit për 7 milionë turistë e vizitorë në katër vitet që vijnë, janë zgjedhjet e programit për Shqipërinë me statusin e vendit anëtar në Bashkimin Europian dhe hapjen më vonë të negociatave për vend anëtar i plotë. Ne duhet të bëjmë gjithçka për zgjedhje të shkëlqyera.

Krahu tjetër është në kaos total. Nga një anë deklaron se do të heqim akcizën, nga ana tjetër u thotë fermerëve se do të heqim TVSH-në për importet. Më kujtohet shumë mirë biseda me fermerë e Vurgut, në vitin 2005. Erdha dhe i gjeta në gjendje shumë të dëshpëruar, sepse Duka i ushqimit i sillte gjemitë me OMGJ dhe ua kalbte misrin në fushë. Shkoni e shihini si ata burra e gra pothuaj kanë dyfishuar sot, sipërfaqen e mbjellë. Programi i zotit Rama është programi anti investim. Përse Shqipëria, në katër vitet e krizës më të thellë ia doli të ketë një rritje prej 316 përqind të investimeve? Kjo për dy arsye kryesore. Së pari, anëtarësimi në NATO. Së dyti, taksa e sheshtë, sepse investitorët e pëlqejnë shumë taksën e sheshtë. Sikundër, turistët pëlqejnë shumë çmimet jo të larta dh kjo është e njohur. Tani zotëria u thotë se do të kthejë taksën e lartë. Taksa e lartë që është edhe pika e dytë në manifestin e Karl Marksit, që thotë taksa të rënda mbi borgjezinë, në mënyrë që t’i shkatërrojmë, pra, kjo taksë është taksa e shkatërrimit progresiv e vendeve të punës, për njerëzit e punës. Taksa e lartë është taksa e bllokimit, shkurajimit, largimit të investitorëve dhe investimeve nga Shqipëria. Zoti Rama mbaje sëbashku me manifestin e Maksit, në raftin e bibliotekës tënde!

Jam këtu për t’i kërkuar atij solemnisht: përmbaje dëshpërimin, se akte si ato që organizove ndaj deputetit, ish kryetarit të parë parlamentit pluralist, Kastriot Islamit janë të denja vetëm për klikat diktatoriale më të shpërfytyruara. Tek pa këtë skenë, një ish i përndjekur politik do të më thoshte: një njeriut tim i çoi  motra, një pallto të bukur dhe e veshi. Nuk erdhën t’ia rrethonin shtëpinë, por e morën në zyrën e frontit dhe e diskredituan. Ndërsa këtij i rrethuan shtëpinë, ku kishte vajzën, fëmijë të tjerë dhe bashkëshorten, si akti më i dënueshmi dhe i paprecedent në 20 vitet e fundit. I them këtu: mos guxo të përsërisësh akte të tilla, kontrolloje dëshpërimin e madh, megjithëse je tërësisht i pashpresë.

Dy ditë më parë doli dhe u deklaroi të tjerëve se nuk pranoj datën e zgjedhjeve në 23 qershor, por dua ta shtyj. Dua t’ju rrëfej diçka, se dua të jem i vërtetë me ju. Ai kujton se po përsërit vitin 2007, por nuk e dinte se në 2007 e tërhoqa unë zvarrë atë. Ne erdhëm në pushtet në vitin 2005 dhe duhej që çdo shqiptar, çdo mik i shqiptarëve të konstatonte, të gjente, të besonte se Partia Demokratike, se Sali Berisha do të bëjë zgjedhje të lira e të ndershme dhe ai kënaqej se gjoja po na zvarriste, në fakt po e zvarrisja unë, në shkallën më ekstreme. Ai e di mirë këtë. Po ia rikujtoj këto, në mënyrë që të përmbajë dëshpërimin. E di mirë. Në një moment në atë kohë, një diplomat i huaj më erdhi në zyrë dhe pas 5 minutash më thotë se po i telefononte zoti Rama dhe më pyeti në mund të fliste me të. Jo, i thashë, dilni e flisni në korridor. Pas 5 minutash më vjen sekretarja e më thotë se më kërkonte diplomati. Dola dhe ai hapi altoparlantin e telefonit dhe zoti Rama po i thoshte: jam i shtrirë në parket dhe po vdes. Përgjigja ime ishte: mos vono, po vdis përnjëherë. Ky zotëri më kthehet e më thotë si ka mundësi, ju jeni mjek. Por ai është një simulant që shok ka vetëm veten, i them. Tani kujton se mund të lëvizë datën, por  nuk lëviz as datën, nuk lëviz asgjë. Zgjedhjet janë në 23 qershor dhe zgjedhjet i ka të humbura. Fitorja është e ndryshimit të madh, e perspektivës së madhe. Ne jemi ndryshimi – Përpara, përpara, përpara!”


19/04/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›