Fjala e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike
E mblodha kryesinë për të marrë nga ju autorizimin për koalicionin, i cili del se është dhe do të jetë më i gjëri që ka pasur Partia Demokratike, në tërë ekzistencën e saj. Ky koalicion që realizohet në këto zgjedhje do jetë koalicioni i të djathtës së bashkuar dhe qendrës. Të gjitha partitë e spektrit politik të djathtë, të qendrës së djathtë dhe të qendrës grupohen dhe do grupohen këto ditë, me Partinë Demokratike. Në dallim nga viti 2009, koalicionit tonë i shtohen një numër tjetër forcash politike të qendrës dhe të djathtës.
Por para se të diskutojmë për këtë problem dëshiroj t’u bëj një analizë të zhvillimeve intensive elektorale të Partisë Demokratike, por dhe zhvillimeve elektorale në tërësi, në Shqipëri.
Siç e dini, Partia Demokratike këtë vit ka ndërmarrë një fushatë elektorale të një stili tërësisht të veçantë , të papërdorur më parë, fushatën elektorale të bazuar në atë që hyri në fjalorin mediatik si town-holl, por që mund të quhet edhe oda e burrave dhe jo vetëm e burrave, por edhe e grave, pra, bashkëbisedimi me qytetarët për të gjitha problemet e programit elektoral të Partisë Demokratike, si dhe problemet e tyre të çdo lloj natyre.
Kurrë ndonjëherë programi elektoral i Partisë Demokratike nuk është pasuruar me mendimet më të mira të grupeve të interesit për këtë program, të ekspertëve, por dhe të njerëzve direkt të interesuar për të, të grupeve më të gjera, të cilët kanë bërë qindra propozime të çmuara, që më shumë se në një rast kanë imponuar ndryshimin e parashikimit programor, gjer edhe ndryshime ligjesh të caktuara, në mënyrë që çdo gjë të adresohet dhe fokusohet në interesin më të mirë të qytetarit, të fermerit, të të riut, intelektualit dhe kështu me radhë.
Këto kanë qenë dhe janë një eksperiencë e jashtëzakonshme, ku synohet të dëgjohet e të vilet mendimi më i mirë për çdo fushë, mbi bazën e atyre që kemi arritur, mbi bazën e atyre që do bëjmë. Sepse ne do bëjmë shumë më tepër. Mendoj se është arritur që i tërë programi ekonomik i PD-së të boshtëzohet apo të provohet se ka një qëllim më kryesor, final: punësimin e qytetarëve shqiptarë. Unë gjithnjë kam deklaruar se qëllimi final i të gjitha reformave tona është punësimi i qytetarëve në kushtet e tregut të lirë. Ajo përbën dhe do përbëjë qëllimin më kryesor.
Ne patëm fat të përpunojmë një seri masash, ligjesh, vendimesh, praktikash e projektesh, të cilat prekin çdo qelizë dhe çdo aspekt të veprimtarisë së biznesit, të veprimtarisë afariste, të krahut të punës, të rezervave natyrore, të gjitha këto me qëllimin unik rritjen ekonomike, punësimin e qytetarëve shqiptarë.
Ne kemi treguar përqendrim të madh, angazhim të madh në këtë çështje, sepse arritjet e deritanishme kanë nevojë të domosdoshme të kenë një shtytje të madhe. Kriza në vendet përreth do vazhdojë, kjo është e qartë. Shqipëria nuk ra në krizë dhe kjo është e afirmuar edhe para 3 ditësh, nga raporti i fundit i Komisionit Europian. Natyrisht, Shqipëria ndjehu pasojat e saj dhe është bindja ime më e madhe se një nga arritjet e jashtëzakonshme të asaj kohe ka qene parandalimi i asaj krize. Çfarë do bëjmë ne? Të shkëpusim vendin sa më shumë larg saj, t’i kundërvihemi sa më fuqishëm ndikimit të saj.
Besoj se në këtë proces, në këtë dialog të gjerë me biznesin, investitorë vendas dhe të huaj, ne kemi arritur në disa nga përfundimet më të rëndësishme. 6 vjet më parë, ne bëmë Shqipërinë, vendin e taksës së sheshtë 10%. Është mendimi i përgjithshëm se kjo taksë u tregua shpëtimtare, në mbrojtje të Shqipërisë nga kriza, krahas faktorëve të tjerë sigurisht. Por hapat që ndërmorëm tani, heqjen e taksës për çdo lloj kapitali përbën edhe kjo, përpjekjen më të fuqishme për të zgjeruar lirinë e individit, për të nxitur sipërmarrjen, për të shtuar investimet, për të krijuar vendet e punës. Kjo reformë ose këto masa të marra në një moment jo të thjeshtë janë një kurajë, por bindja ime më e thellë është se tremujorin e katërt të këtij viti e në vazhdim, këto masa do fillojnë të japin rezultate qartësisht të prekshme dhe e vërteta është se interesi është që tani.
Ne vendosëm të heqim tatimin mbi të ardhurat personale 10%, për rrogat nën 30 mijë lekë. Nga kjo masë përfitojnë rreth 220 mijë shqiptarë. Por kjo është edhe hera e parë që qeveria ndikon direkt në rritjen e rrogës në sektorin privat, duke privuar buxhetin e shtetit nga këto para dhe ky është një veprim shumë i veçantë.
Ne kemi vendosur të bëjmë gjithçka për të shumëfishuar mbështetjen për Shqipërinë rurale. Jo vetëm biznesi urban apo qytetar do ketë këto lehtësira, por lehtësira shumë të mëdha do t’u bëhen fermerëve shqiptarë. Ne hoqëm çdo lloj tarife apo TVSH-je për çdo lloj importi që ata përdorin për rritjen e prodhimit. Fermerët reaguan për disa nga këto masa, sepse me të drejtë, atë që ne kemi bërë të qartë me kohë, ulja e TVSH-së i mbetet sipërmarrësit, tregtarit dhe nuk i shkon fermerit. Zotërinj anëtarë të kryesisë, ligji që sapo u votua në parlament do të anulohet. Ne kemi vendosur për të dëshmuar mbështetjen më maksimale ndaj fermerëve, që atyre t’u rimbursohet me para në dorë, si akciza e naftës, plehrat kimike dhe kimikatet. Një milionë lekë, më tha një fermer, për 1 kg të një kimikati që blej. Në qoftë se ia bëjmë çmimin 800 mijë, duke i paguar 20% , e lehtësojmë. Ne morëm këtë masë dhe bëmë shumë mirë, sepse e vërteta është se qëllimi ynë është të mbështesim fermerët. Kjo është mbështetje direkte, por edhe naftën arritëm në fund, në konkluzionin se ne do mund ta disbursojmë akcizën, por jo me tollon, por para në dorë për naftën që shpenzojnë.
Programi ynë po trupëzohet si kurrë ndonjëherë tjetër, me kërkesat e realitetit aktual. Në 22 vite kjo forcë politike kurrë nuk ka bërë ndonjëherë një punë më të studiuar se gjatë këtyre muajve, me programin e mandatit të ri mandatit 4-vjeçar. Programi është njëri aspekt i rëndësishëm, veprimtaria jonë elektorale, siç keni e konstatuar, u orientua fillimisht drejt të papunëve, më pas drejt fermerëve, tani po përpunohet programi më i shkëlqyer për të rinjtë shqiptarë, për një shkollim më cilësor, për një punësim më të sigurt, për një jetë më të mirë. Edhe këtu do të kemi një përqendrim total, po përpunojmë së bashku me të rinjtë, në një dialog më të gjerin që ka ekzistuar ndonjëherë, programin e ri për shkollimin, punësimin dhe jetën më të mirë të tyre, në 4 vitet që vijnë. Ne do të bëjmë gjithçka për të nxitur dhe inkurajuar punësimin e të rinjve shqiptarë. Kemi marrë përsipër detyrimet fiskale për tre vitet e para, për të riun e punësuar, do përpunojmë sistemin e kreditimit për ta, do bëjmë gjithçka në partneritetin publik dhe privat për procesin e punësimit.
Ne kemi shpallur se në katër vitet që vijnë do punësojmë 250 mijë shqiptarë, kemi përcaktuar fushat, biznesi urban, biznesi rural, fermat, turizmi, ICT-ja, energjia. Ne jemi në kuotat më të arsyeshme dhe ne do t’i bëjmë këto realitet. Ajo që ndodh sot, para shqiptarëve, është rritja para syve të tyre e programit të Partisë Demokratike, në katër vite që vijnë, pjesëmarrja e tyre aktive si kurrë ndonjëherë më parë në hartimin e këtij programi, pasurimin e këtij programi nga mendimi, sugjerimet dhe propozimet nga eksperienca e tyre dhe kjo do të vazhdoi.
Zonja dhe zotëri anëtarë të kryesisë,
Përpjekjet tona do jenë të hekurta për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm dhe ne i garantojmë shqiptarët se qeveria do bëj gjithçka për zgjedhje të standardeve më të mira ndërkombëtare dhe se vendi i tyre ka të gjitha potencialet për të zhvilluar këto zgjedhje. Qytetarët shqiptarë kanë kulturën qytetare të votimit demokratik dhe e kanë faktuar këtë në mënyrën më të përsëritur. Ndodh rëndom që kryetari i Partisë Socialiste mendonte se ku të gjente objekt tjetër bllokimi dhe gjeti KQZ-në. Ju e keni të qartë, por për qytetarët dua të them se koncepti i zotit Rama se, meqenëse një parti e koalicionit qeveritar kaloi në anën e opozitës, tani është edhe opozitë, edhe qeveri është thjeshtë marrëzi, sepse Kushtetuta e vendit e ka të përcaktuar kush është qeveri dhe kush është opozitë. Në të gjitha ligjet e vendit, balanca e institucioneve të zgjedhjeve është balancë midis qeverisë dhe opozitës dhe jo midis qeverisë dhe hemipolitizmit, siç pretendon zoti Rama. Ai të na thotë është qeveri apo është opozitë, pastaj të marrë vendime. Kjo është shumë e thjeshtë. Nëse do të ishte qeveri dhe opozitë, kjo do të kërkonte një rinegociim të të gjithë marrëveshjes, sepse ajo parashikon qeveri-opozitë, Kushtetuta parashikon qeveri-opozitë, Kodi Elektoral parashikon qeveri-opozitë. A kishte gjë më qesharake se të dilte jashtë kontrollit, se po i marrin anëtarin e KQZ-së?! Pastaj britmat e tij se ky institucion është i pavarur dhe si është i pavarur, ky institucion e faktoi zoti Rama, me zotin Biba dhe zonën Shtylla. Të dashur qytetarë, mjafton t’i hidhni një vështrim KQZ-së. Në emër të pavarësisë apo varësisë totale u larguan nga KQZ-ja, këta zotërinj?! Cila është pavarësia e institucioneve e faktoi zoti Rama tek votohej në parlament, me akte të paprecedentë ndaj deputetëve që kanë kontribute në parlamentarizmin shqiptar, në një kohë kur ai flinte në metronë e Parisit. E më pas i rrethoi shtëpinë, meqenëse nuk ia bllokoi dot të drejtën e votës, me të gjithë vandalizmin që ushtroi. Ajo që patë në parlament, ajo që patë rreth shtëpisë së Kastriot Islamit, ajo është antikultura e liderit të opozitës për demokracinë, për votën për institucionet. Vazhdoi me kërkesën të shtyhen zgjedhjet. As edhe një ditë të vetme! Për këtë mori përgjigje përfundimtare.
Dje anturazhit të tij i tha se, në qoftë se unë humbas zgjedhjet, nuk do të njoh rezultatin, se nuk kam anëtarët e komisionit. Atëherë, ai po kërkon justifikimin se zgjedhjet i fitova, por zgjedhjet m’i vodhën. Ky njeri vuan nga sindromi obsesiv i kleptomanisë. Çdo gjë i duket vjedhje apo se po vidhet. Ky nuk është faji ynë, është problem i tij. Është i nervozuar shumë, pasi siç e dini, i ka disa vështirësi. Ne garantojmë zgjedhje të lira e të ndershme. Çdo realitet pozitiv i këtij vendi e trishton dhe e zymton atë. Sot zihej me fermerët e Beratit dhe ju thoshte ç’ju duhen ullinjtë, ku do t’i shisni ato dhe kjo, për fajin e vetëm të tyre që kanë mbjellë miliona rrënjë, edhe të inkurajuar nga kjo qeveria. Por le ta lëmë zotin Rama të bëjë betejat donkishoteske në realitetin shqiptar, ne të vazhdojmë të ndryshojmë gjithnjë e më shumë këtë realitet.
Të nderuar anëtare e anëtarë të kryesisë, sugjerimi im është që koalicioni E djathta e bashkuar dhe qendra duhet të konkretizohet me përfshirjen në këtë koalicion të të gjitha forcave politike që e ndjejnë veten të orientimit të qendrës dhe së djathtës të bashkuar. Ne hapim dyert për këtë.
Këtu dua të ndalem edhe në një moment. Krahu tjetër rreshtoi në koalicion katër parti komuniste, me emra të ndryshëm. Gjej edhe ndonjë prej tyre që nuk duhet të ishte kurrë. Por liria i këto ka. Koalicioni tjetër u ekstremizua, shkoi tërësisht drejt ekstremit të majtë, që shqiptarët kanë memorien më të hidhur me të.
Ne duhet të përfshijmë të djathtën, qendrën e djathtë dhe qendrën dhe të dalë koalicioni i të djathtës së bashkuar dhe qendrës. Tipari më kryesor, më kardinal i këtyre forcave politike është respekti për vokacionin perëndimor të kombit shqiptar.
Asnjë nga këto forca nuk mund të imagjinojë qoftë edhe për një moment, cilido qoftë pushteti i saj për të penguar procesin e integrimit në BE, proces kryesor për të ardhmen e vendit.
Dje në Bruksel u firmos një marrëveshje historike midis qeverisë së Kosovës përfaqësuar nga kryeministri Thaçi dhe qeverisë së Serbisë e përfaqësuar nga kryeministri Daçiç, marrëveshje e cila hap një kapitull të ri, një epokë të re në marrëdhëniet midis dy vendeve, por jashtëzakonisht e rëndësishme për rajonin. Pala serbe në vendimin që mori, argumentin e parë para qytetarëve të Serbisë, paraqiti argumentin evropian. Kjo marrëveshje, dhe ashtu ishte e vërteta, na hap rrugën e BE, siç i hap dhe Kosovës sigurisht, kurse kryetari ynë i opozitës se si ta bllokojë më shumë këtë rrugë edhe një fjalë që i kishte dhënë aleatit të tij të ri që tani flet për rrotacion se zoti Meta e bëri rrotacionin, tani ne do të vazhdojmë. Pra i dha fjalën se do të votojë ligjet dhe nuk e mbajti, ligjet janë në sirtar, ligjet presin. Ai vetëm fjalën që se mban, e ka në natyrën e tij. Pra, nuk ka forcë politike të djathtë, nuk ka forcë politike të qendrës, nuk ka forcë politike të qendrës së djathtë që mund ti lejojë vetes të hezitojë qoftë edhe një moment për të mos përmbushur qoftë edhe një detyrim që rrjedh nga vokacioni perëndimor i popullit shqiptar. Dy kanë qenë vokacionet që kanë ekzistuar në këtë vend, vokacioni nativ perëndimor që u rezistoi të gjitha përpjekjeve për të denatyruar këtë vokacion dhe tjetri, vokacioni totalitar, i kuq, i majtë që bëri gjithçka për të shkatërruar vokacionin perëndimor, por në mënyrë të dështuar.
Ndaj dhe unë mendoj që ky fakt duhet të na bëjë ne që të bëjmë të gjitha përpjekjet për të krijuar koalicionin e djathta e bashkuar dhe qendra. E bëmë provën ne. Ai i tha zotit Meta, urdhëro se do të votojmë ligjet. Qëndroi tek testamenti. Asnjë forcë politike e djathtë nuk mund të imagjinojë të veprojë në këtë mënyrë, ndaj dhe duhet të bashkohemi të shkojmë drejt objektivit më madhor. Objektivi i të gjitha projekteve është integrimi vendit në Europë.
20/04/2013