E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet nisjen e punimeve për ndërtimin e xhamisë së re të Tiranës

Kryeministri Berisha përshëndeti sot nisjen e punimeve për ndërtimin e xhamisë së re të Tiranës, duke e  cilësuar këtë ditë të rëndësishme për besimtarët myslimanë shqiptarë dhe rivendosje e së drejtës së tyre.

“Sot ndahemi nga qëndrime paragjykuese, nga qëndrime të inspiruar kryekëput nga ateizmi dhe ideologjitë e tij, të cilat penguan për 20 vjet ndërtimin e kësaj xhamie, kaq shumë të domosdoshme për besimtarët myslimanë të qytetit të Tiranës, por edhe si një detyrim i madh për të rivendosur  të drejtat e shkelmuara, në vendin që meritojnë.”

Kryeministri Berisha i bëri thirrje drejtuesve vendorë t’u bëjnë të mundur besimtarëve të çdo besimi të ngrenë tempujt e tyre aty ku jetojnë.

Në këtë ceremoni, ku ishin të pranishëm edhe drejtuesit e komuniteteve fetare në vend, drejtuesit e komuniteteve myslimane në Kosovë dhe Maqedoni, kryetari i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha dhe përfaqësues të trupit diplomatik, u firmos edhe dokumenti themeltar për inaugurimin e fillimit të xhamisë së re të Tiranës, Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar Haxhi Selim Muça dhe Kryeministri Berisha. 

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Për Tiranën, kryeqytetin e vendi, për Shqipërinë dhe shqiptarët, data 20 prill, dita e lindjes së profetit është e do të mbetet një ditë e madhe, e rëndësishme, ditë në të cilën ne inaugurojmë edhe ndërtimin e xhamisë më të madhe të kryeqyteti dhe të vendit, në tërë historinë e tij. Kjo ngjarje është e madhe edhe në një aspekt tjetër. Sot ndahemi nga qëndrime paragjykuese, nga qëndrime të inspiruar kryekëput nga ateizmi dhe ideologjitë e tij, të cilat penguan për 20 vjet ndërtimin e kësaj xhamie, kaq shumë të domosdoshme për besimtarët myslimanë të qytetit të Tiranës, por edhe si një detyrim i madh për të rivendosur  të drejtat e shkelmuara, në vendin që meritojnë.

22 vjet më parë, me themelimin e partisë së parë opozitare, ne shpallëm si parim themelor që aty ku jetojnë katër të krishterë të ndërtohet në kishë, aty ku jetojnë katër myslimanë të ndërtohet një xhami, aty ku jetojnë katër myslimanë bektashinj të ndërtohet një teqe. Duke ruajtur  si parim themelor të shtetit sekularizmin, ne shpallëm me këtë, respektin e palëkundur ndaj gurrave hyjnore që ushqejnë shpirtin shqiptar dhe e bëjnë atë një shpirt të madh, i cili shndrin e do të shndrisë në respektin e palëkundur të besimit të tjetrit.

Ju nuk keni pasur ndihmën e madhe që keni merituar. Por ajo çka kam admiruar në mënyrë të jashtëzakonshme është durimi, dialogu, vendosmëria për të çuar përpara e për të përfaqësuar me dinjitet çështjen e besimtarëve që ju përfaqësoni. Në këtë frymë u ndërtuan katedralet, po ndërtohet tempulli i bektashinjve dhe me këtë frymë, edhe xhamia. Ju Haxhi Hafiz Selim Muça keni një meritë shumë të madhe. Urtësia, vendosmëria me të cilën ju e keni ndjekur këtë çështje bëri të mundur që sot të mblidhemi sëbashku në këtë ngjarje, e theksoj, shumë të madhe shpirtërore, morale për kombin tonë.

Qeveria, duke shprehur nderimin më të madh ndaj jush, u bën thirrje kryetarëve të bashkive e komunave që me përparësi t’u bëjnë të mundur besimtarëve të besimeve tona të mëdha, por edhe besimeve të tjera, të ngrenë tempujt e tyre aty ku jetojnë. Gjithnjë qytetet kanë pasur xhamitë, katedralet kryesore, por gjithnjë besimtarë i kanë pasur ato afër shtëpive të tyre. Ndaj, të çliruar  nga trashëgimia ateiste, dua të pyesni mirë veten para çdo pengesë që mund t’u nxirrni: a mos është kjo një trashëgimi e së shkuarës. Dhe do të mund të jepni përgjigjen më të drejtë.

Edhe një herë ju uroj në këtë ditë të shenjtë, dita e lindjes së profetit Muhamet, burrit që sëbashku me Jezu Krishtin e Budën i dhanë tokës e njeriut, kuptimin e madh të Zotit. Gëzuar këtë ditë dhe ju uroj shumë suksese!”


20/04/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›