E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura në Durrës, investim me vlerë 11 milionë euro

Kryeministri Berisha inauguroi sot impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura në Durrës, një investim me vlerë 11 milionë euro, i financuar nga qeveria shqiptare, Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe qeveria e Luksemburgut. Impianti i trajtimit të ujërave të ndotura për qytetin e Durrësit ishte pjesë e masave të zbatuara nga "Projekti i Menaxhimit të Ekosistemeve të Ujit të Integruar në Shqipëri".

Impianti, i ndërtuar në një sipërfaqe prej 65 hektarë, ka teknologji të një shkalle të avancuar që bëjnë të mundur pastrimin e ujit deri në nivelin 97 përqind dhe mundëson edhe përfitimin e biogazit, i cili do të mbulojë nevojat e impiantit për energji elektrike deri në masën 30 përqind. Me ndërtimin e tij vija bregdetare e Durrësit pastrohet në mënyrë përfundimtare nga ujërat e zeza. Durrësi është një ndër qytetet kryesore turistike të vendit, ka një popullsi prej 205.000 banorë dhe në periudhën e sezonit turistik arrin shifrën prej 600.000 banorë.

Kryeministri Berisha vlerësoi se me këtë impiant Durrësi do të hyjë në hartën e qyteteve me ujërat më të pastra të rajon dhe në Evropë, si dhe do të rrisë në mënyrën më të ndjeshme kapacitetet turistike. “Qeveria shqiptare e konsideron mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit si një kusht vendimtar për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë, një kusht vendimtar për mbrojtjen e shëndetit për qytetarët shqiptarë”, tha Kryeministri, ndërsa theksoi se “gjatë këtyre viteve janë investuar për ujësjellës-kanalizime dhe impiante të përpunimit të ujërave të zeza 55 miliardë lekë”.

“Politika jonë ndaj mjedisit,-  u shpreh Kryeministri, - është politika më serioze, është politika në të cilën ne i besojmë parimit – mjedisi është jeta! Mbrojta e tij është e barasvlefshme me mbrojtjen e jetës”.

Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se katër vitet që vijnë janë vite vendimtare për Shqipërinë e zhvilluar dhe evropiane. “Ne, - tha Kryeministri, -  do të vazhdojmë përpjekjen tonë serioze për të marrë statusin, për të hapur negociatat, për të ecur në mënyrë të pandërprerë drejt Bashkimit Evropian, drejt Shqipërisë evropiane”.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Sot ne inaugurojmë një ndër veprat më të rëndësishme në historinë mijëravjeçare të qytetit të Durrësit, inaugurojmë impiantin më modern të përpunimit të trajtimit të ujërave të zeza të Durrësit, të Shkëmbit të Kavajës dhe të gjithë zonës bregdetare deri në kufi me Gjirin e Lalzit. Ne inaugurojmë sot këtë impiant, një investim prej 11 milionë euro, i teknologjive më të avancuara, impiant për të cilin janë ndërtuar dhe rindërtuar të gjithë kolektorët e Durrësit dhe të zonës. Mbi 141 kilometra tubacione, impiant që përpunon aktualisht 400 l/s dhe kapacitetet i ka për rreth 700 l/s. Me vendosjen e tij në funksion të plotë, ujërat e Durrësit bëhen ndër ujërat më të pastra të Mesdheut dhe të Evropës në tërësi. Impianti, ujërat që nxjerr i ka të pastra dhe të përdorshme për shumë qëllime të tjera. Në pak javë impiantit i bashkohet kolektori që sjell ujërat e zeza nga Shkëmbi i Kavajës dhe i tërë territori i vijës bregdetare të Durrësit pastrohet në mënyrë përfundimtare nga ujërat e zeza, të cilat mbillnin sëmundje, papastërti dhe, natyrisht, dëmtonin turizmin e këtij gjiri të mrekullueshëm, këtij gjiri me potencial të jashtëzakonshëm turistik.

Ne inaugurojmë impiantin e ujërave të zeza të qytetit të Durrësit në zbatim të një politike të mbrojtjes dhe zhvillimit të mjedisit. Qeveria shqiptare e konsideron mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit si një kusht vendimtar për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë, një kusht vendimtar për mbrojtjen e shëndetit për qytetarët shqiptarë. Shqipëria ka një politikë mbrojtëse mjedisore të vendosur në standardet ndërkombëtare. Jashtë çdo standardi, deri një vit më parë, ishte ajri mbytës i kryeqytetit dhe, natyrisht, ndotja në raste të caktuara e ujërave të plazhit të Durrësit. Ndotja e ajrit të kryeqytetit tejkalonte dy herë çdo standard tjetër në kontinentin evropian. Po kështu ujërat e zeza, në mënyrë të përsëritur, ndotnin jashtë çdo lloj standardi ujërat e kaltra të detit.

Durrësi me këtë impiant do të hyjë në hartën e qyteteve me ujërat më të pastra të rajon dhe në Evropë. Durrësi me këtë impiant do të rrisë në mënyrën më të ndjeshme kapacitetet e tij të mëdha turistike. Çdo shqiptar, çdo turist do ketë dëshirë t’i kalojë pushimet e tij në qytetin e pasurive përrallore kulturore shekullore, në qytetin e ujërave më të pastra, në qytetin e mikpritjes më të madhe. Por një përgjigje të merituar sot ka marrë edhe ndotja e ajrit në Tiranë. Për herë të parë pas shumë vitesh, aparaturat e vendosura nga Organizata Botërore e Shëndetit në qendër të qytetit dhe në pika të tjera faktojnë se ajri në Tiranë është në standardet e pranuara evropiane.

Atij që bërtet çdo ditë për guroret e Krujës i them nga këtu: ato vërtetë janë të shëmtuara, por ato i krijove ti me klanin e betonit tënd në Tiranë. Edhe jo vetëm ato, por dua të rikujtoj këtu furrat e tmerrshme të gëlqeres, të cilat shpërndanin mbi Krujë dhe Tiranë blozën kancerogjene në mushkëritë e çdo qytetari. Ato nuk janë më. Ne do të bëjmë gjithçka që edhe ato plagë që janë hapur nga babëzia ti mbyllim, ti shërojmë. Politika jonë ndaj mjedisit është politika më serioze, është politika në të cilën ne i besojmë parimit – mjedisi është jeta! Mbrojta e tij është e barasvlefshme me mbrojtjen e jetës.

Në Shqipëri impianti i parë i përpunimit të ujërave të zeza u inaugurua në dhjetor të vitit 2005. Sot Shqipëria ka bërë një progres shumë të madh në këtë drejtim. Së shpejti inaugurojmë po si ky impiant për Lezhën, për Vlorën, për Sarandën, për Korçën dhe kështu me radhë. Ne jemi të vendosur të shndërrojmë brigjet e deteve dhe liqejve tanë në brigjet më të pastra në Ballkan dhe në Evropë. Ky është zotimi ynë para qytetarëve shqiptarë. Ky është angazhimi ynë për mbrojtjen e shëndetit të tyre, për parandalimin e sëmundjeve për ta edhe për miliona e miliona turistë e vizitorë që vijnë çdo vit për pushime në Shqipëri. Qëndrimi ynë në çështjet e ujit në tërësi, furnizimit me ujë dhe kanalizimeve ka qenë më aktivi që është mbajtur ndonjëherë. Unë kam kënaqësi t’ju informoj se gjatë këtyre viteve janë investuar për ujësjellës-kanalizime dhe impiante të përpunimit të ujërave të zeza 55 miliardë lekë. Unë i garantoj qytetarët shqiptarë se gjatë mandatit të ri ne do të garantojmë ujë të rrjedhshëm dhe më së shumti 24 orë në çdo skaj të këtij vendi. Ne do të ndërtojmë dhe rindërtojmë kanalizimet në të gjitha komunat, qytezat dhe qytetet e vendit. Ne angazhohemi në mandatin e ri për mbrojtje të plotë jo vetëm të ujërave të deteve dhe liqejve, por edhe të ujerave të lumenjve. Angazhohemi që Shqipëria të ketë standardin më të lartë të pastërtisë së ujërave.

Sot është dita e tokës, një ditë që fton qytetarët shqiptarë dhe qytetarët e planetit të bëhen kujdestarë të mirë të tokës, në interesin më të mirë të jetës, shëndetit dhe të ardhmes së tyre. Kjo ditë fton qytetarët shqiptarë të përkujdesen çdo ditë për tokën, këtë pasuri përrallore dhe të bëjnë gjithçka që ajo të rrezatojë shëndet dhe mirësi për ta. Të bëjmë gjithçka për mbrojtjen e tokës, ta mbrojmë atë nga kanceri i saj që është erozioni, ta mbrojmë atë nga të gjitha ndotjet e tjera, ta konsiderojmë atë njëlloj si oborrin dhe si kopshtin e shtëpisë sonë. Njerëzit që e duan tokën e respektojnë atë dhe bëjnë gjithçka për ta gjelbëruar sa më shumë. Ndaj ne si qytetarë le t’i kthehemi traditës së mbjelljes së drurëve frutorë. Kjo qeveri po zbaton politikën e krijimit të pyjeve me dru frutorë. Le të gjelbërojmë ne Shqipërinë me ullinj, me mollë, më shegë, me arra, me lajthi, me  gështenja, me dru frutore. Le të gjelbërojmë ne në çdo skaj të saj dhe ta shndërrojmë Shqipërinë në kopshtin shkëmbor të Adriatikut, siç e quante Faik Konica.

Zonja dhe zotërinj,

Vëllezër e motra,

Katër vitet që vijnë janë vite vendimtare për Shqipërinë e zhvilluar dhe evropiane. Ne do të bëjmë gjithçka që votën dhe besimin tuaj ta shndërrojmë në zhvillim, ta shndërrojmë për realizmin në Shqipëri të standardeve të një vendi të zhvilluar. Ne do të bëjmë gjithçka që katër vitet që vijnë të gëzoni atributet e qytetarëve të një vendi të zhvilluar. Mandati i ardhshëm është mandati i Shqipërisë evropiane. Shqipëria evropiane ka qenë dhe mbetet vokacioni i këtij kombi, vokacion për të cilin shqiptarët kanë paguar çmimin më të shtrenjtë për t’i qëndruar besnik atij. Ecja në këtë drejtim ka qenë e pandalshme. Me përpjekje dhe reforma u realizua firmosja e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit; me përpjekje dhe reforma u realizua pranimi i kërkesës për statusin e vendit kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian; me përpjekje dhe reforma në këtë rrugë u realizua liberalizimi i vizave; me përpjekje dhe reforma në këtë rrugë Komisioni Evropian, tetorin që kaloi,  rekomandoi Shqipërinë për të marrë statusin e vendit kandidat, me kushtin që të votoheshin 3 ligjet. Ai që i bllokoi ligjet dhe bllokoi statusin, ai merr përgjigjen më të merituar dhe del në atë anë të historisë që i takon atyre që i ngrenë vendit dhe popullit të tyre mure donkishoteske përpara.

Ne do të vazhdojmë përpjekjen tonë serioze për të marrë statusin, për të hapur negociatat, për të ecur në mënyrë të pandërprerë drejt Bashkimit Evropian, drejt Shqipërisë evropiane”.


22/04/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›