Kryeministri Berisha: Profeti Muhamed, udhërrëfyesi i madh i rrugës së mirëkuptimit, tolerancës, bashkëjetesës dhe të ardhmes

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot, në programin festiv të përvitshëm “Profeti Muhamed a.s. – Krenaria e Njerëzimit”,” organizuar nën kujdesin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në bashkëpunim me Fondacionin Arsimor dhe Kulturor “SEMA”, dedikuar festës së lindjes së Profetit Muhamed.
Me vlerësimin e figurës së profetit si udhërrëfyesi i madh i rrugës së mirëkuptimit, tolerancës, paqes dhe bashkëjetesës, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë dhe nderimin e madh të përshëndeste besimtarët myslimanë në ditën e shenjtë të lindjes së Profetit Muhamed.
“Mësimet e tij janë dhe mbeten frymëzuese e të pavdekshme. Kushdo që e lexon do të gjejë se Ai dhe në ato mësime qëndron dhe themelimi i magjisë më të madhe të njeriut dhe njerëzimit, tregut të lirë, lirisë së individit.” tha për të pranishmit kryeministri, i cili shprehu kënaqësinë që ditëlindja e Profetit këtë vit nderohet me inaugurimin e fillimit të punimeve për Xhaminë e Madhe të kryeqytetit.
Duke përgëzuar Komunitetin Mysliman për mënyrën dhe persistencën me të cilin ndoqën çështjen e Xhamisë, si dhe bashkinë e Tiranës, dhe familjen Kruja për mirëkuptimin që tregoi, duke nderuar traditën, Kryeministri siguroi se qeveria do të bëjë gjithçka që vlerat hyjnore dhe shpirtërore mbi të cilat ndërtohet morali njerëzor ti respektoj me rigorozitetin më të madh, duke ruajtur sekularizmin, si parimin themelor të ndërtimit të shtetit.
Gjatë eventit, kryeministrit iu dhurua piktura e projektit të Xhamisë së Madhe të Kryeqytetit, vepër e punuar gjatë zhvillimit të koncertit nga 15 vjecari beratas Adi Totaj, fitues i çmimit ndërkombëtar në pikturë.
Gjithashtu organizatorët i dhuruan kryeministrit një kopje në kornizë të dokumentit themeltar për inaugurimin e fillimit të xhamisë së re të Tiranës, të firmosur nga Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar Haxhi Selim Muça dhe Kryeministri Berisha paraditen e sotme.
Në këtë aktivitet merrnin pjesë, Kryetari Komunitet Mysliman të Shqipërisë Haxhi Hafiz Selim Muca, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, zoti Lulzim Basha, drejtues të besimeve të tjera fetare, ministra të kabinetit, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar , si dhe shumë besimtarë nga mbarë vendi.
Në përshëndetjen e mbajtur, kryeministri Berisha u shpreh:
I nderuar Kryetar i Komuniteti Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Selim Muca,
Të nderuar udhëheqës shpirtëror të besimeve të mëdha të shqiptarëve
Zoti Kryetar i bashkisë
Zotërinj ministra, shkëlqesi ambasadorë,
Të dashur besimtarë dhe besimtarë myslimanë, të pranishëm në këtë sallë dhe kudo që jeni sot, besimtarë shqiptarë të Zotit, kudo që ndodheni,
Është një kënaqësi e madhe dhe privilegj tu përcjell në emër të qeverisë, përshëndetjet me të përzemërta këtë të ditë të madhërueshme, ditën në të cilën lindi i dërguari i Perëndisë, lindi Profeti Muhamed që me mësimet e Zotit ndriçoi mendjen, rrugën njeriut dhe njerëzimit.
Profeti me mësimet e Zotit ndikoi më shumë se kushdo tjetër së bashku me Krishtin dhe Budën në moralin njerëzor. Një botë, e cila degradonte do ti kthehej rrugës së dritës. Ai është themeluesi i madh i arsimit dhe dijes në kohërat e tij dhe më vonë. Me mësimin e Zotit se boja e shkrimit të fëmijëve tanë është më e shenjtë se gjaku i martirëve, ai çau errësirën që mbulonte planetin, që mbulonte shoqërinë dhe shenjtëroi dijen, shkollën, dritën e saj.
Mësimet e tij janë dhe mbeten frymëzuese të pavdekshme. Kushdo që e lexon do të gjejë se Ai dhe në ato mësime, qëndron dhe themelimi i magjisë më të madhe të njeriut dhe njerëzimit, tregut të lirë, lirisë së individit. Njëra nga dy porositë e Tij të fundit dhe më kryesore kishin të bënin me pronën, në të vërtetë me inisiativën e lirë të individit. “Mos e prek atë (pronën) se Zoti ia dha atë njeriut që të begatojë, të prosperojë veten , familjen dhe shoqërinë.
Profeti është Udhërrëfyesi i madh i rrugës së mirëkuptimit, i rrugës së tolerancës, i rrugës së paqes, bashkëjetesës dhe të ardhmes.
Mysliman i përsosur na mëson Ai është ai, në duart dhe gjuhën e të cilit njeriu dhe njerëzimi ndihen të sigurtë.
Por unë jam këtu për të shprehur nderimin më të madh para Kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar, Haxhi, Hafiz Selim Mucës dhe udhëheqësve të tjerë shpirtërorë të këtij kombi, të cilët në traditën tonë më të shkëlqyer ringjallën besimet fetare si gurra hyjnore të pasurimit të shpirtit tonë bazuar në tolerancën , respektin e palëkundur tek besimi i njëri tjetrit.
Unë jam i bindur se në këtë trashëgimi mesazhi më i fuqishëm qëndron virtyti më i shkëlqyer i shpirtit të madh shqiptar.
Sot, në vende të ndryshme dhe kombe të ndryshme mjerisht abuzojnë dhe përdorin besimet fetare për të nxitur njerëzit kundër njëri-tjetrit, për të justifikuar akte ndër më të shëmtuarat, por shembulli shqiptar është shembull frymëzues dhe unë jam i bindur se ky shembull do të shkëlqejë çdo ditë e më shumë në qytetërimin tonë, në mbarë Evropën dhe botën.
Është një kënaqësi shumë e madhe për mua që ne sot nderojmë ditëlindjen e Profetit pasi inauguruam fillimin e punimeve për Xhaminë e Madhe të kryeqytetit dhe duhet të përgëzoj Komunitetin Mysliman për mënyrën, persistencën me të cilën ata kanë ndjekur këtë problem. Dua të përgëzoj bashkinë e Tiranës, familjen Kruja që nderoi veten, traditën dhe bashkëqytetarët e këtij qyteti.
Ju siguroj se qeveria do të bëjë gjithçka që vlerat hyjnore dhe shpirtërore, mbi të cilat ndërtohet morali njerëzor ti respektoj me rigorozitetin më të madh, duke ruajtur sekularizmin si parim themelor të ndërtimit të shtetit. Ne qëndrojmë të vendosur që aty ku janë 4 myslimanë, të ndërtojnë po të duan një Xhami, aty ku janë 4 krishterë, le të ndërtojnë po të duan një Kishë dhe aty ku janë 4 bektashinj mysliman le të ndërtojnë po të duan një Teqe. Ato, veçse lartësojnë më shumë vlerat kulturore fetare, trashëgiminë e këtij kombi.
Edhe njëherë Gëzuar ditëlindjen e Profetit, udhëheqësit të madh të njeriut dhe njerëzimit!
20/04/2013