E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret drejtues të Partisë Liberale të Kosovës

Kryeministri Berisha vlerëson shumë pozitivisht miratimin e Marrëveshjes me Serbinë, nga Kuvendi i Kosovës dhe fillimin e procesit të Stabilizim-Asociimit të Kosovës me BE-në.

Kryeministri Sali Berisha priti sot zotin Gjergj Dedaj, kryetar i Partisë Liberale të Kosovës dhe zotin  Sali Bislimi, nënkryetar i kësaj partie, të cilët e falenderuan për ndihmën që u ka dhënë liberaldemokratëve, por edhe gjithë qytetarëve të Kosovës, në rrugën e integrimit euroatlantik të vendit.

Kryeministri Berisha i vlerësoi shumë pozitivisht si miratimin mbrëmë nga Kuvendi i Kosovës, të Marrëveshjes me Serbinë, ashtu edhe rekomandimin e sotëm nga komisioneri Fule, të fillimit të negociatave për procesin e Stabilizim-Asociimit të Kosovës me Bashkimin Europian.

Kryeministri Berisha e quajti Marrëveshjen një kompromis në të mirë të qytetarëve të Kosovës. Marrëveshja, tha Kryeministri, është një njohje nga ana e Serbisë të integritetit të Kosovës, ndërsa të dy vendet tani e kanë rrugën e hapur drejt integrimit në BE.

Duke  falenderuar për pritjen vëllazërore, Kryetari i Partisë Liberale të Kosovës Gjergj Dedaj tha se liberaldemokratët në Kosovë e shihnin me një rëndësi shumë të madhe për rrugën e integrimit të plotë të Shqipërisë e Kosovës në BE, një mandat tjetër qeverisës të së djathtës në Shqipëri.


22/04/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›