Kryeministri Berisha bashkëbisedon me të rinj sipërmarrës dhe menaxherë, si dhe studentë sapodiplomuar në fushën e biznesit

Kryeministri Berisha zhvilloi pasditen e së dielës një bashkëbisedim me të rinj sipërmarrës dhe menaxherë, të suksesshëm. Në këtë bashkëbisedim, që u zhvillua në ambientet e Qendrës Tregtare COIN, një biznes privat i menaxhuar nga një i ri, morën pjesë edhe të rinj të sapodiplomuar e të tjerë, për të cilët një punësim i mirë është përparësia më e rëndësishme.
Kryeministri Berisha shpalosi programin për punësimin dhe iu përgjigj shqetësimeve të tyre, si dhe mirëpriti çdo sugjerim e propozim që ata bënë, në funksion të zbatimit sa më efikas të këtij programi.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Erdha me shumë kënaqësi të takoj menaxherë të rinj, biznesmenë të rinj dhe të diskutojmë së bashku se si të nxisim më shumë të rinjtë , si të mbështesim më shumë të rinjtë në iniciativën e tyre të lirë.
Iniciativa e lirë është së pari çështje guximi dhe të rinjtë e kanë këtë, është çështje imagjinate dhe të rinjtë e kanë këtë, pra për definicion çdo i ri mund të jetë një biznesmen, çdo i ri mund të jetë një menaxher, rasti konkret dhe të tjerë plot.
Çfarë duhet të bëjmë ne që të rritet në të gjitha fushat pesha specifike e të rinjve në iniciativën e lirë. Ka fusha ku ata në mbarë botën kanë drejtimin në tërësi, ICT sot kibernetika janë domeni ku ata janë kryesorë, por dhe plot fusha të tjera. Edhe në Shqipëri fillesat janë shumë të mira. Një grup që unë takova në fushën e inovacionit , ata ët gjithë ishin të rinj. Po kështu në universitet ka një lëvizje të fuqishme për projekte, për konkurse dhe këto janë të dobishme shumë, por ne duhet të kemi një program të qartë të mirëpërcaktuar për të mbështetur inisuativën e lirë të të rinjve.
Ne kemi një projekt në Shqipërinë rurale, ne kemi mbështetur 42 mijë projekte, por ne duhet të mbështesim edhe Shqipërinë urbane. Edhe për Shqipërinë urbane ne kemi projekte, kështu në kuadrin e bashkëpunimit italian ne kemi adresuar për SME, dhjetëra e dhjetëra milion euro. Ky është njëri fond, i cili mund të përqendrohet më shumë tek të rinjtë. Qeveria mund të përcaktojë fonde të reja dhe do të përcaktojë fonde të reja që të mbështesë projektet e tyre. Qeveria është e vendosur për një sistem mikrokreditimi , në të cilin të parët që do të përfitojnë do të jenë të rinjtë. Një sistem mikrokreditimi do të fillojë bashkia e Tiranës dhe këto dy ditë do të lançohet.
Pra në axhendën tonë, nxitja, inkurajimi i potencialit të jashtëzakonshëm që kanë të rinjtë përbën një përparësi absolutisht nga më të mëdhatë, në mos më të madhen. Tani ne duhet të ristrukturojmë rrugët instrumentet , mekanizmat e kësaj nxitje në mënyre që të shënojmë sa më shumë histori suksesi nga biznesmenët e rinj. Unë jam këtu për të dëgjuar fjalën tuaj dhe ju siguroj sikundër në fusha ët tjera , mendimet , sugjerimet do të trupëzohen në programin tonë për 4 vitet që vijnë. Ne kemi shpallur që në 2005 e deri më sot platformën tonë të një përpjekje më të madhe për të shndërruar këtë vend në një vend tërheqës për investitorët, dhe investimet e huaja dhe në këtë drejtim është bërë shumë. Në qoftë se marrim investimet e vitive 98-2005 mesatarja e tyre ka qenë 38 milionë dollarë , pa shitjet e bankës. Mesatarja e investimeve 4 vitet e fundit është mbi 1 miliard dollarë. Kapaciteti i Shqipërisë për investime të huaja është 2 miliard dollarë. Këtu nuk janë llogaritur investimet e vendit të cilat janë shumë herë më të mëdha se sa të huajat. Në të gjithë këtë proces të rinjtë duhet të jenë promotorët kryesore dhe në fakt janë edhe më shumë. Të bëjnë gjithçka për suksesin e tyre.
Ne ia dolëm siç e dini, që ekonomia shqiptare të mos bjerë në recension, pra reformat ishin një mburojë nga kriza. Ato mbrojtën nga kriza, si psh taksa e sheshtë, etj janë faktorët më kryesorë. Mirëpo kriza do të vazhdojë, ajo është shumëplanëshe, është kriza e euros, e cila siç rezulton është themeluar mbi parime diku diku jo të drejta. Europa do ta kapërcejë këtë krizë, por do të duhet kohë, nuk është i lehtë kalimi i saj. Ne do të bëjmë gjithçka që, derisa arritëm të mos biem në recension, ti japim një shtytje të re rritjes ekonomike të Shqipërisë. Viti më i vështirë u faktua viti i vjetshëm. Ky vit shënon një kthesë, ndonëse duhet të them këtu se masat që ne morëm, duke përjashtuar nga çdo lloj takse të gjitha makineritë e importuara për prodhim, të gjitha imputet bujqësore dhe duke hequr tatimin mbi të ardhurat personale për punonjësit me rrogë deri në 30 mijë lekë, në mënyrë të pashmangshme ne krijojmë një deficit në buxhet, të cilin pas zgjedhjeve siç kemi bërë çdo vit do ta rishqyrtojmë, veçse kjo është shumë e përkohshme. Ne jemi të sigurtë se gjatë tremujorit të 4-tert do të fillojë efekti pozitiv i këtyre masave që kemi marrë ne dhe ato do të japin efekt të plotë vitin e ardhshëm. Qëllimi është që motorët e rritjes ekonomike të kapin xhirot e plota pavarësisht nga kjo krizë përreth. Edhe në këtë kontekst mendimet tuaja janë shumë të vlefshme.
Ju faleminderit, kam shumë dëshirë tu dëgjoj për çdo lloj problemi që ju e gjykoni të arsyeshëm.
Pyetje: Biznesi im është një shërbim publik këtu në Tiranë, i ngritur mbi disa standarde të nivelit të shërbimit shumë cilësor. Është një shërbim i cili respekton deri në detajet më të vogla klientët dhe konsumatorët shqiptarë. Së bashku me një grup sipërmarrësish të rinj po mundohemi të krijojmë një organizatë të biznesit rinor, të jemi një shembull i mirë tek të rinjtë. Në këtë kontekst do të doja të përmendja tre pika kryesore. Së pari, duhet të ketë një zyrë e cila ju ofron të rinjve informacione orientuese për planet e biznesit, studimin e tregut, njohjet e marketingut, këshillimet juridike, etj. Pika tjetër është fuqizimi i standardeve ndërkombëtare. Futja në standardet ndërkombëtare ISO 10001 është matja e kënaqësisë së klientit. Çdo biznes i ri duhet të matet që të ketë patjetër në mbrojtje të konsumatorëve dhe klientëve. Pika e tretë është motivimi i të rinjve për idetë inovatore. Politikat e edukimit të biznesit dhe vetëpunësimit rinor duhet të jenë prioritet i viteve të ardhshme.
Kryeministri Berisha: Unë ju falënderoj shumë dhe e gjej absolutisht të dobishme ngritjen e shoqatës së biznesmenëve të rinj. Shoqata të tilla ekzistojnë në rang evropian dhe botëror dhe funksionojnë në një sistem të shkëlqyer që synon para së gjithash një shkëmbim të gjerë informacionesh, mbështetje të ndërsjellët dhe bashkëpunim të ndërsjellë. Këto modele mendoj unë mund të zbatohen edhe në Shqipëri dhe do të ishte shumë e dobishme. Këto shoqata kanë veprimtaritë e tyre periodike, botimet e tyre, anëtarësimet e tyre, dhe në tërësi është një veprimtari shumë e dobishme për të rinjtë. Çfarëdo që të nevojitet një mbështetje nga qeveria, ajo është e gatshme tua japi këtë.
Edhe kërkesa për një zyrë informacioni është shumë drejtë dhe ne do ta shqyrtojmë me përparësi ngritjen e tyre, do ti ngremë këto pranë dhomave të tregtisë, pranë fakulteteve. Vendi më i përshtatshëm i tyre do të ishin autoritetet vendore, bashkitë , komunat, por zyra të tilla është e domosdoshme të ngrihen, sikundër sot me dixhitalizimin e informacionit eshtë e mundshëm të furnizohen me nje informacion shumë të dobishëm për të riun që do të hartojë një projekt, pra të angazhohet në biznes.
Çështja e standardeve është një çështje shumë kryesore, ajo ka të bëjë me konsumatorin , me konkurrencën dhe ka përpjekje serioze në këtë drejtim. Edhe më shumë mund të bëhet. Ne inkurajojmë kompanitë private që të bëjnë standardizimet, klasifikimet, reitingjet , por natyrisht një përpjekje shumë e madhe është e nevojshme. Përpjekja jonë më kryesore është integrimi në BE. Në këtë hapësire integrimi nënkupton standarde evropiane. Ky është thelbi i suksesit. Prandaj duke ju përgëzuar për punën që bëni, por edhe për vizonin që ke është shumë e domosdoshme të bëjmë gjithçka për të arritur ato standarde që cilësohen më të mira, që garantojnë cilësitë më të mira për konsumatorin dhe sigurinë për të.
Mendoj se përpjekje shumë më të mëdha duhen bërë për edukimin në tërësi. Disa përpjekje shumë të mira janë duke u bërë në shkolla dhe kanë filluar të futen elementët kryesorë të financave, por është absolutisht shumë e domosdoshme që nxënësit dhe qytetarët të marrin në mënyra të ndryshme njohuritë bazë për ekonominë. Do tu jap një shembull. Ne kemi vendosur një sistem në thesarin e shtetit, i cili publikon të nesërmen çdo shpenzim në Republikën e Shqipërisë që behet sot. Pra ai që do të ndjekë, të dijë , por edhe të hetojë apo të informohet se çfarë bëhet me paratë në këtë vend, Shqipëria është ndër më të paktat vende që boton gjithçka që shpenzon një ditë më parë. Çdo njeri mund të mësojë aty për çdo shpenzim që bëhet nga çdo zyrë, nga çdo ministri. Ne i jemi përshtatur këtij standardi. Është një iniciativë botërore e Presidentit Obama dhe presidentes së Brazilit Dilma Ruseff për një qeverisje të hapur. Por a keni patur reagim nga kjo masë? Pothuajse jo sepse akoma jemi të hapur.
Mbeten okult termi buxhet ose thesar. Çdo njeri vepron mbi bazën e një buxheti të përditshëm të një buxheti familjar, por nuk e ka shumë të lehtë ta imagjinojë se identik është dhe buxheti i shtetit, me të ardhura dhe shpenzime, pra kjo është filozofia e tij.
Si përfundim edukimi është jashtëzakonisht i domosdoshëm , do të ndihmojë shumë qytetarët për të patur një gjykim më të drejtë, për të patur një reagim më të drejtë ndaj politikave , do ti ndihmojë shumë për të kuptuar se politikat kudo janë të rëndësishme , por më shumë se kudo tjetër janë aty kua to janë pothuajse të padukshme, pra në ekonomi. Askund nuk ndikojnë më shumë refoma të caktuara sesa në ekonomi. Aty është fusha, arena, e verteta kjo është. Dhe shumë mirë që qytetarët të dinë mbi këto fakte. Është shumë thjeshtë tu thuash se unë do të rris taksat. Dhe në aparencë duket se këto para do të vinë tek shteti. Por cilat janë pasojat e saj. Pasojat e saj janë një pakësim i sigurtë i vendeve te punës dhe krijimit të vendeve të reja të punës. Pasojat janë një dekurajim i inistiavës tënde të lirë, inisiativës së një të huaji për të ardhur dhe për të investuar sepse ti sivend ke kompleksitetin tënd, ke pluset ke edhe minuset, ke siguritë ke edhe pasiguritë, nuk je parajsë. Pra ti do të bësh gjithçka për të afruar stimuj sa më pozitiv dhe inkurajues. Ai që vjen që vjen në Shqipëri dhe investon me taksën e sheshtë, ai vjen dhe investon , por ai e ka të qartë se Shqipëria nuk ka një sistem gjyqësor që atij i duhet. Por pse vjen ai? Vjen sepse taksa e sheshtë është një magnet, përveçse në vlera është shumë e ulët, ajo dëshmon se këta qeveritarë, kjo qeveri ka një vullnet të qartë në këtë taksë për të nxitur dhe favorizuar biznesin.
Pyetje: Jam menaxher dhe pedagog. Si menaxher i një firme prodhimi më lejoni tu falënderoj për sa keni bërë deri më sot. Problemi që ne kemi sot është lancimi i një burse për Shqipërinë. Shohim investitorët e huaj që duan të vijnë dhe të investojnë në kompanitë tona dhe nuk dimë se cfarë çmimi duhet tu vemë. Kam kënaqësinë tu lancoj këtu sot se jemi një grup studentesh që kemi mbaruar në Londër dhe po përpiqemi të hapim një bursë private. Jemi në tentativa me bursën e Londrës dhe pedagogët atje. Ne mendojmë se është më se e nevojshme që të kemi një bursë në Tiranë.
Përsa i përket aspektit të pedagogut, duke qënë se investimi në dije është një aset shoh një problem tek librat që përdorin sot studentët. Është bërë një përkthim mjaft i keq i librave që përdorin studentët sot saqë krijon shumë probleme tek pedagogët që kanë mbaruar jashtë për shpjegimin e termave. Duhet parë ky problem në një këndvështrim afatgjatë dhe jo afatshkurtër.
Kryeministri Berisha: Lidhur me bursën është një çështje shumë e drejtë kjo që ngrini. Megjithë përpjekjet e bëra nuk mund të them se kemi një histori suksesi. Bursa drejtohet nga një zonjë, zonja Fureraj mjaft e apasionuar pas saj dhe këto kohë më ka kërkuar një takim që të më informojë për përpjekjet e saj më të reja. Shumë mirë që paska dijeni edhe për përpjekjen tuaj për sa i përket hapjes së bursës. Unë të garantoj që ne do ta mbështesim tërësisht. Bursa këtu kanë një histori më të veçantë. Për fat të keq, për arsye komplekse nuk i favorizuan institucionet ndërkombëtare. Qenë më së shumti për bursa rajonale. Arsyet kanë qenë të shumta por unë personalisht jam shumë i bindur në domosdoshmërinë e saj . Bursa është një institucion transparente. Askush nuk ka pse të druhet nga bursa. Ka një hezitim nga bizneset. Janë bërë përpjekje dhe ftesa për tu afishuar në bursat e tjera, por këto përpjekje nuk janë kurorëzuar me sukses dhe unë jam i bindur se biznesi ka interesin më të mirë, afishimin në bursë. Afishimi në bursë është dëshmi e seriozitetit të plotë dhe vullnetit për të bërë transparencën asaj që ti ke, ecurisë së saj. Ndaj dhe unë ju siguroj ju se do tu mbështes plotësisht. Do i kërkoj ministrisë së financave tu mbështesë plotësisht. Do të dëgjoj edhe zonjën Fureraj e cila është marrë shumë me përpjekjen e saj për ta gjallëruar bursën.
Lidhur me tekstet. Dy gjëra janë. Një sëmundje e rëndë pllakosi universitetet kur unë isha pedagog, sepse për arsye politike u ndaluan tekstet e huaja dhe u kërkua me emergjencën më të madhe ti shkruanim ne tekstet. Dua tu tregoj një histori të cilën e kam treguar edhe më parë në mbledhjen e qeverisë. Kisha një mik të ngushtë gjeodez, shef katedre dhe ky më thotë një ditë - Sali, problemi është ky: vendos 10 tekste përpara dhe kur shkoj në fund të ditës të shoh faqen e shkruar , më del më e dobët se secili prej atyre 10 teksteve. Kështu që unë kam shumë respekt për akademikët tanë, për punën e tyre, por thirrja ime është, të përkthejmë tekstet më të mira të botës. Kjo është rruga sepse tekstet më të mira janë produkt, sintezë e një eksperience individuale dhe kolektive të jashtëzakonshme, janë produkt i qendrave kërkimore studimore të fuqishme dhe të mëdha dhe rruga e qartë e plotësimit të nevojës për tekste për studentët tanë dhe për kualifikantët është përkthimi i teksteve ose për ta që nuk kanë nevojë për përkthim, përshtatja, mësimi në tekstet e mëdha. Përsa i përket cilësisë së përkthimit, ajo është e dyanshme, dua të jem i hapur për këtë. Ju që studioni jashtë keni shumë avantazhe, por keni një detyrë, të përqendroheni tek gjuha shqipe dhe tek leximi. Dua tu jap një shembull. Në vitet të përafërta me këto që jeni ju tani, dy të rinj që sapo ishin kthyer nga një vend e kishin bërë aty studimet për gjuhën dhe letërsinë e atij vendi, po bënin një garë përkthimi me një të ri që nuk kishte qënë asnjë ditë në atë vend. Dhe ata e humbën garën dhe jo se ata nuk e dinin frëngjishten se ata ishin të përsosur, por ata nuk dinin mirë shqipen. Ky ishte problemi i tyre. Prandaj duhet të punohet me termat dhe është e domosdoshme , por në tërësi çështja e teksteve është kjo.
Pyetje: jam në një kompani deposh farmaceutike. Përsa i përket cështjes së farmaceutikës shoh dy probleme, problemi i kreditimit, tek bankat e nivelit të dytë. Ato po na marrin kolateralin , por na e zhvlerësojnë 20 % dhe po e rivlerësojne me 70 % që i bie gjithë vlera që të marrësh është 50 %. Pra është një ulje shumë e madhe e saj. E dyta, shumë mirë që u fut tvsh për barnat sepse të gjithë e kanë dhe ka ndihmuar në një farë mënyre. Mënyra e marrjes së tvsh nga shteti, në doganë, a nuk ëhstë më mirë të gjehet një mundësi që të merrej kjo tvsh pas shitjeve, për arsye se shumë herë edhe nën efektin e shumë gjërave, si psh të skadimit të ilaçeve , ne po na humbin , nuk i rimbursojmë dot.
Kryeministri Berisha: Lidhur me sistemin e kreditimit, është e vërtetë që sot ekziston një vështirësi kreditimi reale. Banka qendrore ka bërë përpjekje shumë serioze me normat e interesit në mënyrë që të inkurajojë kreditimin, por problemi qëndron tek euro. I gjithë problemi është i lidhur në radhë të parë me vështirësitë e euros. Këto vështirësi kanë bërë që bankat e bazuara në euro të vendosura jashtë hapësirës së BE të konsiderohen me 100 % rrisk, depozita, ndonëse se këtu në Shqipëri janë më likide, më funksionale, më të sigurta se në një pjesë të mirë vendeve anëtare të euros . Ky rregull ka detyruar bankat që ato jo vetëm të ulin kredinë, por edhe të akumulojnë kapitale. Kjo ka detyruar bankat që ato të mos japin kredi më shumë se 50 % të depozitave që mbajnë. Rregulli i artë ju e dinë është 86 %. Kjo ka bërë gjithashtu se duke u ulur kreditimi pesha e kredive të parikthyeshme në përqindje rritet. Fatmirësisht bankat janë në shëndet të plotë nga pikëpamja e depozitave dhe funksionimit,. Por ky rregull është një rregulli i imponuar. Ka një diskutim dhe po shqyrtohen rrugët që tu japin mundësi atyre që të çlirohen nga kreditë e pashpresa në mekanizmin e njohur bankar. PO kjo prapë ka një vështirësi. Vështirësia është tek detyrimi tatimor. Shpresoj që një zgjedhje të gjendet. E thjeshtë nuk është sepse rregullat janë rregulla. Leksioni i madh i kësaj situate është diversifikimi i sistemit bankar. Ne duhet të bëjmë përpjekje të mëdha që bankat në shqipërim të jenë të bazuar në euro, të jenë të bazuara në paund, të jenë të bazuara në franga zvicerane, të jenë të bazuara dollarë. Ai moment që ishte para kësaj krize një sukses i madh, në këtë krizë ka disavantazhet e veta. Po shqyrtohet mundësia e nje banke zhvillimi, por një bankë zhvillimi në një vend që shpall si moto ndërhyrjen më minimale të mundshme në ekonomi, financa, etj, nuk është se nuk është e diskutueshme. Megjithatë ne i qëndrojmë diskutimit të këtij problemi. E ndjekim me shumë vëmendje. Kreditimi vjet është rritur me vetëm 11 %. Këtë vit shpresojmë të rritet diçka më shumë, por e vërteta është që kjo normë e vendosur thjesht për gjeografi, nuk është se standardet e Fitch e Moody’s, nuk kanë ndikimin e vet por kjo është gjeografike. Je jashtë hapësirës së BE.
Lidhur me Tvsh unë do ta diskutoj këtë me autoritetet përkatëse. Edhe të tjerë kanë paraqitur këtë shqetësim. Ne jemi të gatshëm që të vendosim standardin më të mirë që ekziston.
Përshëndetje zoti Kryeministër. Kam hapur biznes në Tiranë në vitin 2005. Kemi pasur një trysni nga bashkia e Tiranës në 2-3 vite pas hapjes së tij dhe falë një VKM tuajën, bëri që bashkia e Tiranës të mos vazhdonte më rritjen e taksave dhe unë e shumë të tjerë ne provuam se ç’është taksa progresive. Para një jave kam zgjeruar aktivitetin me tre punonjës, falë vendimit të qeverisë me heqjen e tatimit për pagat nën 30 mijë lekë. Çfarë do bëni në katër vitet e ardhshme, për ne si biznese të reja e të rinj, për më shumë vende pune e aktivitet sa më të gjerë?
Kryeministri Berisha: Së pari, biznesi i vogël në çdo vend, edhe në vendet më të zhvilluara, është përgjegjës për 80 deri në 95 përqind të punësimit në atë vend. Ne kemi vendosur me aktin e parë, në javën e parë të ardhjes sonë në pushtet, përgjysmimin e tatimit mbi biznesin e vogël nga 3 në 1.5 përqind dhe bëmë shumë mirë. Përveç kontributeve që edhe ato pësuan ulje. Është e vërtetë që, duke shfrytëzuar ligjin që në emër të autonomisë vendore i jep bashkive e komunave të drejtën të lëvizin me 30 përqind, në bashkinë e Tiranë u lëviz me 120 përqind. Nga 47 mijë lekë që sot paguan një biznes për këtë tatim, në atë periudhë arriti në 160 mijë lekë. Përveç kësaj u nxorën edhe taksa absurde si taksa e tabelës, domethënë e emrit që një biznesmen do të vinte në derën e biznesit të tij që ishte gjer në 100 mijë lekë. Këto taksa me radhë bënë që, për hir të së vërtetës, Tirana të mos shfrytëzojë potencialet e saj të mëdha.
Edhe sot që zoti Rama thotë se do të heqë çdo taksë mbi biznesin e vogël, mashtron. Bashkitë ku qeverisin ata, në Durrës, Vlorë, Fier janë bashkitë me taksat më të larta mbi biznesin e vogël. Në qoftë se vërtetë zoti Rama është serioz në premtimin e tij dhe jo mashtrues, atëherë t’i thërrasë nesër Baftjarin, Vangjushin, Shpëtimin e si burra të dalin e t’i thonë biznesit të vogël që i hoqëm taksat. Unë do t’i përshëndes. Po përse nuk bëhet kjo? Sistemi fiskal i çdo vendi ka meritën më të madhe në shpërndarjen e jo në përqendrimin, në bazën e gjerë e jo në bazën e ngushtë. Qytetarët paguajnë taksën që kanë, bizneset e vogla taksën në proporcionin e tyre dhe të mëdhatë po ashtu. Matematika primitive e tij, që proporcionin e merr për të barabartë, është absurde. Ndaj, duke i qëndruar plotësisht politikës së taksave të ulëta, ne jemi të vendosur në këtë politikë. Përkundrazi, ne mendojmë se ku të ndërhyjmë sërish. Natyrisht, ne nuk ngushtojmë bazën, pasi kjo do të ishte një dëm i pariparueshëm për ekonominë e zhvillimin e vendit.
Ne hoqëm TVSH-në për makineritë dhe të paktë janë ata që e dinë se përfituesit më kryesorë janë bizneset e vogla, të cilët edhe me një makineri hapin një biznes. Janë ata që do përfitojnë më shumë nga kjo. Ne do heqim këto ditë, çdo detyrim për të rinjtë e punësuar, për tre vitet e para, përfshirë edhe trajnimin e tyre në qendra të caktuara. Në takimi që pata me biznesmenët e huaj, një prej tyre më pyeti nëse është e mundur që në rast se punësojmë të rinj apo studentë, të mos na kërkohet tjetër, veç sigurimeve shoqërore. I thashë se edhe ato do t’i paguajë qeveria. Përse vendosëm për tre vjet? Sepse mendojmë se janë të mjaftueshëm për të arritur suksesin. Gjatë tre viteve ju keni mundësi ta administroni e konsolidoni një sukses.
Së dyti, ne kemi një sistem mikrokrediti për biznesin e mesëm e të vogël, por ne do të bëjmë gjithçka për ta zgjeruar këtë sistem dhe ta bëjmë disponibël për to. E theksoj në çdo rrethanë, çdo reformë e jonë ka si synim nxitjen dhe zgjerimin e hapësirave të lirisë për biznesin.
Zoti Kryeministër në radhë të parë ju falenderoj për ftesën, për këtë tryezë. Përfaqësoj një kompani italiane. Kemi ardhur në Shqipëri në shtator të vitit 2012 dhe sot punësojmë rreth 200 dhe shumica janë të rinj. Nuk kam shumë sugjerime, sepse jemi shumë të kënaqur si po shkojnë gjërat. Mendoj se ajo që duhet bërë është të ruajmë atë që kemi bërë deri më sot. Dëgjoj me shumë kënaqësi mundësinë për të kopjuar kontratën që është në Itali për të rinjtë, pra, mundësinë për biznesin që t’i akreditohen kontributet. Kjo do të ishte një gjë shumë e mirë, veçanërisht për kompani si e jona që punësojnë shumë të rinj.
Kryeministri Berisha: Absolutisht kjo do të vendoset dhe shumë shpjet. Sikundër nuk do të lëmë përpjekje pa bërë që të inkurajojmë sa më shumë tërheqjen e investitorëve të huaj. Shqipëria ka avantazhe të padiskutueshme, ka një krah pune shumë të leverdishëm. Ne do të thellojmë më tej reformat, por të them të vërtetën, çështja e krahut të punës është faktuar në këtë krizë europiane, një faktor i një rëndësie kapitale. Në kuptimin që një krah pune fleksibël, i përshtatshëm, jo i ngurtësuar, bën të mundur që për një përqindje rritjeje të caktuar ekonomike, - zakonisht janë të proporcionuara, madje pak më e ulët rritja e punësimit sesa rritja ekonomike, - të kesh një rritjeje 2-3 herë më të madhe. Të them të vërtetën, kur lexova raportin tremujor, të fundit, të Komisionit Europian që monitoron në mënyrë konstante, ekonominë e të gjithë hapësirës europiane, u kënaqa shumë kur pashë se për rritje 1.7 përqind, ne kishim në tërësi një rritje punësimi 0.8 përqind, por në qytet kjo shkonte në 6.8 përqind. Kjo ishte shumë pozitive.
Nuk ka diskutim që ne do të bëjmë gjithçka për të nxitur rritjen dhe që kjo rritje të ketë fuqi më të madhe punësimi. Çfarë u faktua në këtë krizë? Tre vjet më parë, pati një moment kur Gjermani ra në minus 0.3 përqind, SHBA në minus 1.5 përqind, ndërsa papunësia në Gjermani lëvizi me 0.7 përqind, në SHBA me 4.5 përqind dhe të mos harrojmë se SHBA ka udhëhequr me fleksibilitetin e tregut të punës. Por reforma e Hartz-it, reformat e ndërmarra nga kancelari Shreder në fillim të vitit 200 janë provuar shumë të suksesshme në këtë periudhë dhe në thelb, ato kanë minipunën. Ajo lejon sipërmarrësin të paguajnë edhe më pak se një euro në orë, i jep mundësi sipërmarrësit të ketë këtë kontratë, ndërkohë që punëtorit i paguan sigurimet shoqërore vetë.
Në raport me tregun e punës, ne jemi mirë, për shkak të disa faktorëve, por edhe shumë më mirë do ta bëjmë. Për këtë duhet punuar me seriozitetin më të madh. Ne bëmë portalin e punësimit, i-punësimin. Është një mundësi e jashtëzakonshme për një të papunë të shkojë të aplikojë aty, por edhe ta kontrollojë. Në portal gjenden të afishuara vendet vakante në të gjithë Shqipërinë, nga Gjirokastra në Tropojë. Uroj të shfrytëzohet sa më shumë.
Përshëndetje. Unë kam një kompani me mbi 50 punonjës dhe të një moshe 25 vjeç. Unë jam njësoj në taksa si edhe një person që është 50 vjeç e ka një biznes dhe realisht risku është po aq i madh, eksperienca është shumë e vogël. Mund të ketë ndoshta një paketë të veçantë për të rinj që janë në moshë të re që bëjnë një biznes, me lehtësime e detyrime me risk më të vogël, sesa një biznes me eksperiencë shumëvjeçare?
Kryeministri Berisha: Ne do ta shqyrtojmë. E vetmja gjë që ne gjykuam është të ndërhyjmë tek punësimi i të rinjve, tre vjet pa asnjë detyrim. Mund të ketë mënyra të tjera, por edhe kjo është një nga këto mënyra që të ndihmohen bizneset e reja. Bizneset e reja në këtë rast orientohen drejt të rinjve dhe kanë këtë avantazh.
[ndërhyrje e sipërmarrësit] Kjo do të jetë një shtytje e madhe për të rinjtë, nëse ata do të ndjehen të privilegjuar nga qeveria.
Kryeministri Berisha: Pa diskutim, ne synojmë këtë. Mund të shqyrtojmë masa të tjera, pasi ne i qëndrojmë lehtësimit dhe jo rëndimit. Kjo është motoja jonë.
Jam studentë në shkenca politike. Ajo çka unë shoh si problem është kualifikimi nisur në dy aspekte. Së pari, tekstet. Shoh që për tekstet nuk janë marrë personat e duhur me përkthimin e profesionalizimin e tyre. Së dyti, u fol shumë për mundësitë për të rinjtë, por në momentin që ne drejtohemi drejt një zyre, gjëja e parë që na kërkohet është se cila është eksperienca e punës. Do të sugjeroja një zyrë këshillimi apo trajnimi pranë çdo fakulteti, në mënyrë që çdo student të kualifikohet sipas degës së tij.
Kryeministri Berisha: Është e vërtetë që përcaktohen një seri kriteresh. Në këtë rast, zgjidhja është garancia që jep qeveria për trajtimin tuaj. Në rast se sipërmarrësi dëshiron të punësojë një të ri, por ai nuk ka kualifikimin e duhur, qeveria do të marrë përsipër kualifikimin tij për aq sa është e nevojshme, 3 muaj, 6 muaj apo një vit, sipas nevojave. Në Durrës është një model i shkëlqyer, Fakulteti FASTIP me partneritet publik-privat, me një seri bankash e sipërmarrjesh të tjera në fushën e turizmit. Sidoqoftë, një gjë është e sigurt që kualifikimi do të merret përsipër nga qeveria. Trajtimi e kualifikimi i të rinjve është kushti më themelor i integrimit të tyre në treg. Rëndësi të madhe ka që shkolla të jetë gjithnjë sa më poliedrike. Me këtë dua të them se gjithnjë të ketë një mundësi të parë, të dytë. Por, edhe nëse fakulteti nuk jua jep, do të bëhet gjithçka për t’jua krijuar në një moment të dytë, përmes kualifikimit e trajnimit. Duhet të pranojmë një lloj fluiditeti. Për shembull, një i ri mbaron një degë inxhinierie, por njohuri bazë, atij mund t’i shërbejnë edhe për diçka të ngjashme, në fushën që ka studiuar. Por i riu mund të dëshirojë vetë që të shkëputet, pasi ndjen se i është konsumuar pasioni për atë degë dhe ka besim se në një fushë tjetër mund të japë më shumë. Çfarë mësoi Stive Jobs, nga muret e kolegjet? Grafitin. Por bota i detyron atij, një revolucion të tërë në alfabetin e informatikës. Ai nuk e ndoqi shkollën, por grafitin, vizatimet në muret e shkollës e impresionuan. Njeriu duhet të ketë të drejtë të ndjekë atë që beson se mund ta bëjë më mirë.
Zoti kryeministër edhe një herë ju falenderojmë për prezencën dhe kohën që na kushtuar.
Edhe unë të përgëzoj për menaxhimin e shkëlqyer që i bën qendrës COIN dhe keni justifikuar plotësisht besimin e investitorëve. Ju përgëzoj të gjithëve për praninë tuaj sot, këtu dhe guximin që tregoni. Ju garantoj se do të bëjmë gjithçka për inkurajimin e iniciativës së lirë tek të rinjtë shqiptarë, e cila duhet të qëndrojë në themelin e zhvillimit dhe begatimit të këtij vendi.
21/04/2013