Në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, Kryeministri Berisha mbjell pemë dafine në Tiranë

Sot në Ditën e Tokës, Kryeministri Berisha mbolli në mënyrë simbolike pemë dafine në hapësirën publike në bllokun e banimit 61/1, në njësinë bashkiake nr.4 në Tiranë. Kjo hapësirë i është nënshtruar së fundi rikualifikimit urban, nga bashkia e Tiranës dhe tashmë ka pamjen e një kompleksi që përfshin gjelbërimin me dafina dhe bli, fushë sporti, kënde lojërash për fëmijë.
Kryeministri Berisha theksoi në një prononcim për mediat, se kujdesi për tokën është kujdesi i njeriut për veten, për shëndetin e tij, të fëmijëve të tij dhe shoqërisë, ndërsa vlerësoi punën e deritanishme të bashkisë së Tiranës për përmirësimin e mjedisit dhe të ajrit në kryeqytet. Një nga arritjet më të mëdha të këtyre viteve, tha Kryeministri, ka qenë rënie e ndotjes së ajrit në sheshin “Skënderbe” dhe në zona të tjera të kryeqytetit.
“Me mbjelljen e vazhdueshme të pemëve dhe unë di që bashkia ka një projekt të shkëlqyer për rivitalizimin e Tiranës, rigjelbërimin e saj, një projekt që po ecën me shpejtësi në këtë drejtim, ka një projekt të ndërtimit të terreneve sportive, Tirana do të bëhet shumë më e shëndetshme, shumë më njerëzore, se qyteti që dorëzoi njeriu që firmosi sot epitafin e rilindjes së tij.”
Kryeministri Berisha vizitoi kompleksin dhe u takua me banorë dhe të rinj në fushën sportive, të cilët u shprehën të kënaqur që tashmë kishin një mjedis të tyre, për t'u marrë me aktivitet sportiv. Në mbyllje të aktivitetit, bashkia e Tiranës i dhuroi Kryeministrit një bonsai, pemën simbol të përjetësisë.
Në prononcimin e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Kujdesi për tokën është kujdesi i njeriut për veten, për shëndetin e tij, të fëmijëve të tij dhe shoqërisë, është kujdesi i njeriut për një cilësi jete që ai meriton. Ndaj kjo është ditë, në të cilën qytetarët e planetit bëjnë gjithçka, për të përmirësuar mjedisin e tyre, për ta bërë tokën e tyre më njerëzore, më të afërt, më të dobishme për ta e familjet e tyre.
Ne mbollëm sot, këtu, pemë dhe kjo ndodhi në ditën që u firmos epitafi i rilindjes. Ne mbjellim pemë, ata firmosin në Shkodër, epitafin e rilindjes. Ironia e fatit, ata që e themeluan partisë, ia rithemeluan përsëri. Ne do të vazhdojmë kujdesin për qytetarët, do të vazhdojmë kujdesin për mjedisin, do të vazhdojmë kujdesin për shëndetin e qytetarëve, do të vazhdojmë kujdesin për jetën e tyre.
Në një hark të shkurtër, bashkia e Tiranës me komunitetin kanë bërë këtu, një ndërtim të mrekullueshëm, kanë krijuar një terren sportiv. Ky nuk është një pallat në pajë, por është një terren, në të cilin do të stërviten dhe luajnë të gjithë banorët e këtij blloku. Unë e përgëzoj minibashkinë dhe bashkinë dhe uroj që terrene të tilla, investime të tilla të bëhen sa më shumë. Mos harroni se në Tiranë kanë ekzistuar 100 terrene sportive dhe janë katandisur në 6. Kryetari i bashkinë është angazhuar me planin e ri, t’i rikthejë ato një pas një. Sikundër po ndërmerret një plan i rigjallërimit të Tiranës. Plan, i cili synon në rikthimin sipërfaqeve të gjelbra, të cila u reduktuan nga 4 m2 për banor, në 0.8 m2 për banor. Ata që kanë vullnet për të rikthyer mjedisin që meritojnë qytetarët, e realizojnë atë.
Unë u them qytetarëve të Tiranës se një nga arritjet më të mëdha të këtyre viteve ka qenë rënie e ndotjes së ajrit në sheshin “Skënderbe” dhe në zona të tjera të kryeqytetit. Ndotja ka pasur një rrezikshmëri jashtëzakonisht të lartë për qytetarët e këtij qyteti. U desh një kohë e shkurtër që bashkia të bënte ndërhyrjet e goditura në trafikun e Tiranës dhe ndotja të zbresë nivelet e grimcave dhe gazrave të rrezikshme, në një kohë që është po ai park automjetesh, por janë zgjidhur problemet që mbanin peng trafikun e Tiranës. Tani në sheshin “Skënderbe” merr të njëjtin ajër që merr në kryeqytetet e Europës. Por Tirana ka mundësi ta përmirësojë edhe më shumë, ajrin. Me mbjelljen e vazhdueshme të pemëve dhe unë di që bashkia ka një projekt të shkëlqyer për rivitalizimin e Tiranës, rigjelbërimin e saj, ka një projekt që po ecën me shpejtësi në këtë drejtim, ka një projekt të ndërtimit të terreneve sportive, Tirana do të bëhet shumë më e shëndetshme, shumë më njerëzore, se qyteti që dorëzoi njeriu që firmosi sot epitafin e rilindjes së tij.”
22/04/2013