Bashkëjetesa fetare, Topi: Mesdheu të marrë nga modeli shqiptar
Presidenti Bamir Topi u sugjeron vendeve mesdhetare modelin shqiptar si një vlerë për t’u marrë në konsideratë në përgjigjen e shumë pyetjeve lidhur me dialogun ndërfetar. Ai vuri dje në dukje krenarinë mbarëshqiptare për harmoninë e shkëlqyer që ekziston ndërmjet bashkësive fetare në vendin tonë. Z. Topi ishte i ftuar në seminarin ndërkombëtar “Sfida dhe zgjidhje për bashkëjetesën fetare në rajonin e Mesdheut”. Këtë veprimtari e nderuan me pjesëmarrjen e tyre gjithashtu zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, kryetari i Partisë Socialiste dhe njëkohësisht kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, krerët e bashkësive fetare në vendin tonë, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, si dhe ekspertë - teologë nga vende evropiane, po ashtu dhe nga vende të bregut tjetër të Mesdheut. Gjatë fjalës së tij, z. Topi vlerësoi aktivitetin si “një kontribut të mirëpritur në favor të dialogut ndërfetar dhe si mjeti i vetëm, më demokratiku dhe më i suksesshmi për qasje të tilla”. Kryetari i shtetit u ndal në disa prej momenteve më të spikatura të historisë në rajonin e Mesdheut dhe në këtë kontekst vuri në dukje se në këtë rajon sot “dominojnë jo vetëm individët e iluminuar, por edhe shoqëritë, edhe shtetet që janë të interesuara që vendin e antagonizmit ta zërë bashkëpunimi dhe pranimi i njëri-tjetrit”. Topi nënvizoi gjithashtu: “Natyrisht, ky është një proces që për arsye të ndryshme do të ketë mbështetës dhe kundërshtarë, të cilët ballafaqohen nëpërmjet artikulimit politik”. Pas një trajtese të detajuar të dialektikës historike dhe asaj aktuale në rajonin e Mesdheut, Presidenti Topi u shpreh: “Mesdheu është një njësi e përbashkët, ku jetojnë shumë kultura dhe këto kultura kanë ndërvepruar në shekuj. Kemi shumë gjëra të përbashkëta dhe nga e kaluara duhet të shpëtojmë momentet dhe takimet më pozitive, të restaurojmë jo vetëm tempujt dhe ujësjellësit, mozaikët dhe rrugët e vjetra, por edhe miqësinë, e cila gjithmonë ka ekzistuar ndërmjet njerëzve vullnetmirë”. Në këtë kontekst, Presidenti Topi theksoi: “Nga përvoja e vendit tim unë jam i bindur se qytetarët e Mesdheut duhet të hyjnë në skenën publike të vendeve të tyre, në radhë të parë si qytetarë, duke e konsideruar si tërësisht individuale çështjen e besimit, pra me identitetin e tyre demokratik dhe jo me identitetin e tyre fetar”. “Të shohin nga Shqipëria të gjithë ata që pesha e së kaluarës i bën që të jenë refraktarë ndaj harmonisë, dialogut dhe bashkëpunimit ndërfetar si dhe ato vende, ku nga lëvizjet migratore, krijohen realitete dhe prezenca të ndryshme nga ato të vendit. Studimi i arealit fetar shqiptar është një shans dhe zgjidhje njëkohësisht për bashkekzistencën fetare”, - theksoi Presidenti Topi dhe duke përfunduar u shpreh: “Për këtë duhen mbështetur pa kushte punëtorët e dialogut, këta qytetarë të progresit”.
Dialogu ndërfetar, Meta: Shqipëria, e para në Evropën Lindore
Shqipëria është e angazhuar në OKB për ta kthyer Aleancën e Qytetërimeve në një mekanizëm efektiv bashkëjetesën dhe mirëkuptimin e ndërsjellë mes popujve. Kjo, për faktin se sipas ministrit tonë të Jashtëm, Ilir Meta, Tirana është në krye të dialogut ndërfetar mes vendeve të Evropës Juglindore. Kryediplomati Meta vuri në dukje se përparësi është mobilizimi i qeverive të rajonit, drejtuesve fetarë dhe shoqërisë civile. Ai ishte i pranishëm dje në seminarin e bashkëjetesës ndërfetare, ku theksoi modelin e bashkëjetesës fetare në Shqipëri si një shembull për gjithë rajonin dhe si një kontribut për stabilitetin e tij. “Ne shqiptarët jemi krenarë për traditën shekullore të harmonisë dhe mirëkuptimit të plotë ndërmjet tri feve kryesore të vendit tonë. Kjo godinë shpirtërore e ekuilibrit tonë kombëtar nuk është njollosur asnjëherë. Kjo është një dëshmi tjetër e faktit se një bashkëjetesë e denjë mund të vazhdojë vetëm mbi bazën e respektit për diversitetin”, - deklaroi z. Meta. “Për shumicën e shqiptarëve, - shtoi ai, - Aleanca e Qytetërimeve tashmë përbën një realitet të prekshëm”. Sipas tij, parimet e kësaj nisme janë një pjesë e natyrshme e trashëgimisë së traditave shqiptare, të cilat mbështeten në një bashkëjetesë afatgjatë dhe të vyer ndërmjet feve kryesore ekzistuese, përgjatë historisë së lashtë dhe moderne. “Vokacioni multikulturor i kombit tonë është një thesar të cilin çdo shqiptar e shfaq si kulturë, si mënyrë jetese, pavarësisht nga vendndodhja e tij. Ne kemi dëshirën e natyrshme që ta ndajmë këtë dimension të shkëlqyer të botës shqiptare me kombe të tjera në rajon dhe me gjerë. Kjo është arsyeja përse Shqipëria luajti një rol të madh në konceptimin dhe hartimin e Strategjisë Rajonale për Aleancën e Qytetërimeve, e cila do të miratohet në takimin e ardhshëm ministerial të Sarajevës, që do të mbahet në mes të muajit dhjetor 2009”, - u shpreh ministri i Jashtëm Ilir Meta. Z. Meta vuri në dukje se dialogu ndërkulturor dhe ndërfetar përbën një sfidë, struktura e të cilit ndryshon në vartësi të vendit dhe kontekstit. Në gjykimin e ministrit të Jashtëm fetë e ndryshme kryesore mund të marrin një rol strategjik në botën e sotme, duke nxitur aktorët shtetërorë dhe joshtetërorë, duke i ndihmuar ata në zgjidhjen e konflikteve dhe çuarjen përpara të dialogut ndërfetar.