E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama paralajmëron deputetët “rebelë”: Do përjashtoheni po hytë në Kuvend



Vjen kërcënimi i parë në adresë të 5 deputetëve që përfaqësojnë Lëvizjen për Mendim Ndryshe në PS, të cilët pritet të thyejnë bojkotin e të hyjnë në Kuvend. Ka qenë vetë kryetari i partisë Edi Rama, i cili i ka paralajmëruar ata se nëse do të ndërmarrin një hap të tillë do të vijë dhe ndëshkimi, që në rastin konkret është përjashtim nga partia. Duke folur në një intervistë për TV News24 Rama i ka cilësuar çështje të dorës së dytë problemet që ngrenë deputetët kundërshtarë të tij dhe ka shtuar se PS ka rregulla të qarta. “Flasim për çështje që janë vërtet të rëndësishme për të gjithë shqiptarët. Për sa i përket emërtimeve që ju vendosen për lehtësi komunikimi nga mediat të disa individëve nuk janë çështje të një rëndësie të dorës së parë. Natyrisht që unë dhe PS jemi në vëmendjen maksimale të dëgjojmë këdo, kudo ku ai zë ngrihet. Kjo nuk do të thotë se në rastin konkret kemi grupe, lëvizje etj. Në PS rregullat janë të qarta dhe vendimi i bojkotit është i marrë nga gjithë grupi parlamentar dhe është e qartë se çfarë nënkupton ky vendim për të gjithë grupin parlamentar socialist”, ka thënë Rama. Ai ka theksuar se “rregullat janë të përcaktuara në statut” duke nënkuptuar atë pikë të statutit që flet për përjashtimin e tyre nga partia në rast se thyejnë një vendim politik. Pak ditë më parë një tjetër drejtues i partisë, Gramoz Ruçi tha se s’do ketë gjueti shtrigash, ndërsa një nga drejtuesit e lëvizjes, anëtari i kryesisë, Ben Blushi duke parashikuar ndëshkimin tha se “do të jetë një ditë e keqe për PS-në”. Duke folur për kohëzgjatjen e bojkotit Rama ka lënë pak hapësirë për kompromis duke thënë se “të drejtat tona janë të panegociueshme. Më tej ai ka paralajmëruar një bojkot të mundshëm dhe të zgjedhjeve të ardhshme lokale duke u shprehur se “jo nuk do të hyjmë në zgjedhje, por nuk do të ketë zgjedhje në Shqipëri nëse nuk zbardhen këto zgjedhje”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›