E Diel, 1 Nëntor 2026

Nxënësit e 9 shkollave, në një simulim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Autori i Lajmit: S.B.Nxënësit nga 9 shkollat e mesme të Shqipërisë, të trajnuar nga mësues të zgjedhur, në bashkëpunim me vullnetarë të Korpusit të Paqes, morën pjesë në një simulim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku diskutuan çështje ndërkombëtare. Modelet e Kombeve të Bashkuara janë konferenca që mbahen në të gjithë botën dhe kanë për qëllim ndërgjegjësimin e të rinjve mbi çështjet dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Modeli i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri është një projekt i përbashkët mes MASH, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, Korpusit të Paqes dhe Kombeve të Bashkuara në Shqipëri. Çelja këtë vit e kësaj konference dyditore me pjesëmarrjen e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo, përfaqësuesit e Ambasadës amerikane, UNDP dhe Korpusit të Paqes, synon të nxisë lidershipin, zgjidhjen e konflikteve, aftësitë kërkimore dhe debatuese tek të rinjtë. “Modeli UN, i Kombeve të Bashkuara, në të cilin janë përfshirë një numër i madh nxënësish në Shqipëri, është përgjigja e duhur për të dhënë perspektivën e duhur për studentët tanë, për t u dhënë dimensionin ndërkombëtar gjimnazistëve, të atyre që pas pesë apo 15 vitesh do të jenë udhëheqës në këtë vend”, vlerësoi ministri Pollo, duke i falenderuar të gjithë aktorët, që kontribuan për realizimin e këtij projekti të veçantë për shkollat tona. Ai e konsideroi zhvillimin e këtij aktiviteti një plotësim i përpjekjeve që arsimi të formojë qytetarë me ndërgjegje demokratike, që të përballen efektivisht me tregun e punës, plotësojnë aftësitë e tyre si lider dhe të zhvillojnë disa aftësi bazë në prezantimin e pikëpamjeve. “Ne kemi zgjedhur nëntë gjimnaze me nxënës të talentuar, të cilët janë trajnuar për të demonstruar aftësitë e mira diplomatike dhe të ndërshkëmbimit me njeri-tjetrin, mësues të gjuhës angleze dhe të lëndëve të tjera, që bashkë me vullnetarët e Korpusit të Paqes kanë zhvilluar më tej këtë iniciativë, duke mbështetur nxënësit në këtë projekt”, u shpreh ministri.
Ky lajm është publikuar: 19/10/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›