E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhen në fundjave 26 kallëzimet e “Gërdecit”

29/09/2009  Prokuroria shprehet skeptike për rifillimin e çështjes ndaj ish-ministrit

Familjarët: Do i bëjmë presion akuzës që të rihapë sërish dosjen

TIRANE- Familjarët e 26 viktimave të Gërdecit kanë shtyrë depozitimin e kallëzimeve penale në Prokurorinë e Përgjithshme, në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, si dhe katër personave të tjerë që aktualisht janë të izoluar në ambientet e burgut 313 Tiranë. Shkak i kësaj vonese mësohet të jenë bërë disa veprime teknike të familjarëve dhe avokatëve që mbrojnë interesat e tyre në procesin gjyqësor “Gërdeci”. E kontaktuar në telefon avokatia Blerta Kraja është shprehur se 26 kallëzimet janë ende në proces hartimi dhe pritet që në fund të kësaj jave ato do të depozitohen në sekretarinë e Prokurorisë së Përgjithshme. Nëpërmjet tyre familjarët e 26 personave që humbën jetën nga shpërthimi i fuqishëm i Gërdecit, do i kërkojnë organit të akuzës rihapjen e hetimeve ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu. Këtë radhë ai nuk pritet të hetohet për shpërdorim detyre, pasi mësohet se në kallëzimet e familjarëve do të ngrihen argumente që Mediu, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, Dritan Minxolli dhe Sokol Ngjeçi, të akuzohen për “Vrasje masive”. Mirëpo për fillimin e procedimit penal me bazë akuzën e “vrasjes masive”, prokurorët e shikojnë si shumë të dyshimta. Ata shprehen tepër skeptikë për rihetimin e çështjes. Sipas tyre, rifillimi i hetimeve për këtë akuzë, do të ishte një dështim i përsëritur nga prokuroria. Nenin 292 ata e quajnë thikë me dy presa, pasi vërtet ai të le hapësirë ligjore për rifillimin e çështjes, por përpara akuza ka një vendim gjykate, i cili ka vendosur pushimin e hetimeve. Por përveç kësaj, Prokuroria e Përgjithshme nguron të rifillojë hetimet ndaj Fatmir Mediut, pasi për akuzën e “vrasjes masive” nuk mund t’ia provojnë më fakte bindëse në Gjykatën e Lartë. “Ne kemi pasur shumë prova kundër Mediut, të cilat i faktonin “shpërdorimin e detyrës”, dhe kur shkuam në gjykatë, kjo e fundit i rrëzoi. Tani imagjinoni ç’mund të ndodhë me akuzën e vrasjes”,-shprehen burimet pranë Prokurorisë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›