Bashkëpagesa me ISKSH-në, mënyra e re e financimit në spitalin e Durrësit
/>Drejtoria e spitalit rajonal të Durrësit, e vetmja qendër shëndetësore në vend që financohet nga skema e sigurimeve shëndetësore, synon që gjatë vitit 2009 të plotësojë një sërë objektivash për zbatimin e elementëve të nevojshëm të menaxhimit bashkëkohor.
Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor në bashkëpunim me Drejtorinë e Spitalit të Durrësit kanë përcaktuar objektivat për vitin 2009, mes të cilave, zbatimi i protokolleve të mjekimit në spitalin e Durrësit, të miratuara nga këshilli shkencor, krijimi i një data-base për pacientët e trajtuar, si dhe informatizimi i plotë i tij, bëjnë të ditur burime zyrtare pranë ISKSH-së. Gjatë vitit 2009, synohet zbatimi i një mënyrë të re financimi të spitalit, mbështetur në treguesit faktikë të kostos, zbatimi i elementit të bashkëpagesës në spital, që ndikon në rritjen e të ardhurave dhe cilësisë së shërbimit. Ofrimi i shërbimeve të reja të Onkologjisë, Dializës etj., si dhe i shërbimeve të tjera ekstra në spital kundrejt tarifave shtesë për të gjithë pacientët, është një tjetër synim për vitin e ardhshëm. ISKSH-ja vlerëson se për rritjen e cilësisë është i nevojshëm zbatimi i elementeve të Partneritetit Publik dhe Privat në shërbimet mbështetëse. Aktualisht, spitali i Durrësit është i vetmi në vend që financohet nga skema e sigurimeve shëndetësore, në bazë të një projekti pilot të nisur në vitin 2001, në kuadër të reformës në sistemin shëndetësor dhe zgjerimit të skemës së sigurimit shëndetësor edhe në shërbimin spitalor. Ministria e Shëndetësisë dhe ISKSH-së kanë vlerësuar projektin e spitalit të Durrësit si një përvojë të mirë dhe një model për tu përhapur. Në kuadër të reformës spitalore, zbatimi i së cilës do të nisë në 1 janar 2009, do të përfshihen në skemën e sigurimeve 42 spitale në të gjithë vendin.