Moti i ftohtë shton numrin e fëmijëve në pediatri, urgjenca në kushte skandaloze
/>Ulja e temperaturave, ka shtuar ndjeshëm rastet e fëmijëve me probleme virale. Në pediatrinë e kryeqytetit, dyndja e prindërve për tju dhënë fëmijëve një ndihmë mjekësore më të specializuar, ka shkaktuar radhë të gjata. Nga vëzhgimi që kemi kryer në këtë shërbim, rastet janë kryesisht të natyrës virale, apo irritime të traktit për shkak të të ftohtit.
E ndërsa radhët e pritjes pas derës së mjekut në urgjencën e pediatrisë kanë qenë në maksimumin e tyre, fëmijëve në gjendje jo të mirë shëndetësore, u është dashur të përballen me të ftohtin pasi sistemi ngrohës mungon. Në këtë shërbim nuk ofrohen as kushtet më minimale për të sëmurët. Edhe numri i karrigeve madje është i pamjaftueshëm për t'ju siguruar një rehati minimale, të gjithë këtyre njerëzve në pritje. Gjendja jo e mirë shëndetësore e vogëlushëve në radhë pritjeje, e nga ana tjetër pamundësia për tju përgjigjur këtij fluksi në kohë nga ana e mjekëve, ka shkaktuar irritim për prindërit, të cilët duhet të presin në këmbë për orë të tëra deri sa të vizitojnë apo mjekojnë fëmijët e tyre.