Drejtoria spitalore zgjidh krizën në urgjencë: Pacientët pa krevat, në pavijone
/>Zbutet situata në urgjencën e kardiologjisë në spitalin "Nënë Tereza". Kriza e pranishme prej kaq kohësh, ku rritja e fluksit të pacientëve ka çakorduar shërbimin për shkak të mungesës së kapaciteteve, është shuar me një zgjidhje emergjente. Me urdhër të drejtorisë së spitalit, rastet e urgjencës në mungesë të shtretërve në shërbimin përkatës, do të trajtohen në pavijonet e tjera të godinës së sëmundjeve të brendshme.
Pavarësisht llojit të shërbimit, endokrinologji, hematologji etj, nëse në to do të ketë shtretër të lirë, ato do të shfrytëzohen për urgjencën e zemrës. Në këtë mënyrë do të jenë mjekët, ata që do të ndjekin pacientët kudo që do të ndodhen. Ndonëse këta të fundit kanë filluar të mos mjaftojnë, pasi shefi i urgjencës së zemrës disa ditë më parë, është shprehur se shërbimi po përballet edhe me mungesën e specialistëve të zemrës, pasi disa prej tyre janë vendosur në pavijonet e zemrës. Ndërkaq, mësohet se dy herë në javë urgjenca e zemrës do të ofrojë shërbim pa mjekun përkatës. Urgjenca e kardiologjisë në QSUT është një nga repartet më të mbipopulluara dhe me kapacitet tejet të pamjaftueshëm. Gazeta SOT e ka trajtuar disa herë këtë problem në artikujt e saj. Kanë qenë mjekët por dhe pacientët që e kanë ngritur disa herë problematikën e kësaj urgjence, ku në kushtet e mungesës së shtretërve ka pasur raste kur të sëmurët janë trajtuar dhe mbi tavolina e karrige. Urgjenca e Kardiologjisë ka vetëm 12 shtretër dhe 6 mjekët, megjithë aty paraqiten çdo ditë rreth 100 raste për trajtim mjekësor. Pacientët pohojnë se një pjesë e tyre janë për shtrim por edhe në pavijone nuk ka vend. Kështu ata pa dashje bëhen problem për rastet urgjente të ditës, të cilëve nuk mund tu gjendet një shtrat për tu mjekuar. Pacientët shprehen se janë ngritur disa herë nga shtrati, për tia liruar dikujt tjetri, që të merrte ndihmën e shpejtë. Ndërsa mjekët, përballë kësaj situate ngrin supet. Nuk dinë çtë thonë sepse edhe ata punojnë në kushte tejet të vështira. Janë ata vetë madje që propozojnë mjekimin e pacientit në karrige, vetëm që ky i fundit të marrë mjekimin pavarësisht kushteve. Atyre u duhet të përballen me qindra njerëz në ditë, si pacientë por edhe të afërm të tyre, të cilët kërkojnë me çdo kusht të qëndrojnë brenda repartit, edhe pse ambienti është i pamjaftueshëm, sidomos për familjarët. Një tjetër ankesë e mjekëve ka qenë dhe mungesa në staf, përsa i përket specialistëve të zemrës.