Bashkëpunim kundër krimit dhe lehtësira gjatë sezonit turistik për qytetarët kosovarë
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, zhvilloi dje një takim me homologun e tij nga Kosova, Zenun Pajaziti, ku diskutuan për bashkëpunimin midis dy vendeve në luftën ndaj krimit dhe krijimin e lehtësirave të nevojshme për qytetarët gjatë sezonit turistik. Ministri Nishani u shpreh në takim se ekziston një vullnet i qartë për bashkëpunimin e qeverive të Shqipërisë e Kosovës, e po kështu edhe angazhimin për zgjerimin dhe forcimin e kapaciteteve institucionale në të dyja vendet. Nishani vuri në dukje gjithashtu faktin se në funksion të objektivave të njëjta për luftën kundër kriminalitetit, kundër trafiqeve të paligjshme apo menaxhimin e integruar të kufirit, strukturat e zbatimit të ligjit në të dyja vendet po bashkëpunojnë ngushtësisht jo vetëm në rrafshin dypalësh, por edhe në kuadër edhe të një angazhimi më të gjerë rajonal në Ballkanin Perëndimor. Ministri i Brendshëm i Kosovës u ndal në rezultatet e deritanishme në Kosovë, në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar e trafiqeve të paligjshme, si dhe vlerësoi në këtë aspekt operacionet e përbashkëta me strukturat policore të Shqipërisë. Ministri Pajaziti theksoi nevojën për shkëmbimin e përvojave dhe shtimin e kontakteve dypalëshe në të gjithë sektorët që mbulojnë ministritë e Brendshme të Shqipërisë dhe Kosovës. Një çështje tjetër që u diskutua në takim ishte edhe krijimi i lehtësirave të nevojshme për lëvizjen e qytetarëve nga Kosova në Shqipëri dhe anasjelltas, gjatë sezonit turistik. Ministri i Brendshëm i Kosovës më pas zhvilloi një takim tjetër me drejtuesin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Z. Ahmet Prençi bëri një ekspoze të shkurtër të reformës legjislative dhe organizative që po i nënshtrohet Policia e Shtetit. Ai e njohu delegacionin e Ministrisë së Brendshme të Kosovës me dy sfidat që ka policia gjatë këtij viti. “Mbarëvajtja e procesit zgjedhor dhe lufta ndaj kultivimit të lëndëve narkotike janë dy sfidat tona kryesore të këtij viti, por kjo nuk do të thotë se do të lëmë jashtë vëmendjes veprimtaritë e tjera kriminale”, - u shpreh ai. Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm, Pajaziti, shprehu vlerësimet e tij për arritjet e strukturave policore shqiptare në luftën kundër kriminalitetit dhe trafiqeve të paligjshme. Po kështu, ai nënvizoi nevojën e shkëmbimit të përvojave nga të dyja palët, duke përmendur në veçanti fushën e hetimit të krimit. Sipas Pajazitit, axhenda e bashkëpunimit mes dy vendeve, e monitoruar në vazhdën e procesit të integrimit evropian, kërkon një përkushtim edhe më të madh, për t’u siguruar popujve të të dyja vendeve një jetë të qetë, pa krime dhe liri për të gjithë qytetarët.