Tragjedia në Gjirokastër, shteti i kërkon administratorit kthimin e 46 milionë lekëve
Avokati i Shtetit kërkon nga administratori i pallatit të shembur në Gjirokastër t’i kthejë shtetit 46 milionë lekë të reja, dëmshpërblim i dhënë nga shteti për familjet e prekura nga ngjarja. Padia civile e paraqitur nga avokati Kristaq Kutra u pranua nga togat e zeza në seancën e zhvilluar dje në Gjykatën e Gjirokastrës. Administratori i firmës, i cili shkaktoi dhe shembjen e pallatit, duhet t’i kthejë shtetit dëmshpërblimin e 20 familjeve të dëmtuara. Shuma në fjalë është 46 milionë lekë, të cilat shteti i dha si kompensim familjeve të prekura nga kjo tragjedi. Avokati Kristaq Kutra, përfaqësuesi i shtetit, prezantoi kërkesën në seancën e djeshme gjyqësore në ngarkim të të pandehurit Sotiraq Janori, një nga administratorët e firmës “Arti” sh.p.k., që kryente ndërtime ngjitur me pallatin e shembur. I pandehuri Janori akuzohet nga Prokuroria e Gjirokastrës si përgjegjës për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, dhe “shkatërrim të pronës me dashje”. Trupi gjykues e pranoi kërkesën dhe vendosi që çështja të gjykohet e veçuar nga procesi penal në ngarkim të të pandehurve si fajtorë të shembjes së pallatit në lagjen “11 janari” të Gjirokastrës.
Hetimi
Prokuroria dorëzoi dosjen në Gjykatën e Gjirokastrës në fillim të marsit të këtij viti, ndërsa dje u zhvillua seanca e dytë në ngarkim të të pandehurve. Shtatë të pandehurit akuzohen për veprat penale që parashikohen nga nenet 79 gërma “ë”; 150; 248; 248&25 të Kodit Penal. Të pandehurit e dërguar për gjykim në gjykatë dhe për të cilët pritet hedhja e dosjes në short për nisjen e gjykimit, janë Sotiraq Janora, Gjergji Meçe, Afërdita Papamihali, Alfred Mamani, Admir Shehaj, Petrit Maksuti dhe Leonard Mustafaraj. Hetimi ka nisur për këta shtetas mbi bazën e vendit të ngjarjes së ndodhur në lagjen “11 janari” të qytetit të Gjirokastrës, ku një pallat është shembur dhe për pasojë kanë humbur jetën tre persona. Nga hetimet, sipas organit të akuzës, rezulton e provuar se prej të pandehurit Sotiraq Janora janë konsumuar elementët e figurës së veprave penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, parashikuar nga neni 79 germa “ë” si edhe “shkatërrimit të pronës me dashje”, parashikuar nga neni 150 i Kodit Penal; ndërsa i pandehuri Gjergj Meçe ka konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Po sipas hetimeve, rezulton se e pandehura Afërdita Papamihali ka konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, ndërsa të pandehurit Admir Shehaj, Petrit Maksuti dhe Leonard Mustafaraj, kanë konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”, kryer në bashkëpunim dhe parashikuar nga nenet 248&25 të Kodit Penal. Referuar akuzës, në përfundim të hetimit rezulton se i pandehuri Alfred Mamani ka konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”, vepër penale e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Sipas prokurorit të çështjes, gjatë hetimeve paraprake janë mbledhur provat e nevojshme që vërtetojnë fajësinë e shtatë të pandehurve për veprat penale për të cilat akuzohen. Pallati në lagjen “11 janari” në Gjirokastër, në të cilin banonin 30 familje, u shemb më 9 nëntor, duke shkaktuar vdekjen e 3 personave. Organi i akuzës ka pushuar hetimet për katër persona të arrestuar pas ngjarjes. Sipas hetimit, gjatë kryerjes së veprimeve hetimore, por kryesisht mbi konkluzionet e nxjerra nga akti i ekspertimit teknik, është konkluduar në pushimin e hetimeve ndaj shtetasve Luan Bufi ing. konstruktor, Njazi Çobani arkitekt, Thanas Llahana ing. gjeolog, Aristotel Haxhi, aksioner i firmës sipërmarrëse “Arti Ndërtimi” sh.p.k, të bazuara sipas akuzës, në nenin 328/1 germa “dh” të Kodit të Procedurës Penale, pasi “vërtetohet se i pandehuri nuk e ka kryer veprën”.
Precedenti me Gërdecin
Avokati i Shtetit do të ndjekë çështjen civile në gjyqin në ngarkim të të pandehurve për tragjedinë e Gërdecit, ku do të kërkojë nga kompania të paguajë dëmin në masën e llogaritur prej 14 milionë eurosh. Dëmi është paguar nga qeveria për dëmshpërblimin e banorëve të Gërdecit. Burime pranë Avokatisë së Shtetit pohojnë se shkresa e organit të prokurorisë, ku kërkohet të ndiqet kjo çështje, është depozituar në këtë institucion. Sipas dokumenteve që ndodhen në dosje, prokuroria, për arsye hetimore, ka llogaritur se fatura shtetërore e katastrofës së 15 marsit të vitit të kaluar në Gërdec llogaritet në rreth 14 milionë euro.
Detaj
46 milionë lekë është dëmshpërblimi i paguar nga shteti për familjet e prekura nga tragjedia e Gjirokastrës