Gjykatë; Kundërshtimi i zgjatjes së hetimeve, caktohet data 4 maj për padinë e Fazlliç
Gjyqtari i caktuar për shqyrtimin e padisë së biznesmenit Damir Fazlliç, lidhur me kundërshtimin e zgjatjes së afateve hetimore deri më 7 maj, caktoi dje datën 4 maj si seancë të parë. Në këtë datë, gjyqtari Gjin Gjoni do të vendosë nëse duhet të ndërpriten hetimet për Fazlliç apo prokurorët do të vazhdojnë të hetojnë për këtë çështje. Biznesmeni anglo-boshnjak, Damir Fazlliç, ka paditur Prokurorinë e Tiranës për zgjatjen e afateve hetimore në ngarkim të tij. Burime zyrtare nga mbrojtja ligjore e z. Fazlliç u shprehën se kërkesa është dorëzuar në Gjykatën e Rrethit të Tiranës nga avokati i mbrojtjes i përfaqësuar me prokurë, Genc Gjokutaj, ndërkohë që ka si objekt të saj ankimimin e zgjatjes së afateve të hetimit. Në kërkesë, mbrojtja kërkon pushimin e vendimit të Prokurorisë për zgjatjen e hetimeve ndaj biznesmenit boshnjako-britanik, Damir Fazlliç, edhe një muaj. Gjykatësi i caktuar për shqyrtimin e kësaj çështjeje do të vendosë nëse do ta pranojë apo jo kërkesën e palës paditëse. Në rast se gjykata vendos pro Fazlliç, atëherë prokuroria duhet të pushojë menjëherë hetimet e saj. Biznesmeni anglo-boshnjak, Fazlliç, është nën hetim nga Prokuroria për veprën penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale”, hetime të cilat nisën më 8 tetor të vitit të kaluar. Ndërkohë që, dy ditë më parë, togat e zeza të Gjykatës së Apelit lanë në fuqi vendimin e gjyqtarit Artan Broci për heqjen e sekuestros së pronave të biznesmenit Fazlliç.