Bashkëpunim me Slloveninë në fushën e teknologjisë
02/03/2005 Ministri i Arsimit, Luan Memushi dhe homologu i tij slloven, Zupan nënshkruan “Marrëveshjen e Bashkëpunimit Shkencor dhe Teknologjik midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Sllovenisë”. Kjo marrëveshje shënon një hap të ri në marrëdhëniet e bashkëpunimit midis dy vendeve. Ministri Memushi u prit në selinë e Qeverisë sllovene nga ministri i Arsimit të Lartë, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Sllovenisë, Jure Zupan. Në këtë takim, u shfaqën pikëpamjet rreth reformave arsimore dhe shkencore që po zhvillohen në Slloveni dhe në Shqipëri. Bashkëbiseduesit evidentuan bashkëpunimin e deritanishëm midis dy vendeve në fushën e arsimit dhe shkencës, dhe shprehën vullnetin për t’u angazhuar në projekte të përbashkëta, si në kuadrin bilateral, ashtu edhe në kuadër të Programeve të Bashkimit Evropian. Gjatë fjalës së tij, ministri slloven u shpreh, ndër të tjera, se Sllovenia, si shtet i ri në Bashkimin Evropian, do ta ndihmojë Shqipërinë në përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në BE. Kjo ishte një dëshirë e qeverisë sllovene, por edhe një detyrë e vënë nga Bashkimi Evropian për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor në reformat e ndërmarra, me qëllim që të përshpejtohet integrimi rajonal dhe evropian i këtyre vendeve edhe në fushën e arsimit dhe shkencës.