E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bashkia e Tiranës bllokon vetëdeklarimin

02/03/2005  Arsyeja, nuk është zbardhur ende vendimi i Këshillit Bashkiak për tarifën e shitjes 200 lekë

Njerëzit kthehen mbrapsht, vetëm Njësia nr.9 pranon dorëzimin e formularit

“Herë pyes në telefon, e herë vij vet, por kthehen mbrapsht, s'e dorëzoj dot formularin”, thotë Hamdiu. Dorëzimi nuk është i mundur, pasi njësive bashkiake të Tiranës nuk u ka ardhur zyrtarisht çmimi i formularit. “Të vij çmimi, por këtu ka dyndje pastaj”, thotë një punonjëse. Nëse në të gjitha Bashkitë dhe Komunat e vendit ka nisur puna dhe po dorëzohen formularët e vetëdeklarimit për të nisur procesi i legalizimit, në njësitë bashkiake të Bashkisë së Tiranës, puna nuk ka nisur ende, duke përjashtuar Njësinë Bashkiake numër 9, e cila e ka ndërmarrë këtë iniciativë për të mos penguar procesin. Shkak është bërë moszbardhja e vendimit të Këshillit Bashkiak, që caktoi çmimin e formularit të vetëdeklarimit. Gati të gjithë Këshillat e Bashkive dhe Komunave kanë mbi një muaj që kanë caktuar çmimin e formularit të vetëdeklarimit, pasi çmimi iu la kompetencë pushtetit vendor. Ndërsa për Tiranën, jo vetëm që Këshilli Bashkiak, që duhet të mblidhet çdo javë, u mblodh më datën 17 shkurt, kur dhe miratoi këtë çmim, por vonohet dhe zbardhja e vendimit. Ligjërisht, një vendim zbardhet brenda 10 ditëve dhe afati i zbardhjes së tij ka përfunduar para tri ditëve. Dje ende njësitë bashkiake nuk kishin në tavolinë vendimin. Megjithatë, dy ditë pas marrjes së këtij vendimi, urbanistët e njësive janë thirrur në Bashki për të bërë një konsultë, ku dhe u komunikua çmimi i një formulari, 200 lekë të reja. E megjithatë puna nuk filloi.

Njësia 9

“Ne vendosëm që të pranonim dorëzimin e formularit, duke iu prerë mandatë pagesën qytetarëve dhe faturën e kam vendosur në secilën dosje, në mënyrë që të jem në rregull me ligjin”, thotë shefja e urbanistikës në Njësinë Bashkiake numër 9, Fitnete Laqi, duke treguar një prej dosjeve të sapombyllura. Duke qenë se Bashkia i kishte mbledhur urbanistët, për t’ju komunikuar vendimin, ajo vendosi që të niste punën, për të mos e zvarritur më tepër këtë proces. “Nuk mendoj se njerëzit duhet të mbahen peng, për shkak të burokracive”, thotë Laqi. Ndërkohë, ajo thotë se, pavarësisht shpjegimeve që u janë bërë njerëzve, formularët i plotësojnë me gabime dhe urbanistët janë të detyruar që t’jua kthejnë dhe t’jua korrigjojnë disa herë rresht, derisa ata pranojnë përfundimtarin.

Megjithëse zyra e Urbanistikës në Njësinë Bashkiake numër 9 ka nisur punën prej gati 10 ditëve, vetëm 65 vetë kanë mundur të dorëzojnë formularin. Ndërkohë dy-tri ditëve fundit, urbanistët e njësive kanë vendosur t’i japin fund dilemës së tyre në pritje të zbardhjes së një vendimi. Dhe në njësitë e tjera bashkiake, urbanistët dje kishin nisur të pranonin formularë, duke marrë parasysh që dorëzimi mund të shtyhet disa ditë për shkak të gabimeve.

Formulari paguhet vetëm 1 herë

Pavarësisht se sa fletë formulari grisen, pasi plotësohen gabim ai paguhet vetëm një herë. Bashkia e Tiranës ka vendosur që pagesa të bëhet kur dorëzohet, disa të tjera e kanë kur tërhiqet. Por, kjo fletë në vetvete nuk ka ndonjë vlerë ligjore prandaj mund të fotokopjohet për t’u plotësuar përsëri deri në variantin e saktë. Disa Bashki e kanë vendosur çmimin 100 lekë, disa 200 lekë, ndërsa Bashkia e Elbasanit ka vendosur më të lartën, 500 lekë. Ky çmim nuk është thjesht kostoja e letrës dhe fotokopjimit, por paguhet puna e urbanistit që të ndihmon për plotësimin e formularit, të cilët do të shkojnë pastaj shtëpi më shtëpi për të bërë azhornimin.

Bashkia

“Brenda disa ditëve do të zbardhet vendimi”

“Nuk jemi të gatshëm që të japim të dhëna tani, por brenda disa ditëve do të kemi gati një pasqyrë. Kjo pasi ende nuk është zbardhur vendimi, që do t’ju shpërndahet njësive bashkiake”, citon zëdhënësja e shtypit të Bashkisë së Tiranës, drjetoreshën e Legalizimeve në Bashki.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›