E Diel, 1 Nëntor 2026

“Bashkëpunim për projekte të mëdha infrastrukturore rajonale, si korridori 8”

06-02-2013 / Gazeta 55

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në Bullgari takim me Kryetaren e Kuvendit, Cecka Caceva


Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ndodhet për një vizitë zyrtare në Bullgari me ftesë të homologes së saj, Cecka Caceva. Kryetarja e Kuvendit  Topalli e nisi vizitën saj bashkë me homologen me një ceremonial zyrtar para monumentit të “Ushtarit të panjohur”, në nderim të ushtarëve bullgarë të rënë në luftë. Pas këtij ceremoniali të veçantë, Kryetarja e Kuvendit u prit në një takim nga Kryetarja e Kuvendit të Bullgarisë.  Kryetarja Jozefina Topalli falënderoi Caceva për mbështetjen që Bullgaria ka dhënë ndaj Shqipërisë në proceset e saj integruese në NATO, por edhe përpjekjet drejt Bashkimit Europian.  Nga ana e saj, Caceva konfirmoi se Bullgaria është dhe do të jetë përkrah Shqipërisë në rrugën drejt BE-së dhe është e gatshme të japë eksperiencën e saj në këtë drejtim. Ajo tha se “Progres-Raporti i fundit i BE-së për Shqipërinë fliste për progresin real të vendit tuaj. Në çdo takim me faktorë të rëndësishëm të politikës së BE-së, theksoi zonja Caceva, kam lobuar për zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. Së fundmi, u takova në Dublin me Ministrin e jashtëm të Irlandës, vend që mban presidencën e BE-së dhe i fola për progresin e bërë nga Shqipëria. Uroj që anëtarësimi i Shqipërisë në familjen europiane të jetë sa më i afërt”. Kryetarja e Kuvendit theksoi se, “Shqipëria është një vend që bën përjashtim, pasi brenda një kohe të shkurtër ka ecur shumë gjatë duke kthyer faqen e historisë së saj. Sot është një vend anëtar i NATO-s dhe jemi në pritje të marrjes së statusit kandidat. Ne jemi të gatshëm të realizojmë gjithçka për të bërë realitet ëndrrën e shqiptarëve. Presim që opozita të votojë tre ligjet e kërkuara nga Brukseli, në mënyrë që të kalojmë sa më parë në hapjen e negociatave për anëtarësim. Gjatë takimit, Jozefina Topalli dhe Cecka Caceva biseduan për një bashkëpunim konkret për të përfituar projekte madhore infrastrukturore përmes fondeve të BE-së. Për Shqipërinë e Bullgarinë, por dhe për zhvillimin e mbarë rajonit ka një rëndësi të madhe realizimi i korridorit 8. Një rrjet rajonal infrastrukturor do të nxiste një epokë të re zhvillimi për gjithë Ballkanin. Në fund të takimit, Kryetarja e Kuvendit la një shënim në librin e përshtypjeve të Parlamentit të Bullgarisë.  E pyetur nga mediat pas takimit, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ndër të tjera tha se, “Biseduam për çështje të integrimit dhe unë me gjithë zemër dua të falënderoj zonjën Caceva, e cila  në takimin e fundit në Dublin, në Irlandë ka insistuar duke mbrojtur qëndrimin e qeverisë Bullgare për procesin e përshpejtimin të integrimit të Ballkanit Perëndimor, sigurisht të Shqipërisë meqenëse ajo është edhe një mike e veçantë e vendit tonë. Unë e falënderova atë sikurse falënderoj edhe qeverinë bullgare. Për mua është një nder dhe privilegj i jashtëzakonshëm që nesër do të kem mundësinë të flas përpara parlamentit të Bullgarisë mbi atë çfarë është Shqipëria dhe si e projekton ajo veten në të ardhmen”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›