E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkëpunimi ekonomik, Gjermania ofron edhe 90 milionë euro të tjera për Shqipërinë



Gjermania i ka akorduar Shqipërisë një shumë të re ndihme prej 90 milionë eurosh për dy projekte të rëndësishme në sektorin energjetik. Marrëveshjet për këto projekte u nënshkruan dje në një ceremoni të posaçme në mjediset e Ambasadës Gjermane në Tiranë, në prani të kryeministrit Sali Berisha. Dy marrëveshjet kanë për qëllim financimin e shërbimeve dhe ekspertizave për "Linjën e transmetimit 400 kilovolt, Tiranë-Prishtinë, Kosovë” dhe "Unaza 110 kilovolt për Jugun e Shqipërisë". Ato u nënshkruan midis qeverisë shqiptare dhe Bankës shtetërore gjermane “Kreditanstalt für Wiederaufbau”. Kryeministri Berisha e cilësoi nënshkrimin e këtyre dy marrëveshjeve, me vlerë rreth 90 milionë euro, si mjaft të rëndësishme, ndërsa shtoi se, "suksesi i madh i projekteve gjermane është një garanci për suksesin e sigurt të këtyre dy projekteve për vendin tonë".
Në ceremoninë e organizuar nga Ambasada Gjermane, në kuadër edhe të hapjes së zyrës rajonale të KfW-së për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë, ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri Genc Pollo dhe anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar.

Projektet

Ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Borchardt, i cilësoi projektet për ndërtimin e linjave Tiranë-Prishtinë prej 400 kilovolt dhe "Unaza 110 kilovolt për Jugun e Shqipërisë", si projekte me rëndësi strategjike për zhvillimin e Shqipërisë. "Qeveria shqiptare dhe ajo gjermane kanë rënë dakord për sektorët kyç të bashkëpunimit dypalësh, ndërsa ne do të vazhdojmë të mbështesim Shqipërinë në rrugën e saj drejt Europës ", - tha Borchardt. Projekti për ndërtimin e linjave Tiranë- Prishtinë prej 400 kilovoltësh synon zgjerimin e kapacitetit të transmetimit në linjën ndërkufiare Shqipëri-Kosovë të tensionit të lartë, duke shtuar një linjë 400 kilovolt dhe në përputhje me këtë rrit kapacitetin transformues dhe shpërndarës të sistemit të furnizimit me energji në jug të Shqipërisë.

Mirënjohja

Kryeministri Berisha, duke shprehur mirënjohjen e popullit shqiptar për bujarinë e qeverisë dhe taksapaguesve gjermanë, theksoi se "në krye të kësaj bujare është KfW, e cila ka realizuar shumicën e këtyre projekteve, me rreth gjysmë miliardë euro", ndërsa nënvizoi se hapja e zyrës rajonale në Tiranë është një ngjarje e rëndësishme për ne dhe rajonin. "Çdo vend ka nevojë për ndryshim, por Shqipëria ka nevojë më shumë se asnjë vend tjetër në Europë për shkak të trashëgimisë së saj të tmerrshme në të shkuarën", - tha Berisha. Kryeministri solli në vëmendje dhe vizitën e tij në Gjermani, duke nënvizuar se "bashkëpunimi 20-vjeçar Shqipëri-Gjermani u kremtua në lartësinë e marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve dhe se për Shqipërinë dhe shqiptarët vizita në Gjermani, takimi me kancelaren Merkel dhe ministrin Steinmeier e zyrtarë të tjerë ishin një ngjarje e rëndësishme". Duke iu drejtuar ambasadorit gjerman në vendin tonë, kreu i qeverisë tha se projektet e realizuara në Shqipëri, të cilat janë të përqendruara në nevojat më jetike të qytetarëve shqiptarë, si ujësjellës, kanalizime, arsim, energjetikë, bujqësi, kanë ndryshuar për mirë jetën e shqiptarëve.

24 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›