Biznesi sugjeron përmirësime në ligjin “Për prokurimet elektronike”, ja kërkesat
Ervin Koçi
Biznesi shqiptar dhe kryesisht kompanitë e mëdha në vend, janë kudër ligjit të ri “Për prokurimet” të ndryshuar nga qeveria dhe që pritet të nisë nga zbatimi më 1 janar 2009. Sipas përfaqësuesve të biznesit, është shumë shpejt për të nisur nga aplikimi i tenderave elektronikë, me gjithë ngutjen e qeverisë për “erën e dixhitalizimit”. Por në fillim të vitit të ardhshëm qeveria ka vendosur që të nisë nga zbatimi i ligjit të ri “Për prokurimet”, ku çdo tender do të mund të realizohet në mënyrë elektronike. Megjithatë, bizneset vendase kanë ende probleme të shumta për procedurat aktuale, në një kohë që kanë paraqitur sugjerimin se si ligji i ri mund të funksionojë më mirë dhe të jetë më i përshtatshëm për grupet e interesit. Reduktimi i procedurave dhe i dokumentacionit për të marrë pjesë në prokurimet publike, është ende një shqetësim i pazgjidhur për kompanitë që veprojnë në vend, të cilat sigurojnë të ardhura të larta nga tenderat e shtetit. Shtrirja e shërbimit ‘on-line’ në të gjitha prokurimet publike është vlerësuar si proces transparent dhe që i sjell buxhetit të shtetit rritjen me 15 për qind të kursimeve nga fondi limit i prokurimeve.
Kërkesat e biznesit
Gjatë takimit që Bashkimi i Dhomave të Tregtisë realizoi me biznese dhe me punonjës të administratës, u kërkua të vendosen rregulla më të thjeshta, lidhur me pjesëmarrjen në tenderat dhe prokurimet e tjera elektronike. Aktualisht subjektet private detyrohen të përgatisin disa qindra faqe dokumente për të konkurruar në tenderat publikë. Në qendër të shqetësimeve të organizatave të biznesit, është edhe vetë ligji i prokurimeve. Fakti që vetëm përgjatë një viti ai është amenduar (ndryshuar) disa herë, tregon se ka vend për ndryshime dhe përmirësime të mëtejshme. Përfaqësues të administratës publike thanë se aktualisht ka filluar rishikimi i këtij ligji. Organizatat e biznesit do të diskutojnë për këtë temë të rëndësishme në një tryezë tjetër të rrumbullakët, shumë afër. Sugjerimet e tyre për Ligjin e Prokurimeve dhe për reduktimet që mund të realizohen për procedurat dhe dokumentet e pjesëmarrjes në prokurimet publike do të përcillen në instancat përgjegjëse të administratës dhe në Agjencinë e Prokurimit Publik.
Ku duhet ndërhyrë
Përfaqësuesit e biznesit kërkuan që në pjesëmarrjen e kompanive në prokurimet publike subjektet të fitojnë status vetëdeklarimi, çka do të thjeshtonte shumë nga dokumentet që kërkohen prej autoriteteve kontraktuese. Po ashtu, mund të shihet mundësia që në vend të bilanceve për 3 vitet e fundit, të paraqitet vetëm xhiroja vjetore e kompanisë. Edhe procedurat që kanë të bëjnë me pasqyrat e sigurimeve shoqërore për të gjithë punonjësit apo dhe borderotë e kompanive, janë konsideruar nga përfaqësuesit e biznesit si “kërkesa të lodhshme”. Duke vënë në dukje gjithashtu shfaqje të mungesës së transparencës gjatë prokurimeve, përfaqësuesit e biznesit kërkuan që për Autoritetet Kontraktuese të ketë një sallë ofertash, ku gjithçka të shpaloset në një monitor. Një nga kërkesat e tjera të rëndësishme të tryezës, ishte dhënia e bonusit për produktet vendase të certifikuara. Koha kur pritet të zbatohet (vetëm) mënyra elektronike për të gjitha prokurimet (1 janari 2009) u cilësua mjaft kritike; me sistemin aktual të prokurimeve, kjo është e vështirë të realizohet pa investimet e duhura.
24 Tetor 2008