Ina Rama:”Dosja Fazlliç, prokuroria zbaton ligjet nuk bën politikë”
Prokurorja e Përgjithshme e Republikës në Shqipëri, Ina Rama, gjatë një interviste për BBC-në shpreson që përplasja institucionale me Ekzekutivin të tejkalohet me angazhimin e të gjitha palëve. Ajo e quan një qëndrim politik dhe jo pretendim ligjor kërkesën e maxhorancës për ngritjen e një komisioni parlamentar për hetimin e veprimtarisë së Prokurorisë në trajtimin e çështjes “Fazlliç”. Gjatë një vizite zyrtare në Londër, zonja Rama i tha BBC-së se hetimet e Prokurorisë së Tiranës për këtë çështje janë në fazën fillestare dhe se veprimet e ndërmarra deri tani kanë qenë konform ligjit.
Me çfarë misioni e vizituat Londrën?
Vizita ime këtu ishte e organizuar me ftesë të drejtorit të Shërbimit të Prokurorisë Mbretërore në Londër, Sir Ken McDonald. Ishte një vizitë me qëllim vendosjen e kontakteve të drejtpërdrejta me homologët tanë këtu, si dhe me qëllim marrjen dhe përfitimin e eksperiencave të homologëve britanikë në aspekte të punës sonë, të hetimit të çështjeve dhe të ushtrimit të ndjekjes penale.
A trajtuat ndonjë rast konkret gjatë qëndrimit tuaj në Londër?
Patëm edhe diskutime në nivel teknik për çështje të veçanta, të cilat janë në proces si nga homologët britanikë, ashtu edhe nga ne, për të cilat gjithashtu ne po tentojmë të kemi një bashkëpunim.
A u trajtua çështja e Ilir Kumbaros?
Jo, kjo nuk ishte një nga çështjet që u trajtua. U trajtuan çështje të tjera, të cilat janë në proces e sipër, për të cilat ne kemi nevojë të shpejtojmë dhe të facilitojmë procedurat.
Një nga çështjet më të mprehta të kohëve të fundit për Prokurorinë ka qenë edhe çështja “Fazlliç”. A u trajtua ajo gjatë vizitës suaj në Britani, pasi ai është edhe shtetas britanik?
Jo, nuk ishte nga çështjet që ne trajtuam me kolegët britanikë.
Dhe ku qëndron, momentalisht, si status, çështja “Fazlliç”? Jo hollësi për hetimin, po ku ka mbetur?
Ajo ka mbetur në fillimet e saj, siç besoj se shtypi e di. Është një çështje e cila është regjistruar si e tillë, pra kemi një procedim penal të regjistruar në Prokurorinë e Tiranës. Zoti Fazlliç ka në këtë procedim cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetimet dhe besoj që Prokuroria e Tiranës është duke bërë veprimet hetimore që mund të konsiderohen fillestare, sepse me të vërtetë që jemi në fillim të një procedimi penal. Mund t’ju kujtoj që procedimet penale në shumë raste të tjera zgjasin për mjaft kohë dhe ne, edhe pasi kemi bërë hetime të vazhdueshme, përsëri do të rezervohemi për të dhënë konkluzione të mirëfillta. Aq më tepër për këtë procedim, që është në fazat e tij fillestare, nuk mund të themi asgjë. Mund të themi që po bëhen veprime hetimore për të parë nëse ekzistojnë apo jo dyshimet që organi i akuzës ka pasur se kemi vepra penale të kryera.
A pati një tentativë për t’i paraqitur atij një kërkesë për t’u paraqitur në Prokurori?
Nuk pati një tentativë, por Prokuroria paraqiti një kërkesë ose më mirë, në terma proceduralë, është një ftesë për ta pyetur zotin Fazlliç në ditën që ai ndodhej në Shqipëri, një ftesë e cila për shkak të rrethanave, për shkak se si u zhvilluan rrethanat, nuk arriti dot të ekzekutohej. Ishte një ftesë për ta pyetur atë. Unë përfitoj nga rasti këtu për të sqaruar opinionin publik sepse me të vërtetë e kam ndjekur mediatikisht qëndrimin që është mbajtur, që ishte një urdhër ndalimi apo një urdhër arresti. Këto janë spekulime. Ka qenë një ftesë për ta pyetur. Është një e drejtë procedurale e prokurorëve që zhvillojnë hetime. Sigurisht që zoti Fazlliç ka pasur edhe në momentin që mund t’i komunikohej ftesa, të gjitha të drejtat për të mos iu përgjigjur, për të kërkuar një avokat, për të kërkuar kohë, të drejta procedurale që i ka çdo shtetas ndaj të cilit zhvillohen hetime në Republikën e Shqipërisë.
Megjithatë, ai nuk e mori këtë ftesë për këto arsye. A ia keni paraqitur ju zyrtarisht atij këtë ftesë, pas këtij incidenti?
Po, di t’ju them se ai nuk e mori, nuk di t’ju them nëse më tej janë bërë tentativa të mëtejshme për ta rithirrur, për ta marrë për të dhënë shpjegime ose për t’u pyetur. Sigurisht që kjo është një procedurë që do ta vlerësojnë prokurorët e çështjes dhe do të vlerësojnë ata se kur do të jetë momenti dhe si do të zhvillohen procedurat.
A ka pasur ndonjë shkelje procedurale nga prokurorët që u morën me këtë çështje në ndonjë moment?
Nuk më rezulton që prokurorët të kenë vepruar në shkelje të ligjit në veprimet hetimore që janë kryer për çështjen “Fazlliç”. Nga dijenia që unë kam, ata kanë vepruar duke zbatuar normat e procedurës penale në të gjitha veprimet hetimore që janë kryer deri tani.
Si e konsideroni atëherë përpjekjen e maxhorancës për krijimin e një komisioni parlamentar për hetimin e veprimtarisë së prokurorëve që u morën me këtë çështje, çështjen “Fazlliç”?
Sigurisht që unë mendoj se ky është një qëndrim politik, nuk është një pretendim ligjor, si të themi. Është një mënyrë e të parit të çështjes nga një pikëvështrim i ndryshëm, por e gjitha kjo nuk e luhat pozicionin tim që e shpreha pak më parë. Unë mendoj se prokurorët kanë vepruar konform ligjit në të gjitha ato hallka, në të gjitha ata veprime që ata kanë ndërmarrë.
Megjithatë, po t’i shtojmë kësaj edhe deklaratën e kryeministrit për një hetim ndërkombëtar, a nuk tregon kjo që marrëdhëniet e institucionit tuaj me Ekzekutivin janë, le të themi, në një ngërç për momentin?
Në të vërtetë, paraprakisht, doja t’ju thosha që ne nuk kemi modele hetimesh ndërkombëtare në Shqipëri dhe që ky vullnet të merret e të konsiderohet seriozisht duhet të vishet me petkun e një norme ligjore. Ne kemi deri sot modele asistencash të prokurorëve të huaj në hetime të veçanta në Shqipëri, por që sigurisht, këto kanë pasur një procedurë të caktuar ligjore për t’u bërë. Por asnjëherë këta prokurorë që kanë marrë pjesë në hetimin e çështjeve shqiptare nuk kanë pasur të drejtë të marrin vendime rreth hetimit. Ata kanë asistuar, kanë koordinuar punët dhe vetëm kaq. Unë mendoj se Prokuroria shqiptare nuk ka përse t'i trembet një asistence të huaj, por gjithsesi, nuk mund të lë pa përmendur faktin që e gjitha kjo dëmton imazhin e institucionit të akuzës, sepse ul kredibilitetin e tij në publik.
Dhe a janë marrëdhëniet institucionale të Prokurorisë së Përgjithshme me Ekzekutivin në një ngërç?
Duhet thënë që ne kaluam një moment të vështirë në këto raporte. Patëm një përplasje institucionale. Unë mendoj se është shumë e rëndësishme që ky moment të kapërcehet për shkak se mendoj dhe dua të fokusohem fort në këtë moment. Mendoj që duhet që të gjitha institucionet t’i bashkërendojnë punët për të pasur një rezultat të mirë. As Prokuroria e vetme nuk mund të realizojë funksionet e saj, as institucionet e tjera, po ashtu, sidomos në aspektin e ushtrimit të ndjekjes penale. Shpresoj fort që do të ketë një vullnet të përbashkët që kjo përplasje të kapërcehet. Është në të mirën e ne të gjithëve.
Sa ju komprometon mbështetja e flaktë e opozitës për ju, për prokuroren e Përgjithshme të Republikës në këtë moment, e bërë qoftë për arsye parimore, qoftë për arsye pragmatike nga ana e opozitës?
Së pari, nuk më duket se është e flaktë, unë nuk konstatoj ndonjë gjë të tillë. Sigurisht, mendoj se opozita është duke bërë pjesën e saj politike në këtë situatë. Unë mendoj se e rëndësishme është që puna, imja ose e organit që unë drejtoj, të jetë e mbështetur në ligj. Në rast se ne do të veprojmë duke zbatuar ligjin, pak rëndësi ka pastaj se kush të mbron dhe kush të godet. E rëndësishme është që gjithë aktiviteti që organi i prokurorisë kryen, veçanërisht në raste specifike që janë sensitive për publikun, të jetë në mënyrë ekstreme i mbështetur në ligj.
Megjithatë, është shumë e rëndësishme kur ju mbron ambasadori amerikan në Tiranë me deklarata që mund të lexohen shumë lehtë si “mos e prekni prokuroren e Përgjithshme”!
Jo, unë nuk do ta lexoja kështu. Mund ta lexonim ndryshe. Mund ta lexonim që “lërini ata që zbatojnë ligjin ta zbatojnë ligjin”! Ndoshta konstatimi që jo vetëm Ambasada Amerikane, por unë do të them se edhe ambasadorët e Bashkimit Europian kanë bërë në mbështetje të institucionit të Prokurorisë për këtë rast, lidhet me faktin që ata duhet të kenë konstatuar që ne kemi vepruar drejt, se Prokuroria ka zbatuar ligjin në të gjitha hallkat, në të gjitha veprimet që ajo ka ndërmarrë në këtë çështje, në këtë situatë.
Zonja Rama, nga kush duan t’ju mbrojnë ndërkombëtarët?
Unë mendoj se ndërkombëtarët po mbështesin Prokurorinë që ajo të vazhdojë të bëjë punën e saj, të vazhdojë të jetë e pavarur në vendimmarrjen e saj.
Zonja Rama, ju jeni e re në moshë, e re në detyrë. Keni të paktën tri çështje hetimore ku janë të përfshirë emrat e ministrave, ish-ministrave, pjesëtarëve të afërt të kryeministrit. Sa ndikon gjithë kjo trysni në aktivitetin tuaj dhe të institucionit që ju drejtoni?
Të gjitha këto çështje kanë peshën e tyre në mënyrën se si zhvillohen punët, se si ecin punët në sistemin e akuzës. Vetëm fakti që çdo vendimmarrje, çdo hap, çdo veprim hetimor që ndërmerret në këto çështje, është një veprim që monitorohet në të gjitha drejtimet, në të gjitha aspektet, të vendos në një farë trysnie. Unë do të preferoja që puna jonë të ishte në kushte më komode, sigurisht. Do të preferoja që ne të bënim punën tonë pa qenë e nevojshme që në çdo hap që hedhim të kemi komente nga njëri krah, apo nga krahu tjetër. Do të preferoja që prokurorët ta ndjenin veten të lirë dhe të qetë në gjithë aktivitetin e tyre, sepse kjo lloj trysnie edhe kur është pozitive, edhe kur është në mbështetje të fortë të prokurorisë, ndoshta-ndoshta prish ekuilibrin e një pune normale. Unë do të preferoja që puna e prokurorisë të ishte e saj, të mos ishte kaq publike, të mos merreshin të gjithë me të.
Dhe një sfidë tjetër është hetimi për tragjedinë e Gërdecit, si dhe hetimi për tregtinë e paligjshme të municionit drejt Afganistanit. Në ç’fazë ndodhen hetimet për këto dy çështje?
Grupi hetimor, me sa kam unë dijeni, ka kryer pjesën më të madhe të hetimeve që mund të kryheshin prej grupit hetimor në Shqipëri dhe ne jemi në pritje të letër-porosive që u kemi dërguar homologëve tanë në SHBA, në Qipro dhe në Zvicër. Presim përgjigjet e tyre dhe mendoj që pas marrjes së këtyre përgjigjeve ndoshta do të kemi nevojë të bëjmë veprime të tjera hetimore. Gjithsesi, nuk mund të parashikojmë gjë, përsa kohë që përgjigjen nuk e kemi në dorë dhe nuk dimë çfarë të dhënash do të na vijnë nga homologët tanë.
Jeni e kënaqur me ritmet e hetimeve gjatë këtyre më shumë se shtatë muajve që kanë kaluar nga tragjedia?
Unë mendoj që puna është bërë në kohë reale. Është një çështje shumë komplekse, shumë voluminoze, shumë e ngarkuar. Ndoshta mund të kishte edhe tempe më të mira, por, gjithsesi mund të them se po bëhet një punë e mirë.
Marrë me shkurtime nga BBC
24 Tetor 2008