E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtuesit: “Të tregohet kujdes në përzgjedhjet e fituesve”



Kompanitë e ndërtimit janë subjektet e biznesit që xhirojnë edhe shifrat më të mëdha të fondeve dhe projekteve të shtetit përmes pjesëmarrjes në punët publike. Por megjithatë, ndërtuesit thonë se procesi i prokurimeve publike lë ende shumë për të dëshiruar. Sipas nënkryetarit të Shoqatës së Ndërtuesve, Luigj Aleksi, një nga pasaktësitë kryesore që ka rregullorja aktuale është përcaktimi i fituesit, ku gjithnjë vendoset për atë që ofron vlerën më të vogël. “Në ligj qartësohen minimumi i vlefshëm dhe jo minimumi në ofertë, që janë dy gjëra të ndryshme. Kështu, rrezikohet edhe cilësia e dobët në punime”, -shpjegon Aleksi. Firmat e gjykojnë si të paarsyeshme dhe mjaft burokratik procesin e kontrollit nga autoritetet shtetërore. “Në Shqipëri kontrollohet një më një dokumentacioni i çdo pjesëmarrësi, ndërkohë që në Europë dy janë mënyrat që ndiqen: kontrollohet fituesi ose kontrolli bëhet me short në garë. Ata që kapen me dokumente të parregullta, duhet të përjashtohen për një afat të caktuar nga prokurimet. Kjo metodë eliminon tërë këtë mori kontrollesh dhe shkurton afatet”, - shton më tej Aleksi. Nga ana tjetër, ndërtuesit e shohin problematike edhe përpilimin e “Ftesave për ofertë”, që janë në disa forma për tendera të ndryshme. Sipas Luigj Aleksit, ajo duhet të jetë standarde dhe të bëhet me prokurim elektronik.

24 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›