Prifti: “Më 8 dhjetor, demokratë e socialistë janë bashkë”
Në festën e realizuar me rastin e ditës kombëtare të rinisë, në përkujtim të 8 dhjetorit 1990, ka marrë pjesë edhe deputeti i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Dritan Prifti. Deputeti i LSI-së e ka cilësuar këtë ngjarje si festën më të rëndësishme të shqiptarëve pas festës së pavarësisë dhe çlirimit. “8 dhjetori, ditë e jashtëzakonshme për shqiptarët. Pas festës së pavarësisë dhe çlirimit, kjo është festa më e madhe”, - u shpreh Prifti. Prifti theksoi se edhe në këtë ditë të shënuar demokratët e socialistët janë të bashkuar, për ta çuar Shqipërinë përpara. “Pa këtë festë nuk do të kishim Shqipëri në NATO. Nuk do të kishim zhvillimin që ka marrë Shqipëria në këto vite. Demokratë e socialistë janë bashkuar sot për ta çuar Shqipërinë më përpara”, - përfundoi Prifti.
9 Dhjetor 2009