Topi zhvillon një takim me rrjetin kombëtar “Barazi në vendimmarrje”
Gjatë takimit me kreun e shtetit, përfaqësuesit e Rrjetit Kombëtar të Grave nënvizuan vlerësimin e tyre për rolin dhe kontributin e vazhdueshëm të presidentit Topi lidhur me çështjet e barazisë gjinore e promovimin e gruas në shoqëri. Duke vlerësuar këtë rol të presidentit Topi, përfaqësueset e rrjetit “Barazi në vendimmarrje” e njohën kryetarin e shtetit me projektet e tyre konkrete për arritjen e kuotave gjinore në vendimmarrje dhe projektin më të fundit për gratë që vuajnë dënimin në institucionet e dënimit në vend. Ato vunë në dukje përpjekjet e vazhdueshme për lobing për arritjen e kuotës 30% të përcaktuar në Kodin Zgjedhor, kuotë që nuk u respektua sipas tyre nga vetë politika vendimmarrëse. Duke vlerësuar te Presidenti i Republikës tolerancën, qytetarinë dhe konsensusin, përfaqësueset e këtij rrjeti i paraqitën kryetarit të shtetit ndjeshmërinë e tyre lidhur me pabarazinë e diskriminimin që shoqëron gratë që kryejnë një vepër penale, si në ambientin shoqëror, edhe atë familjar. Nisur nga kushtet specifike të grave të dënuara si nëna e bashkëshorte, zonjat e rrjetit “Barazi në vendimmarrje” i kërkuan kryetarit të shtetit që ta shohë me përparësi kategorinë e grave në ushtrimin e së drejtës kushtetuese për falje ose ulje dënimi. Kryetari i shtetit vuri në dukje se janë bërë përparime të pamohueshme në përfshirjen e grave në vendimmarrje e natyrisht mund të bëhet më shumë edhe duke forcuar solidaritetin femëror në sfidat e përbashkëta.
Presidenti Topi i garantoi ato se do ta marrë në konsideratë këtë ndjeshmëri të tyren dhe se institucionalisht do të angazhohet edhe në lehtësimin e kushteve të tyre në institucionet ku vuajnë dënimin.
9 Dhjetor 2009