E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria feston 8 dhjetorin, Berisha: “Do ta bëjmë festë kombëtare”



Eljona Ballhysa
Demokratët përkujtuan dje, në një miting madhështor, 8 dhjetorin, ditën e fillimit të Lëvizjes Studentore të vitit 1990, që solli rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri dhe i hapi rrugën pluralizmit demokratik. Megjithatë, në tribunën e mitingut të djeshëm, ashtu sikurse pritej, mungonin figurat që morën pjesë në Lëvizjen Studentore të dhjetorit ’90. Figura kryesore e mitingut ishte kryeministri Berisha, i cili, gjatë fjalës së tij, përveçse ngriti lart meritat e PD-së dhe të qeverisë që ai drejton për vendosjen e demokracisë në vend, për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe për liberalizimin e shpejtë të vizave, hodhi akuza në drejtim të PS-së. Sipas tij, “mbeturinat e bllokmenëve të rinj nuk do ta ndalin kurrë vrapin tonë”. Berisha gjithashtu u premtoi qytetarëve të shumtë të transportuar më autobusë nga rrethe të ndryshme të vendit dhe të mbledhur në sheshin “Skënderbej” që prej orëve të mesditës, se 8 dhjetori do të bëhej shumë shpejt festë kombëtare.
Fjalimi
Në fjalën e tij Berisha e cilësoi 8 dhjetorin si ditëlindjen e dinjitetit njerëzor dhe përkujtoi udhëheqësin e Lëvizjes Studentore, të ndjerin Azem Hajdari. “Në fillim të dhjetorit të vitit ‘90 studentët e Universitetit të Tiranës me në krye tribunin e lirisë, Azem Hajdarin, me një guxim legjendar, me kurajën mbinjerëzore do të përballeshin me regjimin me të egër komunist. Nder përjetë studentëve, djemve dhe vajzave, burrave dhe grave që shembën 19 vite më parë Murin e Berlinit në Tiranë dhe sollën lirinë për shqiptarët. Qytetarë të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë, 8 dhjetori nuk është vetëm dita e kurajës, trimërisë, guximit, por është për ne dita e lindjes së shpresës së njerëzve të pashpresë. 19 vjet më parë ne shembëm perden e hekurt dhe çelëm dritën e lirisë për vendin tonë. Ne sot jemi më shumë se kurrë dhe më me shpresë se kurrë në historinë tonë. Thirrja jonë vëllazërore për çdo shqiptar është që le të rendim së bashku në ditën e shpresës së madhe që çelën studentët shqiptarë 19 vjet më parë. 8 dhjetori është për ne, për mbarë shqiptarët, dita e së ardhmes”, - është shprehur kreu i qeverisë.
Berisha më tej ka shtuar se e ardhmja e Shqipërisë është drejt integrimit europian dhe liberalizimit të vizave, ndërsa ka sulmuar opozitën. “Mbeturinat e bllokmenëve të rinj s’do ta ndalin kurrë vrapin tonë. Thirrja jonë vëllazërore është: Eja me ne që të vrapojmë drejt së ardhmes që meritojmë! 8 dhjetori është dita e amshuar dhe e bekuar, dita e ngadhënjimit të idealit europian të rinisë shqiptare që ngritën lart vokacionit perëndimor me thirrjen ‘Shqipëtia si gjithë Europa’. Më 8 dhjetor u hapën njëherë e përgjithmonë dyert e mbyllura të Europës. Shqipëria nisi rrugën e saj drejt një Shqipërie zonjë, siç e duan të gjithë shqiptarët. Ne, që më 8 dhjetor të vitit ‘90 përmbysëm tiraninë, shkatërruam Bllokun dhe hapëm dyert e mbyllura të Europës, ne jemi burrat e gratë që në prill të vitit 2009 firmosën në Strasburg anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Ne, në këtë shesh dhe mbarë shqiptarët festojmë sot 8 dhjetorin më krenarë së kurrë, sepse vijmë këtu pasi kemi shndërruar në realitet ëndrrën e kombit për t’i bërë pjesë e NATO-s. 8 dhjetori është dita e marshit të anëtarësimit tonë drejt BE-së dhe fluturimit tonë pa viza në hapësirën e pafundme europiane. Ne që shembëm mure, blloqe e diktatura, së shpejti do të fshijmë kufijtë dhe do të lëvizim pa viza në mbarë Europën. Në emrin tuaj i garantoj ata që me plehrat e Bllokut të djeshëm, me kockat e mafies do të tentojnë të na pengojnë, se do të përballen me ligjin”, - është shprehur kryeministri Berisha.

9 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›