Rregullorja: Klientët që kanë probleme me regjistrin e kredive, të ankohen
Ervin KOÇI
Klientët e bankave të nivelit të dytë në vendin tonë, të cilët mund të kenë probleme me sistemin e regjistrit të kredive, mund të ankohen. Këtë të drejtë ua njeh atyre Banka e Shqipërisë, e cila duke marrë parasysh problemet e krijuara nga të dhënat që bankat raportojnë te regjistri i kredive, ka miratuar një rregullore të re në korrik të këtij viti. Më anë të kësaj rregulloreje, BSH-ja i ka hapur mundësinë çdo klienti banke që e ka emrin te regjistri, të kërkojë një raport dhe të ankohet në rast se vëren pasaktësi në të. Kërkesa për të marrë një raport bëhet përkundrejt pagesës prej 500 lekësh dhe BSH-ja merr përsipër të përgjigjet brenda një dite. "Në çdo rast që kredimarrësi nuk është dakord me të dhënat që përmban raporti i kredimarrësit, ka të drejtë t‘i drejtohet BSH-së, për të kërkuar verifikimin/rishikimin e të dhënave/informacionit që ekziston për të në Regjistrin e Kredive dhe për të kryer ndryshimet e nevojshme. Kjo kërkesë mund të paraqitet nga vetë kredimarrësi ose nga një person tjetër, i autorizuar me shkrim prej tij",- thuhet në rregulloren e re të BSH-së. Bankat kanë detyrimin të rishikojnë të dhënat për klientin që ankohen brenda pesë ditësh. Por rregullorja nuk përmban ndonjë penalizim për bankën, në rast se klientit i shkaktohen shqetësime apo probleme.
Të dhënat
Problemet e konkurrencës që kanë bankat e nivelit të dytë në vend midis njëra-tjetrës janë shfaqur me kohë, duke rënduar mbi klientët e tyre por dhe duke detyruar BSH-në që të hartoi një rregullore apostafat në bazë të së cilës klientët e pakënaqur nga klasifikimi në regjistër, mund të ankohen pranë saj (BSH-së), për korrigjimin e të dhënave. Rregullorja e re hyri në fuqi më 15 gusht 2009, por nuk përmban penalitete për bankat që raportojnë të dhëna të gabuara, përveç kërcënimit se moskorigjimi i të dhënave i jep të drejtë BSH-së të pezullojë aksesin e bankave në të dhënat e regjistrit. Për më tepër, rregullorja e re nuk u reklamua kurrë dhe vetëm një grup i vogël shqiptarësh e dinë ekzistencën e saj.
Problemet
Ekzistenca e problemeve të tilla në regjistër i ka shtyrë një pjesë të bankave të mos i marrin si shumë të rëndësishme të dhënat e regjistrit. Disa i janë rikthyer metodës së vjetër të vlerësimit të gjendjes financiare të klientëve nga themelet, një vlerësim që mbart kosto të panevojshme si për klientët, ashtu edhe për bankat. Bankat në Shqipëri janë akuzuar shpesh si institucione që spekulojnë në kurriz të klientëve, duke përdorur mënyra që ndoshta bien ndesh me ligjin “Për konkurrencën”, ndërkohë që shumë kushte kontraktuale mund të bien ndesh me Kodin Civil. Autoriteti i Konkurrencës i ka vendosur bankat nën mbikëqyrje, por asnjë vendim nuk është marrë deri më sot.
Regjistri i kredive, prej 3 vjetësh në fuqi
I krijuar në vitin 2007, regjistri i kredive kishte për qëllim që të lehtësonte koston që ka analizimi i një klienti të ri për bankat e nivelit të dytë dhe agjencitë e ndryshme të kreditimit në vend. Teorikisht, një klient që ka një histori marrëdhënieje me bankat dhe e ka atë të pastër, duhet të përfitojë kredi më të lira, për shkak se mbart edhe normë më të ulët rreziku. Në regjistër janë emrat e mbi 200 mijë shqiptarëve që kanë marrë së paku një kredi në pesë vitet e fundit.
9 Dhjetor 2009