E Diel, 1 Nëntor 2026

PS-ja pranohet anëtare me të drejtë vote në Partinë Socialiste Europiane

Edi Rama zgjidhet anëtar i Presidencës së socialistëve europianë

Partia Socialiste e Shqipërisë është zgjedhur anëtare me të drejta të plota e grupit të partive socialiste europiane në kongresin që ky formacion politik po zhvillon në Pragë. Ndërsa kryetari i PS-së, Edi Rama, është zgjedhur anëtar i Presidencës së PSE-së. Presidenti i PES, Poul Nayrup Rasmussen, me rastin e anëtarësimit të PSSH-së në familjen e socialistëve europiane, në mesazhin e tij u shpreh se sot është një ditë historike dhe shpreson që socialistët shqiptarë do të dinë të ecni përpara duke përdorur të gjitha mjetet demokratike, “ashtu si ne të gjithë bëjmë brenda familjes sonë”. Në fjalën përshëndetëse për këtë ngjarje të rëndësishme për socialistët shqiptarë kryetari i grupit socialist në Parlamentin Europian, Martin Schultz, nënvizoi se “ky është një sukses i madh për të gjithë ne, por është, mbi të gjitha, një sukses edhe për Shqipërinë, pasi është një hap më tej drejt Europës”. “Ne, socialistët europianë, besojmë se Partia Socialiste e Shqipërisë është një anëtare e re, e fortë dhe e rëndësishme për familjen tonë. Ka shumë gjëra që duhen bërë në vitet që do të vijnë. Na duhet të përmirësojmë më tej jetën e qytetarëve tanë në të gjithë Europën, e sidomos në vendin tuaj”, - ka nënvizuar Schultz. Kryetari i grupit socialist në Parlamentin Europian theksoi në fjalën e tij se ajo për të cilën socialistët europianë kanë nevojë është demokracia, drejtësia sociale dhe respekti për shtetin ligjor, parime këto të rëndësishme, sidomos për Shqipërinë në këto momente. Schultz ka shprehur në fjalën e tij urimet me të mira kreut të PS-së Edi Rama dhe gjithë anëtarëve të kësaj partie që luftojnë për parimet e përbashkëta: demokracia, drejtësia sociale dhe shteti ligjor.
Rama
Ndërsa kryetari i PS-së, Edi Rama, ka vlerësuar në komentet e tij se ky është një moment historik për Partinë Socialiste, për gjithë socialistët dhe progresistët shqiptarë, sepse sot ata janë anëtarë me të drejtë vote në Partinë Socialiste Europiane. Sipas Ramës, PSSH është integruar në BE, duke u bërë pjesë e PSE-së me të drejtë vote, me përfaqësi në Kongresin dhe Presidencën e saj. “Jam shumë krenar që ne kemi paskëtaj jo vetëm të drejtën, por edhe të gjitha mundësitë që të ngremë zërin dhe të bëjmë që zëri ynë të dëgjohet në këtë strukturë të socialistëve dhe progresistëve europianë, që ka zëdhënësit e vet në Parlamentin Europian dhe mishëron idealet e këtij shekulli, duke përfaqësuar të gjitha Partitë Socialiste dhe progresistë të BE-së dhe duke pasur në përbërjen e saj të gjithë liderët socialistë dhe progresistë që kanë drejtuar, drejtojnë dhe do të drejtojnë vendet e BE-së dhe që sjellin në këtë parti eksperiencën e jashtëzakonshme dhe fuqinë e jashtëzakonshme të së majtës europiane”, - ka theksuar Rama. Duke iu referuar ngjarjeve në Shqipëri dhe krizës së thellë politike në të cilën është zhytur vendi, Rama nënvizoi në fjalën e tij se PSE është shprehur qartë në mbështetje të PSSH, në mbështetje të kërkesave të saj legjitime, për të bërë transparencën e plotë të procesit elektoral të 28 qershorit, në mbështetje të një hetimi të thellë dhe të plotë parlamentar, duke filluar nga transparenca e kutive të votimit. Sipas tij, është shumë e rëndësishme që socialistët dhe progresistët shqiptarë kanë marrë këtë mbështetje. “Ne kemi marrë mbështetje të plotë edhe nga PSE për qëndrimin tonë lidhur me domosdoshmërinë që procesi i liberalizimit të vizave të përshpejtohet në nivelin e BE-së dhe që Shqipëria e shqiptarët të mos paguajnë asnjë kosto për një proces politik të mbërthyer nga një ngërç i madh, që është marrë peng nga pushteti i Sali Berishës, por përkundrazi, të lëvizin lirisht një orë e më parë, si gjithë të tjerët në Ballkan, kur për fat të keq ne kemi mbetur të fundit”, - ka deklaruar Rama. Me votimin e PS-së shqiptare, numri i partive socialiste europiane shkon në 29. Në këtë grupim bëjnë pjesë parti si PASOK-u e kryeministrit grek Papandreu, Partia Laburiste angleze e Gordon Braun, demokratët e majtë italianë të Piero Fassinos, Partia Socialiste Franceze e Martin Aubry, Partia Demokratike Serbe e Boris Tadiç, Partia Socialiste Spanjolle e kryeministrit Zapatero, e kryeministrit portugez Sokrates, e kancelarit të Austrisë Fauman, e kryeministrit sllovak Robert Fico, e kryeministrit slloven Borut Pahor etj.

9 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›