E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brukseli: Partitë të vazhdojnë dialogun politik



BRUKSEL – Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian kanë ripërsëritur dje në Bruksel vazhdimin e dialogut politik mes partive politike duke kërkuar përfshirjen në Kuvend. Përmes një deklarate të lëshuar ditën e martë është dërguar një mesazh i qartë për politikën shqiptare: “Bashkimi Europian kërkon nga të gjitha partitë politike në Shqipëri të vazhdojnë një dialog konstruktiv politik, duke u përfshirë në Parlament. Sipas tij, “Këshilli mirëpret progresin e arritur në disa fusha, veçanërisht në reformën zgjedhore dhe nisjen e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. “Zgjedhjet parlamentare i përmbushin pjesën më të madhe të standardeve ndërkombëtare, por patën disa të meta të nxjerra në pah nga raporti ODIHR-it, të cilat duhet të përmirësohen gjatë rrugës”. Ministrat e Jashtëm të BE-së kanë theksuar edhe sfidat që kanë institucionet në vend. “Forcimi i sundimit të ligjit dhe veçanërisht lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe funksionimi i duhur i institucioneve shtetërore, në veçanti, pavarësia e Gjyqësorit, mbeten sfidat urgjente për Shqipërinë”. Po ashtu, kërkohet “forcimi i mëtejshëm i kapaciteteve administrative dhe nevojitet të garantohet pavarësia e administratës”. “Përpjekje më të mëdha duhet të bëhen në përmirësimin e kushteve për lirinë e medias”, - thotë deklarata, e cila vlerëson reformat e bëra nga qeveria shqiptare në kuadrin e dialogut për liberalizimin e vizave. Këshilli i kërkoi Komisionit në muajin nëntor që të përgatisë opinionin e tij rreth aplikimit të Shqipërisë për anëtarësim në BE. “Aplikimi do të vlerësohet në bazë të parimeve të Traktatit të Lisbonës dhe kritereve të përcaktuara nga Këshilli Europian i Kopengagenit në vitin 1993, si dhe nga konkluzionet e Këshillit Europian të dhjetorit të vitit 2006 për konsensusin e arritur rreth zgjerimit”, - thekson deklarata që merret me marrëdhëniet e Tiranës zyrtare me Brukselin. Së fundi, Këshilli thotë se “ka pranuar të shqyrtojë kërkesën atëherë kur Komisioni Europian do të paraqesë opinionin e tij”. Kjo është deklarata e parë që bëhet nga strukturat e reja të Bashkimit Europian pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës më 1 dhjetor dhe emërimit të presidentit të ri të BE-së dhe shefit të ri për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë. Qeveria shqiptare ka aplikuar për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE gjatë presidencës çeke, në muaji prill të këtij viti. Rreth katër javë më parë kërkesa është pranuar dhe procedurat i kanë kaluar Komisionit Europian. Raporti i Progresit që nxori Brukseli në muajin tetor kërkon nga institucionet shqiptare që të merren reforma, sidomos në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, pavarësinë e Gjyqësorit dhe sundimin e shtetit ligjor.
A. Gjoka

9 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›