Bashkëpunimi ekonomik me Turqinë drej zgjerimit të vazhdueshëm
Bashkëpunimi ekonomik mes Shqipërisë dhe Turqisë ka ardhur duke u zgjeruar vazhdimisht, sidomos gjatë viteve të fundit. Edhe gjatë këtij viti, Turqia vazhdon të mbetet një ndër partnerët kryesorë të vendit tonë në tregtinë e jashtme, pas Italisë dhe Greqisë. Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave (INSTAT), gjatë muajit korrik 2009, Turqia ka qënë një treg i rëndësishëm për importin e mallrave të ndryshme. Gjatë këtij muaji janë importuar nga ky vend mallra të ndryshme me një vlerë prej 2,047 miliardë lekë, ndërsa gjatë 7 muajve te këtij viti (janar-korrik) nga tregu turk janë importuar mallra me një vlerë prej 15,666 miliardë lekë (nga 15,143 miliardë lekë që ishte kjo shifër në vitin e kaluar). Vendin kryesor të mallrave të importuara nga Turqia gjatë 7 muajve të vitit 2009 e ka zënë grupi "Materiale ndërtimi dhe metale" me 5,150 miliardë lekë, ai "Makineri, pajisje e pjesë këmbimi" me 2,668 miliardë lekë, "Produkte kimike e plastike" me 2,437 miliarde lekë, etj. Sipas të njëjtave burime, drejt tregut turk gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti janë eksportuar mallra të ndryshme me një vlerë prej 367 milionë lekë, ku vendin kryesor e kanë zënë grupet "Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike", "Ushqime, pije e duhan", "Makineri, pajisje, pjesë këmbimi", etj. Gjatë vitit të kaluar importi me Turqinë ishte në shumën e 26,242 miliardë lekë, ndërsa eksporti 2,157 miliardë lekë. Nga tregu turk u importuan 7,436 miliardë lekë materiale ndërtimi e metale, 4,281 miliardë lekë makineri, pajisje e pjesë këmbimi, 3,869 miliardë lekë produkte kimike e plastike, etj. Gjatë vitit të kaluar, konkretizimi i zgjerimit të bashkëpunimit tregtar me Turqinë u evidentua edhe gjatë organizimit në Tiranë të Panairit të 4-t të prodhimeve turke në Shqipëri, që u shoqërua me nënshkrimin e Memorandumit të bashkëpunimit mes Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës dhe asaj të Stambollit.
...