E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohen abuzimet me kredinë e BB për ujësjellësit

 

Fabiola Çela

Zbulohen shkelje të reja nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Këtë herë ekspertët e KLSH-së kanë kaluar në ‘skaner’ projektin bashkiak të furnizimit me ujë për qytetet Durrës, Fier, Lezhë dhe Sarandë, si dhe në portin detar të Vlorës. Nga kontrolli ka rezultuar se zyrtarët kanë kryer një sërë shkeljesh, çka kanë shkaktuar dëme financiare.
Shkeljet
Në projektin bashkiak të furnizimit me ujë për qytetet Durrës, Fier, Lezhë e Sarandë, si dhe në menaxhimin e kredisë së Bankës Botërore prej 15 milionë dollarësh, ishte parashikuar të realizohej nga një operator privat. Kjo do të synonte rritjen e performancës së ndërmarrjeve, si dhe transformimin e tyre në një njësi vetë-financuese, që të sigurojnë vazhdimisht ujë të mjaftueshëm me kosto të përballueshme por nga kontrolli rezultuan të jenë kryer shkelje. Sipas zëdhënësit të KLSH, Edvin Morava, operatori privat “Berlinwasser International”, ka përfituar padrejtësisht shpërblim nxitës në shumën 471,5 mijë dollarë. Marrja e këtij shpërblimi ka rezultuar të jetë i padrejtë, pasi nuk është bazuar në rishikimin e treguesve të llogaritjes. Ky operator privat i ka paguar konsulentit shtesë të kontratës bazë në vlerën 455 mijë euro, të cilat janë dëm ekonomik pasi këto punime konsulenti duhet t’i kryente në fazën e parë të kontratës bazë, për të cilat dhe është paguar. Morava shpjegon se nga kontrolli i KLSH ka rezultuar se ky operator ka lidhur kontratën me konsulentin në kundërshtim me ligjet, duke shkaktuar një dëm ekonomik prej 140 mijë euro dhe 112 mijë dollarë, si rezultat i mosmbajtjes së tatimit në burim dhe afër 273 mijë euro nga shmangia e detyrimit të pagesës së kontributit të sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Ky operator ka lejuar tejkalimin e shumës së kredisë në vlerën 1.3 milionë dollarë, kryesisht në shpenzimet për shërbimet e konsulencës, si dhe nuk ka mbajtur dhe nuk ka dorëzuar dokumentacionin e duhur ligjor, lidhur me veprimtarinë për zbatimin e projektit. Ndërsa nga ana tjetër komiteti ekzekutiv i projektit, i përbërë nga 6 anëtarë, nuk ka ushtruar kompetencat dhe detyrat si përfaqësues i organit shtetëror të autorizuar në mbikëqyrjen e kontratës së menaxhimit. Gjithashtu komiteti ka lejuar që operatori privat të mos realizojë objektivat e projektit, si dhe të keqpërdorë fondet e kredisë. Nga kontrolli i KLSH-së, shkelje janë konstatuar edhe në Portin detar të Vlorës. Pas kontrollit të ekspertëve të KLSH-së, ka rezultuar të ketë shkelje në fushën e zbatimit të procedurave të prokurimit publik në 5 raste të shoqëruara me dëme financiare në shumën 579 mijë lekë. Drejtoria dhe Këshilli Mbikëqyrës nuk ka marrë në analizë dhe nuk ka nxjerrë përgjegjësitë për mosrealizimin e investimeve për vitet 2007-2008. Nuk ka bërë mobilizimin e depozitave me afat dhe mjeteve monetare të lira në bono thesari ose duke vëzhguar tregun bankar në funksion të rritjes së të ardhurave të shoqërisë. Nuk janë analizuar shkaqet e anulimeve për tenderat në vitet 2007-2008. Për të gjitha këto shkelje, KLSH-ë ka kërkuar marrjen e masave administrative.
Masat
KLSH ka kërkuar nga institucionet përkatëse shqiptare të nisin procedurat pranë Bankës Botërore për klasifikimin e kompanisë “Berlinwasser International” në listën e zezë të saj, me qëllim që kjo kompani të mos ketë më të drejtën e pjesëmarrjes në tendera kombëtar e ndërkombëtar dhe të lidhë kontrata me fonde të buxhetit të shtetit dhe të donatorëve në vend. Gjithashtu ka kërkuar që të fillojnë procedurat për dhënien e masës disiplinore ‘Vërejtje me paralajmërim nga puna’, për Drejtorin e Përgjithshëm të Ujësjellës Kanalizimeve, Petrit Zeneli. Kontrolli i lartë i shtetit ka kërkuar edhe largimin nga puna të drejtorit të Portit detar të Vlorës, Kreshnik Alimeka. Si dhe ka dërguar për kallëzim penal në prokurori, ish kryetarin e këshillit mbikëqyrës, Spiro Gjidede, si dhe për dy ish drejtorë, Petrit Tafili e Platon Arapi.

Shkeljet

    579 mijë lekë dëme janë kryer në portin detar të Vlorës,
    471,5 mijë dollarë shpërblime në mënyrë të padrejtë ka përfituar operatori privat “Berlinwasser International”
    455 mijë euro shtesë i ka paguar konsulentit në fazën e parë të kontratës bazë, për të cilat dhe është paguar më parë
    1.3 milionë dollarë, është tejkalimi i shumës së kredisë në vlerën kryesisht në shpenzimet për shërbimet e konsulencës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›