E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Mjerë historia për çunin e Xhelilit dhe të Kristaqit

Kryeministri Sali Berisha ka vlerësuar dje si të shkëlqyer vizitën e tij në SHBA si dhe prezantimin e projektit evropian të Shqipërisë, lobingun për njohjen e Kosovës dhe njohjen e aksionit diplomatik të Tiranës zyrtare. Diplomacia e Xhelil Gjonit dhe e Kristaq Ramës paraqiten si shembulli më i mirë i projekteve joshqiptare që paraqet sot Edvin Rama

Kryeministri Sali Berisha, menjëherë pas kthimit nga SHBA, ku mori pjesë në punimet e sesionit të 64-t, të Asamblesë së OKB-së, në Nju Jork, informoi dje për mediat, mbi këtë vizitë të rëndësishme të tij dhe axhendën e ngjeshur të takimeve me personalitetet evropiane dhe botërore. Berisha theksoi se prania e tij dhe përfaqësimi i Shqipërisë në debatin e Asamblesë së OKB-së, ka një rëndësi të veçantë, pasi vendi ynë është shpallur vendi pilot në kuadër të reformës së këtij organizmi ndërkombëtarë dhe njëherazi shto këtu kontributin e çmuar që ka dhënë në drejtim të çarmatimit bërthamor dhe iniciativave të tjera në drejtim të përpjekjeve botërore, për ndryshimin e klimës.  
Kreu i qeverisë u shpreh se qëllimi i tij kryesor, lidhur me pjesëmarrjen në këtë debat ka qenë promovimi i Shqipërisë, reformave dhe angazhimit të qeverisë mbi projektin evropian dhe lobimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës, si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. “Përveçse të ekspozoja këto që thashë më sipër, edhe të loboja fuqishëm e të paraqisja qëndrimin e Shqipërisë për rolin shumë të rëndësishëm që Kosova e pavarur po luan në paqen dhe stabilitetin e rajonit. Sigurisht ishte edhe një angazhim i madh në drejtim të njohjes së saj. Gjatë qëndrimit tim, që nuk mund të mos them të zgjatur, por që nuk varej nga unë, unë shfrytëzova qëndrimin në Samite për takime intensive me liderë botërore, të pranishëm aty, me tre qëllime kryesore: së pari, integrimi i Shqipërisë dhe projekti evropian i saj; së dyti, marrëdhëniet bilaterale dhe projektet konkrete të investimeve në Shqipëri dhe së treti, lobimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës”, u shpreh kryeministri Berisha.
Shefi i ekzekutivit vlerësoi si një moment shumë të rëndësishëm takimin e tij me Presidentin e SHBA-ve, Barak Obama dhe Zonjën e Parë, Mishele Obama. Berisha u shpreh optimist për vizitën e Presidentit Obama në Shqipëri. “Mendoj se ishte një rast i jashtëzakonshëm për mua, një takim të shkurtër intensiv e të përzemërt me Presidentin Obama dhe zonjën e parë gjatë pritjes shumë të fisshme që Presidenti shtroi në Metropolitan Museum të Nju Jorkut. Ishte kënaqësi për mua të merrja edhe një herë urimin e vlerësimin e Presidentit Obama për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, por edhe faktin se Presidenti dhe Zonja e parë në Çikago ishin njohur dhe kishim miq shqiptarë, me të cilët kishin punuar. Natyrisht ajo kohë e kufizuar, para së gjitha, u përdor nga unë për të ftuar Presidentin dhe Zonjën e parë për të vizituar Shqipërinë. Premtimet janë shumë shpresëdhënëse. Presidenti e vlerësoi ftesën time dhe unë u ndava i bindur se Presidenti Obama dhe Zonja e parë do të vizitojnë Shqipërinë në një udhëtim rajonal”, deklaroi Berisha.
Kryeministri informoi më tej se gjatë qëndrimit në SHBA, ka zhvilluar një seri takimesh të tjera, ndër të cilat Berisha vlerësoi atë me kryeministrin e Japonisë, Presidentin Francez, Emirin e Katarit, kryeministrat e BE dhe kryeministrat e vendeve fqinje të rajonit etj. “Unë zhvillova një takim të përzemërt me kryeministrin e Japonisë. Japonia është një vend bujar dhe mik që gjatë 18 viteve ka ndihmuar Shqipërinë. Ishte një rast për t’i shprehur mirënjohjen qeverisë japoneze, për ta ftuar kryeministrin japonez, për një vizitë ën Shqipëri. Ai pranoi me kënaqësi ftesën. U takova dhe pata biseda shumë të frytshme me kryeministrin e Suedisë, të Hollandës. Suedia mban rol kyç mbi integrimin e Shqipërisë në BE. Takova kryeministra të rajonit. Emirin e Katarit, kryeministrin e Bangladeshit. Një takim pata edhe me presidentin Sarkozi dhe Zonjë e Parë, Karla Bruni. Kryeministrin e Danimarkës, të Zelandës së Re, të Australisë. I ftova për një vizitë në Shqipëri dhe kam besim se në axhendën e tyre, është edhe vizita në Shqipëri”, deklaroi kryeministri. Berisha tha se “në këto takime, integrimi dhe heqja e vizave pati një vemëndje të veçantë”. “Kërkova mbështetje bazuar në performancën e Shqipërisë. Ky është interesi më i mirë i qytetarëve. Autoriteti shqiptar duhet të performojë në standarde, reforma. Unë gjeta një besim shumë pozitivi, për zgjedhjet dhe raportin e ndërkombëtarëve për zgjedhjet. Këto janë procese që ndjekin rrugën e tyre dhe unë jam i bindur se janë të pandalshme dhe të parikthyeshme”, tha Berisha.
Për sa i takon lobimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës, Berisha u shpreh se “në të gjitha takimet që kam zhvilluar, kam kërkuar për njohjen e pavarësisë”.
“Mendimi i përgjithshëm është pozitiv, për njohjen e pavarësisë në një kohë të shkurtër. Faktikisht një progres i admirueshëm. Në linjën e parë të këtij procesi ishte presidenti Sejdiu. Pasi unë trajtoja çështjen bashkëbiseduesit më thoshin: ‘pas teje pres Sejdiun’”, tha kryeministri.
Berisha u shpreh gjithashtu se takimet e tij, por edhe në fjalën para anëtarëve të Asamblesë së OKB-së, është ndalur në projekte konkrete për investime në Shqipëri.
“Me Emirin e Katarit diskutova projektin e gazit, ndërtimin e një impianti gjigant të rigazifikimit dhe termocentralit të madh me gaz në Shqipëri. Vendi i tij është një nga prodhuesit më kryesorë në botë të gazit dhe veçanërisht të gazit të lëngshëm. Emiri tregoi interes të madh për të investuar në Shqipëri. Kryeministri i Kuvajtit më premtoi angazhimin e tij personal për të ndjekur të gjitha zhvillimet mbi boshtin e jugut,  segmentin Berat-Tepelenë”, tha Berisha.
Kryeministri vlerësoi si një moment me simbolikë të fuqishme mbylljen e veprimtarisë ditore të NASDAQ, veshja e “Time Square” dhe e bursës më transparente e më dixhitale të njerëzimit me flamurin shqiptar, një mbyllje shqiptare, e ndjekur ‘live’, nga mediat më të mëdha të botës.
“Kjo kishte simbolikën e vet të madhe. Shqipëria ku ishte, me ekonominë e saj hiperkolektiviste dhe ku është sot. Do mbetet e pashlyer në memorien time kjo veprimtari shpresëdhënëse, me një simbolikë të fuqishme”, shtoi kreu i qeverisë.
Gjithashtu Berisha evidentoi se gjatë qëndrimit në SHBA, një veprimtari shumë të rëndësishme të delegacionit, do të konsideronte takimet me diasporën. “Janë shumë frymëzues për mua. Diaspora shqiptare në të gjitha kohërat ka dhënë dhe jep një kontribut të jashtëzakonshëm për kombin dhe vendin. Sa herë që ndodhem midis tyre, në mendjen time qarkullojnë me qindra dhe mijëra herë vargjet e Nolit ‘Mbahu nënë, mos ki frikë, se i ke djemtë në Amerikë’. Shqipëria është e lirë, por në këto takime ke përpara një grup njerëzisht që kanë vendosur çdo gjë për çështjen shqiptare, kanë mobilizuar pasuritë e tyre, kohën, kanë krijuar lidhjet më të fuqishme, për të promovuar në 20 vitet e fundit, çështjen e Kosovës”, tha më tej kryeministri.
Gjithashtu Berisha, i’u referua edhe çeljes së sesioni  të 64-ët të Asamblesë së OKB-së, me një samit për ndryshimin e klimës në të cilin presidenti Obama, mbajti një fjalim inkurajues.
Sipas kryeministrit, një tjetër temë që i trajtua me unanimitet ishte çarmatimi bërthamor.
“Obama në fjalën e tij në sesionin e OKB-së, pas samitit të klimës, renditi 4 shtylla kryesoren mbi të cilat, përcaktojnë tagrin e njerëzimit, si rrugën e vetme për të ulur aftësitë vrasëse. Në unanimitet u miratua një rezolutë për shkatërrimin e armëve bërthamore. Kjo rezolutë u miratua me unanimet”, tha Berisha.
Për sa i takon Shqipërisë në këtë sesion, Berisha tha se kishte pozicionin e saj modest. “Ne jemi vendi, në të cilin furnizimi i energjisë në masën 94 për qind, është energji e pastër. Vendi me potenciale shumë të mëdha me energji të rinovueshme. Ndonjëherë, të jepet mundësia të jesh edhe pararendës. Dhe Shqipëria është e tillë. Sikur bota të kishte jo në përqindjen e Shqipërisë, por në gjysmë e kësaj përqindje, ju garantoj se problemet e klimës nuk do të ekzistonin, ose do të ishin minimale. Zotimi ishte se ne do të shfrytëzojmë të gjitha potencialet e energjisë së rinovueshme”, tha Berisha, duke iu referuar vizitës së tij në SHBA.

Zoti kryeministër, ju  thatë që kërkuat mbështetje për integrimin e vendit bazuar në performancën e Shqipërisë. Si mund të ketë performancë pozitive Shqipëria kur dialogu dhe debati politik vazhdon të mbetet në nivelin zero. A do të pranoni kërkesën e opozitës për hapjen e kutive?
Unë mendoj se shkalla e përgjegjësisë ndaj vendit dhe shoqërisë shqiptare janë obligimi më madhor i të gjithë faktorëve politikë shqiptarë dhe në radhë të parë të faktorëve politikë kryesorë. Mendoj se në prag të zhvillimeve të mëdha për vendin dhe shoqërinë shqiptare, siç është liberalizimi i vizave dhe statusi i kandidatit, opozita shqiptare duhet të jetë në lartësinë e idealeve evropiane dhe duhet të dëshmojë qartë se është për favorizimin dhe jo dëmtimin e këtyre proceseve. Për sa u përket zgjedhjeve qëndrimi im është një dhe vetëm një. Zgjedhjet janë një proces themelor i një demokracie. Në të gjithë botën e qytetëruar, palët pranojnë një gjykatës. Pasi ato i kanë paraqitur atij të gjitha pretendimet dhe ai del në një përfundim mendoj se asnjëra palë nuk ka më dhe nuk mund të ketë të drejtë të mos i përmbahet verdiktit të tyre. Në këtë kontekst, në historinë e këtij vendi, tre zgjedhjet e para  në të cilat watchdog-u ndërkombëtar shkruan se u plotësuan angazhimet kryesore të OSBE-ODIHR dhe se vlerësimi për këto zgjedhje dhe vlerësimi i përgjithshëm për zgjedhjet është pozitiv, shkruan se nuk ka pasur prova për numërim të parregullt, as dhe manipulim të rezultateve. Kjo do të thotë se: u dëgjove dhe nuk qëndron në ato që the. Ka pasur raste që watchdog-u ndërkombëtar ka shkruar krejt tjetër. Për këtë lexoni raportin e vitit 2001, kur thotë se opozita paraqiti prova për të gjitha këto (duke renditur çështjet), ndaj dhe ajo çfarë i garantoj unë opozitës është kjo :së pari të dëgjohet zëri i saj plotësisht në të gjitha reformat që ne ndërmarrim për integrimin e vendit dhe të jetë së bashku me mazhorancën  bashkautorë në këto reforma, së dyti watchdog-u përfundimtar ka lënë një seri detyrash, rekomandimesh. Unë garantoj opozitën se, ashtu si deri më sot që në reforma ka pasur zërin kryesor, ashtu do të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe nuk mund të tregojë qoftë edhe një nen të vetëm që unë ua kam diktuar atyre, përkundrazi kam pranuar me dhjetëra e dhjetëra përcaktime të tyre sepse unë kështu e konsideroj, që opozitës duhet ti japësh garanci maksimale.
E vërteta, duhet të theksoj nuk kanë kërkuar gjëra, të cilat bien ndesh me standardet e OSBE-së dhe sërish jam i bindur që po në këtë kuadër, do të kenë zërin kryesor. Nuk mund të them asgjë më shumë se këto. Vendin në parlament ua kanë dhënë zgjedhësit, aty i kanë, kur të vendosin.

Cili do të jetë qëndrimi zyrtar, për sa i përket enciklopedisë të përpiluar nga akademikët maqedonas, pasi ju keni pasur pa dyshim një takim me homologun tuaj maqedonas, gjatë vizitës suaj në SHBA?
Për sa i përket këtij problemi më duhet të them se ky ishte një shpërthim racist ndaj shqiptarëve, duke dëshmuar se ai institucion ka mbetur në stadin e Çubrilloviçit, por nga ana tjetër më duhet të theksoj se shqiptarët nuk kanë pse të impresionohen nga asnjë ndërhyrje e atyre që kanë probleme me identitetin e tyre. E gjithë doktrina e vjetër, raciste, antishqiptare e fqinjëve tanë është e bazuar në dy shtylla kryesore, në pasigurinë genuine që ndjejnë, jo për faj të shqiptarëve, është e bazuar në përpjekjet e kërkimit të identitetit, sepse ata që falsifikojnë historinë e tyre të cilën e shkruajnë një herë në një mënyrë, e njëherë në një tjetër, të cilët thonë se njëherë kemi ardhur në shekullin e 6 e njëherë, në shekullin e 26 para Krishtit, ata dëshmojnë se janë në kërkim të identitetit. Shqiptarët nuk janë në kërkim të identitetit. Shqiptarët kanë qenë këtu, në të gjitha kohërat, kanë vuajtur për shumë gjëra, por kurrë nuk kanë vuajtur për identitet, pra duhet të kesh një vetëdije për këtë. Sidoqoftë unë kam besim, duke marrë parasysh faktin se Presidenti i Maqedonisë e konsideroi këtë një problem serioz dhe më siguroi se pas kthimit në vendin e tij, pasi ai kishte qenë për një vizitë në Gjermani e më pas në SHBA, pra pas kthimit ai do të bënte ndërhyrjet e tij. Në se një grup ka mbetur në stadin e Çubrilloviçit marrëdhëniet midis qeverisë shqiptare dhe asaj maqedonase janë shumë larg tyre, janë marrëdhënie të një natyre krejtësisht tjetër. Unë kam besimin se autoritet maqedonase do të ndërhyjnë për të ratifikuar një akt primitiv të një mendimi që ka mbetur në stadin e Çubrilloviçit.

Duke qëndruar tek historia, gjatë javës që ju keni qëndruar në SHBA është hapur një debat historik dhe politik, për sa i përket tekstit të historisë  të klasës së 12 dhe veçanërisht për periudhën që përshkruan ky tekst, për sa i përket zhvillimit të pluralizmit. A do të kishit një koment, pasi ju keni bërë thirrje më parë për rishikimin dhe rishkrimin e historisë?
Unë e kam ndjekur debatin , por tekstin e historisë nuk e kam lexuar. Ajo çka mund të them është kjo , kërkesa ime është e hapur dhe transparente. Historia duhet të jetë e vërtetë dhe objektive dhe duhet të paraqesë vërtetësish realitetin. Nuk e kam lexuar , por nga ato ç’kam ndjekur nga mediat ka paraqitur regjimin kleptokratik që ne e përmbysëm në 2005 tërësisht në klishenë  e vjetër, në kuptimin se nuk mund të mohosh faktin që negociatat për marrëveshjen e stabilizim-asoocimit u hapën në vitin 2002, gjatë qeverisjes socialiste. Gjithashtu , nuk është fakt për tu mohuar Karta e Adriatikut 3.  Pra, në histori nuk ecet bardh e zi. Ajo çka duhet të them është se historia duhet të rishqyrtohet dhe të rishkruhet dhe këtu nuk heq asnjë presje, por duhet të rishqyrtohet dhe të rishkruhet me objektivitet, ndershmëri, sepse përndryshe bën vetëm një replikim të shkrimit të saj. Raportin tim ju e dini. Sekreti i vetëm i Sali Berishës është ky: Nuk punoj për historinë, punoj për të ardhmen, ndaj dhe jam këtu para jush. Nuk kam asgjë në raportin personal, kur mora këtë shembull. Sidoqoftë Ministria e arsimit do ta shqyrtojë çështjen sepse nuk mund të them pavarësisht nga notat politizuese që janë shprehje edhe këto të një primitivizmi, ose të një stadi të prapambetur, sepse akoma sot pas 20 vitesh në mendjet e këtyre njerëzve funksionon mendja e Enver Hoxhës, pasi edhe diellin, edhe hënën, edhe shiun e tërmetin edhe çdo gjë e lidhin me 1-shin. Këta harrojnë që janë në demokraci. Nuk janë çliruar akoma. Unë do të punoj që të çlirohen , por ky është një proces. Sidoqoftë qëndrimi im është i prerë, që historia do të rishqyrtohet dhe do të rishkruhet sepse ajo është e fshehur dhe ajo do të nxjerrë të vërtetat dhe vetëm të vërtetat dhe unë nuk mund të them kurrë që ne tu paraqesim shqiptarëve një histori tjetër përveçse me të vërteta. Ky është mendimi im. Nuk jam historian, jam mik i apasionuar i historisë. Shumë e shumë vite kam lexuar pothuajse çdo ditë histori. Të mendosh se çunat e bllokut, i Kristaqit dhe Xhelilit do të mbrojnë historinë, mjerë historia se ku mbeti.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›