Bashkëpunimi i opozitës, hidhen piketat, por marrëveshja është ende larg
Shaban Sulçe
Opozita hedh hapat e parë të bashkëpunimit, por deri në bashkimin përfundimtar të saj duket se nevojitet edhe më tepër kohë. Takimi i djeshëm midis krerëve të partive kryesore të së majtës nuk ka qenë aq i frytshëm sa pritej. Bashkëpunimi midis partive të së majtës ende nuk është vulosur, megjithatë ky ballafaqim midis palëve ka qenë shumë i rëndësishëm për hedhjen e piketave mbi të cilat do të ndërtohet bashkëpunimi i ardhshëm i opozitës. Kryetari i PS-së Edi Rama dhe kreu i LSI-së Ilir Meta, të cilët takoheshin për herë të parë që nga periudha e ndërprerjes së marrëdhënieve PS-LSI kanë paraqitur në këtë takim pikëpamjet mbi të cilat ata synonin të ndërtonin dhe forconin epokën e re të bashkëpunimit të opozitës.
Takimi
Kreu i PS-së, Edi Rama, gjatë takimit me kolegët e tij të opozitës, është përqendruar kryesisht në kundërshtimin e opozitës ndaj ligjit për Prokurorinë. Rrëzimi i këtij projektligji të propozuar nga maxhoranca ka qenë çështja kryesore për të cilën Rama ka shprehur shqetësim në takimin e zhvilluar. Nga ana tjetër, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, është shprehur se pika kryesore që jo vetëm do të forconte bashkëpunimin e opozitës, por do të realizonte edhe bashkimin e saj do të ishte imponimi i opozitës për të kërkuar dorëheqjen e Sali Berishës dhe të qeverisë së dështuar të tij. Meta kërkoi gjithashtu edhe ndërprerjen e marrëdhënieve institucionale të opozitës me Berishën, madje duke kërkuar edhe bojkotin e saj nga Kuvendi. Por duket se të gjitha këto propozime të kryetarit të LSI-së Ilir Meta nuk kanë gjetur mbështetjen e Ramës.
Rama
Kryetari i PS-së, Edi Rama, nuk dha asnjë prononcim pas përfundimit të takimit të djeshëm me krerët e opozitës. Gjithsesi, kryetari i selisë rozë dha dje pasdite një konferencë për shtyp, ku ka folur rreth takimit të zhvilluar. Rama kundërshtoi idetë e propozuara nga kreu i LSI-së, Ilir Meta. Rama tha se drama e keqqeverisjes do të thellohet edhe më shumë nëse opozita braktis Parlamentin dhe se opozita nuk duhet të mbetet peng e kërkesës për dorëheqjen e Berishës. “As drama e përditshme e keqqeverisjes së Sali Berishës nuk mbaron, përkundrazi, thellohet, duke dalë nga Parlamenti dhe duke lënë detyrimet tona ndaj Shqipërisë e ndaj familjes euroatlantike në atë sallë. Mbi kraterin e tragjedisë që mori 26 jetë, dërrmoi qindra familje dhe shkatërroi mbi njëmijë shtëpi ne nuk kemi ngulur e as do të ngulim flamujt e interesave partiake”, - tha Rama. Kryetari i PS-së tha se zbardhja e të vërtetës së Gërdecit do të jetë guri i themelimit të një Shqipërie të re, ku politika do të ndahet përfundimisht nga drejtësia. Rama tha se Berisha duhet të kishte dhënë dorëheqjen që ditën kur ndodhi tragjedia, por ai theksoi se opozita nuk duhet të ngelej peng te kërkesa për dorëheqjen e tij.
“Sali Berisha duhet ta kishte dhënë dorëheqjen menjëherë pas përfundimit të funeraleve të viktimave të Gërdecit dhe duhet të kishte shkuar në prokurori me këmbët e tij për të mos e mbajtur peng hetimin me duart e pushtetit. Por ne s'mund të mbetemi peng tek kërkesa për dorëheqjen e tij e të marrim me këmbët tona rrugën e vjetër të një konflikti tradicional të cilin gjithnjë e ndez politika e interesave personale e partiake dhe e paguan Shqipëria, e paguajnë familjet shqiptare, e paguajnë fëmijët e Shqipërisë.
Meta
Pas takimit të zhvilluar dje, kryetari i LSI-së Ilir Meta u shpreh për median se u kishte deklaruar Ramës dhe kolegëve të tjerë të opozitës se LSI-ja është e gatshme të kontribuojë dhe të angazhohet 100% për të zhbllokuar këtë krizë të rëndë institucionale dhe të besimit që shkaktoi qeveria e Sali Berishës. Meta theksoi se e vetmja pikë që do të vuloste bashkëpunimin eficent të opozitës ishte imponimi i saj për të kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Berisha.
“Ne ndajmë bindjen e palëkundur si Lëvizje Socialiste për Integrim se vetëm imponimi, jo kërkesa për dorëheqje e Sali Berishës, mund të çlirojë drejtësinë nga trysnia e jashtëzakonshme e tij, mund të japë perspektivë e shpresë për qytetarët shqiptarë, se do të ketë drejtësi dhe për Gërdecin, por dhe se do të ketë zgjedhje të lira e të ndershme”, - u shpreh Meta. Ai shpjegoi se imponim i opozitës për dorëheqje nënkuptonte “aplikimin e të gjithë formave demokratike theksoj, në parlament, dhe jashtë parlamentit. Pa largimin e Berishës nuk ka as qetësi, as stabilitet dhe as reforma në Shqipëri, por vetëm do të na duhet të numërojmë viktimat”, - deklaroi kryetari i LSI-së.
Pjesëmarrja, surprizë prania e Dules dhe mungesa e Cekës
Takimi i krerëve të opozitës zhvillohej me iniciativë të kryetarit të PS-së, Edi Rama, i cili ftonte të gjithë drejtuesit e partive opozitare për të koordinuar veprimet e opozitës kundër qeverisë Berisha, dhe mungesës së sigurisë e drejtësisë të shkaktuar prej saj. Surprizë në këtë takim ka qenë prania e kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule dhe deputeti tjetër i PBDNJ-së, Leonard Solis, ndërkohë që ra në sy mungesa e kryetarit të PAD-së Neritan Ceka. Të pranishëm në këtë takim ishin kreu i PS-së Edi Rama, kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, kreu i LSI-së, Ilir Meta, kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Pëllumb Xhufi, kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi dhe kreu i PDS-së, Paskal Milo. Presidenti i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka, kishte refuzuar pjesëmarrjen në takimin e djeshëm, pasi e cilësoi hipokrite ftesën e Ramës, duke përmendur gjithashtu shkeljen e marrëveshjes së bërë nga kreu i PS-së ndaj partive opozitare, menjëherë pas zgjedhjeve vendore.
I pyetur nga mediat për arsyet që pranoi të marrë pjesë në një takim mes të majtësh, Dule u përgjigj prerë: “Çështja e Drejtësisë i kalon caqet partiake. Do të jemi bashkë me çdo forcë kur bëhet fjalë për një shtet të së drejtës. Bashkohemi me të gjithë në funksion të shtetit të së drejtës, në frymën e konsensusit që kanë të bëjnë me të ardhmen europiane”.
18 Shtator 2008