Investigimi në terren, provat që kanë mbledhur hetuesit
Habjon Hasani
Tiranë - Ndërsa debatet lidhur me “aksidentin” apo ”vrasjen” e Kosta Trebickës janë kthyer në temë të ditës, grupi hetimor i kësaj çështjeje, pikërisht në këtë fazë po ndërmerr një aksion të gjerë të verifikimit në terren. Sakaq, këto ditë është shtuar numri i njerëzve që po pyeten për llogari të Prokurorisë së Përgjithshme, por sidomos janë qartësuar shumë rrethana që lidhen me itinerarin e Trebickës. Një vëmendje e madhe i është kushtuar aktivitetit të viktimës 48 orë para se të humbte jetën, për të arritur që të mësohet më shumë lidhur me arsyet e vizitës së tij në atë zonë, apo me ndonjë “ndryshim programi” që mund të ketë pasur për Trebickën pas mbërritjes. Deri tani mësohet se prokurorët kanë mundur të vërtetojnë me saktësi lëvizjet e Trebickës, ndërsa në dy ditë e fundit kanë dalë në pah disa ndalesa dhe vendqëndrime të Trebickës, të panjohura më parë, që lidhen kryesisht me vizitat e tij në disa fshatra rreth Voskopojës.
Telefoni
Një detajim i hollësishëm i është bërë tabulatit telefonik të viktimës Trebicka. Çdo telefonatë e thirrur, e përgjigjur, ose e papërgjigjur prej tij është krahasuar me të dhënat e deritanishme që ka mundur të mbledhë Prokuroria në lidhje me itinerarin e Trebickës. Burimet nga grupi i Prokurorisë, që ka hetuar intensivisht në terren dhe në rrethin e të njohurve të Trebickës, tregohen të rezervuar në lidhje me mbledhjen e të dhënave paraprake, ndonëse nuk fshehin se shumë detaje apo fakte që lidhen me kontaktimet apo me itinerarin e Trebickës janë më dinamike nga sa janë paraqitur publikisht.
Investigimi
Një grup i dytë ekspertësh ka mbërritur në Korçë dy ditë pas vdekjes, për të hetuar. Grupi po heton rreth sendeve personale të Kosta Trebickës, biznesmenit shqiptar që u gjet i vdekur rreth 35 metra larg makinës së tij. Hetuesit kanë inspektuar dhomën e hotelit ku Trebicka kishte rezervuar vetëm për një natë. Hoteli ndodhet në Voskopojë. Po kështu, nga vetë ekspertët amerikanë janë marrë në pyetje edhe fshatarë të zonës, të cilët kanë dëshmuar se aksidenti mund të ketë ndodhur rreth orës 14:20 të së premtes. Në grupin e dytë të amerikanëve ka qenë dhe një ekspert kriminalistik. Eksperti amerikan është takuar me drejtorin e Krimeve të Rënda, Tonin Voci, me të cilin bisedoi rreth të dhënave për vdekjen e Kosta Trebickës.
“Lufta” e heshtur Prokurori-Polici
Ndonëse zyrtarisht hetimet po drejtohen nga grupi i prokurorëve të Gërdecit dhe ekspertët e Ministrisë së Brendshme, një dallim i qartë në përmbajtje është vërejtur mes dy palëve. Ndërsa nga Ministria e Brendshme është raportuar vazhdimisht lidhur me të dhënat mbi ngjarjen, nga ana e Prokurorisë po thellohen hetimet pa deklaruar asnjë konkluzion paraprak. Madje një ”distancë” është vërejtur edhe mes Prokurorisë lokale dhe asaj të Përgjithshme, ndërsa kjo e fundit ka kërkuar shpalljen e konkluzioneve vetëm pas ezaurimit të të gjithë hetimit. Sakaq, nga ana e Ministrisë së Brendshme janë shpërndarë shpesh herë informacione deri dhe variante (për mediat), të cilat janë të parakohshme në kushtet kur nuk është bërë ende ekspertimi i makinës. Mjafton vetëm mungesa e këtij akti (ekspertimit të makinës) që të gjitha autoritetet të heshtin, pasi në shkencën kriminalistike ekspertimi i mjetit është po aq domethënës dhe tregues sa ekspertimi i kufomës. Kësisoj, deri tani është i sigurt fakti se ende nuk është bërë gjysma tjetër e punës (ekspertimi i mjetit), ndërsa Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar dhe suportin e hetuesve amerikanë për herë të dytë.
DETAJIMI I HETIMIT PËR TREBICKËN
Itinerari
Kosta Trebicka ka pasur një ndryshim të “programit” gjatë itinerarit të tij. Kjo është vërtetuar nga telefonata që ai i ka bërë së shoqes, në të cilën ai i kishte thënë asaj fillimisht se do të nisej në drejtim të Leskovikut, ndërsa jo shumë më vonë e ka telefonuar sërish për t’i komunikuar se kishte ndryshuar planin dhe do të shkonte për gjah pranë Voskopojës.
Shenjat e gomave
Një ekspertim i dytë është bërë nga ana e grupit hetimor të Tiranës për të zbuluar diçka më tepër për shenjat dhe gjurmët e gomave të makinës së Trebickës. Ndonëse vendi i ngjarjes nuk ofroi shumë të dhëna, hetuesit i janë rikthyer dy herë ekspertimit për të mundur të mësojnë më shumë.
Shpejtësia
Dëshmitarë të ndryshëm, banorë të zonës, janë pyetur lidhur me shpejtësinë që ka ecur makina e Trebickës në momentin që kishte kaluar pranë tyre. Hetuesit kanë ende të paqartë për shpejtësinë e makinës në momentin e aksidentit.
Pozicioni i trupit
Dëshmitarët e mbërritur të parët në vendngjarje janë pyetur në mënyrë të hollësishme për pozicionin e kufomës, nisur nga fakti se për grupin hetimor, pozicioni i fotografuar dhe i konstatuar është parë me dyshim. Nga këto dëshmi hetuesit kanë mbledhur të dhëna, të cilat do të krahasohen me indiciet e tjera të mbledhura.
Sendet
Grupi hetimor i Prokurorisë është në pritje të analizave që u anë bërë sendeve të gjetura për të krijuar një panoramë më të qartë të situatës. Analiza e sendeve është e nevojshme për të përjashtuar pista të tjera hetimore që mund të kenë përdorimin e këtyre sendeve në epiqendër të tyre.
Çiftja
Një tjetër analizë shumë e rëndësishme për hetuesit do të jetë rezultati mbi ekspertimin e çiftes dhe krahasimit të kësaj të dhëne me të tjera të dhëna të mbledhura për itinerarin e Kosta Trebickës në atë zonë.
Zagari
Qenit të Trebickës i janë marrë kampione qimesh për të dalluar gjurmët e lëna prej tij në makinë ose pranë kufomës. Deri tani janë dhënë dy variante të ndryshme për vendndodhjen e zagarit në momentin e zbulimit të trupit të të ndjerit.
18 Shtator 2008