Merkato e radhës në Kuvend, Tom Doshi rikthehet në PS
Vijojnë lëvizjet e deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë. Kësaj here protagonist në merkaton e lëvizjeve brenda grupeve parlamentare ka qenë sërish deputeti Tom Doshi. Doshi, i cili deri pak kohë më parë i përkiste grupit parlamentar demokristian, ka paraqitur dje kërkesën për t’u rikthyer në bazë, dhe pikërisht për të qenë pjesëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, në të cilën ai merrte pjesë deri dy vjet më parë. Sipas burimeve në selinë rozë, kërkesa e deputetit Doshi nuk është refuzuar dhe tashmë deputeti i cilësuar si më i pasuri në Kuvendin e Shqipërisë, që nga dita e nesërme do të jetë pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Largimi nga qeveria i ministrit Nard Ndoka, përplasja me kryeministrin Berisha, lufta e brendshme e nisur më parë me ish- kryetarin Nikoll Lesi prej muajsh me rebelët Gurakuqi, Bushati e Ujka, ka thelluar krisjen në gjirin e demokristianëve. Këto duket se kanë qenë arsyet për të cilat Doshi ka vendosur të rikthehet në Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste. Ardhja e Doshit në radhët e Grupit Parlamentar të PS-së pason dy largimet e deputetëve, Petro Koçi dhe Luan Memushi, nga radhët e këtij grupi deputetësh. Koçi dhe Memushi janë bashkuar me grupin parlamentar “E majta për integrim”
18 Shtator 2008