PS: “Do të rrisim përfaqësimin e grave në politikë”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, premton rritje të nivelit të përfaqësimit të grave në vendimmarrjen politike. Madje Rama shprehet për arritjen e barazisë gjinore përsa i përket përfaqësimit në jetën politike shqiptare. Deklarata e kreut të selisë rozë është bërë dje gjatë aktivitetit të zhvilluar nga Forumi i Gruas Socialiste në bashkëpunim me fondacionin “Qemal Stafa”, në një takim me temë “Për një ekuilibër gjinor në vendimmarrje”. Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin gra dhe vajza aktiviste të Partisë Socialiste, por edhe shumë përfaqësues të shoqërisë civile, medias dhe organizatave ndërkombëtare të angazhuara në promovimin dhe fuqizimin e grave dhe vajzave në politikë. “Një ndër objektivat e këtij aktiviteti është të diskutojmë së bashku për çështjen e pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në politikë, si një çështje shumë e rëndësishme në një moment shumë të rëndësishëm, tashmë që kemi hyrë në vitin elektoral. Nxitja dhe rritja e pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në politikë është një ndër objektivat kryesorë të Forumit të Gruas Socialiste. Por Forumi i Gruas Socialiste nuk mund të ndalet vetëm te trajtimi i çështjes së pjesëmarrjes së gruas në politikë, sepse edhe ky problem nuk mund të trajtohet i izoluar. Problemet që prekin gratë dhe vajzat janë të shumta, mund të përmendim këtu edukimin, punësimin, shëndetësinë etj., etj. Një problem tjetër shumë i mprehtë i grave dhe vajzave sot është fenomeni i izolimit social, pra tërheqja e shumë grave dhe vajzave brenda shtëpisë, “humbja” e tyre në një hapësirë të ngushtë muresh. Dhe është e pamundur të flasim për integrim në NATO apo në Europë, ndërkohë që ne prekim me dorë këtë izolim social në rritje të një pjese shumë të rëndësishme të shoqërisë sonë”, - tha Rama. Ndërsa kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, u ndal te domosdoshmëria e përfaqësimit të grave në vendimmarrje, por jo vetëm në Parlament, por në të gjitha nivelet. Ajo theksoi se nuk duhet luftuar vetëm për një përfaqësim në Parlament, por në të njëjtën kohë duhet të punojmë për të nxitur pjesëmarrjen e grave në politikë në të gjitha strukturat e një partie, duke filluar që nga ajo bazë.
18 Shtator 2008