E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyshimi, Henri Tomei ekziston vetëm në letra

Emri i tij gjithandej në dokumente, por askush nuk di se ku gjendet. Tomei ka regjistruar në Zvicër një shtëpi dhe një biznes

Habjon Hasani

Tiranë - Prokuroria shqiptare nuk ka mundur të identifikojë apo të “gjejë” një nga personazhet më të përfolur të trafikut të municioneve luftarake, të quajtur Henri Tomei. “Albania” është informuar se ndonëse prokurorët kanë hetuar lidhur me implikimin si seksere të firmës “Evdin ltd” (e cila rezulton në pronësi të Tomeit), pas disa veprimeve procedurale duket se ekziston një “mjegull e dendur” lidhur me këtë person, i cili përfaqësohet konkretisht vetëm nga njerëz të tretë. “Nga veprimet e deritanishme ekziston dyshimi që Tomei të jetë një koperturë, për të mbuluar personat e vërtetë që lidhen me firmën ‘Evdin’”, - i tha dje “Albania”-s një burim zyrtar i mirinformuar për çështjen. Por kjo e fundit bëhet edhe më e komplikuar në kushtet kur Tomei është i kategorizuar si trafikant armësh në listën sekrete të Departamentit Amerikan të Shtetit. Përveç prezencës në këtë listë, emri i Tomeit është përmendur dhe nga Amnesty International, e cila gjithashtu e konsideron si një person “shumë misterioz”. Vetë organi i akuzës shqiptare është tejet i rezervuar në ofrimin e informacioneve lidhur me hetimin e “pistës Evdin ltd”, ndërsa mësohet se nga tre të arrestuarit në Shqipëri për trafikun e armëve (Delijorgji, Minxolli, Pinari) nuk është ofruar asnjë lloj informacioni në këtë drejtim.
Tomei
“Askush nuk e ka parë Henrin, ndonëse shumë njerëz kanë bërë tregti armatimesh me firmat e tij”, - shprehej gazetarja e një emisioni zviceran, që përpiqej të hidhte dritë mbi identitetin e Tomeit. Në reportazhin e televizionit zviceran theksohet fakti që Tomei, një person që nuk ka asnjë foto dhe asnjë pamje publike, është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara si trafikant armësh, ndërkohë që në Zvicër ai jeton i paprekur fare. Sipas këtij investigimi del se në emër të Tomeit është e regjistruar një shtëpi luksoze në periferi të Bernës, ndërsa ekziston e regjistruar edhe një firmë mëse të rregullt në Zvicër, në emër të tij. “Informacionet për të janë të rezervuara, ndërsa thuhet se vetëm shërbimet sekrete amerikane mund të dinë më tepër”, - theksonte reportazhi investigativ zviceran pak kohë më parë.
Bosnje
Firma seksere ”Evdin ltd”, në pronësi të Tomeit, ishte e regjistruar në Qipro, ndërsa numrat e kontaktit të saj rezultonin në Zenica të Bosnjës. Për habi, edhe në këtë shtet (sikurse në Zvicër), autoritetet nuk kanë kryer asnjë hetim, por duket se edhe kësaj here kanë vepruar gazetarët. ”Albania” ka botuar pak javë më parë pjesë të rëndësishme të një artikulli investigativ të revistës “DANI”, e cila hidhte dritë mbi personin që përfaqësonte publikisht firmën e regjistruar në emër të Tomeit.

Ministria e Mbrojtjes: “AEY” na kërkoi “futjen” e Tomeit

“Kompanitë ‘AEY’ dhe ‘Evdin ltd’ kanë kërkuar, nëpërmjet një shkrese drejtuar ‘MEICO’-s, municione të kalibrave të vegjël me origjinë dhe vite të ndryshme prodhimi, shoqëruar me dokumentacionin ligjor përkatës. Kompania ‘Evdin ltd’ ka pasur autorizim nga kompania ‘AEY’, e cila nga ana e saj ishte e pajisur me certifikatën e përdoruesit të fundit (end-user certificate). Ndërmarrja ‘MEICO’ i ka ofruar kompanisë ‘Evdin ltd’ materialet e kërkuara duke i prezantuar, ndër të tjera, edhe vitin e prodhimit dhe origjinën kineze të tyre. Ky dokument mban datën 18.04.2007. Kontrata e lidhur midis ndërmarrjes ‘MEICO’ si shitës dhe kompanisë ‘Evdin ltd’ për ‘AEY’-në më datë 18.05.2007 përmban vitin e prodhimit të municioneve. Në këtë kontratë, në artikullin cilësia thuhet se malli shitet ashtu siç është dhe blerësi ka të drejtën e kontrollit dhe provës ndaj tij duke kryer inspektime. Në lejen e eksportit të nxjerrë nga sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes më datë 20.04.2007, janë specifikuar destinacioni, blerësi, tipat e municioneve që do të eksportoheshin, sasitë e tyre dhe vitet e prodhimit korrensponduese. Kompania ‘AEY’, më datë 27.11.2007 ka deklaruar se kontrata e lidhur me ndërmarrjen ‘MEICO’ për shitjen e municioneve është ekzekutuar në mënyrë krejt të rregullt”.

Kontakti në Bosnjë: “Unë nuk flas për Tomein”

Revista boshnjake “DANI”, në një artikull të pak javëve më parë, ka mundur të zbulojë detaje me vlerë lidhur me njeriun që menaxhonte firmën fantazmë, që e ktheu Shqipërinë në epiqendrën e skandalit ndërkombëtar të armëve. Gazetari boshnjak, E. Hecimoviç, ka mundur të kontaktojë ”menaxherin” e firmës “Evdin ltd ltd”, Adnan Sarajliç, ndërsa bashkëpunëtorë të vjetër të Sarajliçit në Bosnjë si dhe autoritetet e inteligjencës së këtij vendi, kanë ofruar të dhëna të tjera lidhur me të kaluarën dhe rolin e Sarajliçit në skandalin që përfshiu dhe Shqipërinë. Pasi është kontaktuar nga gazetari, menaxheri i “Evdin ltd”, Sarajliç, ka kërcënuar se keqinterpretimet në media dhe artikujt kundër tij dhe firmës “Evdin ltd” do ta detyronin atë të hapte gjyq ndërkombëtar ndaj mediave që e kanë përmendur. “Nuk dua të flas me telefon. Pyetjet duhet të m’i dërgoni me e-mail, por nuk mund t’ju përgjigjem para ditës së mërkurë apo të enjtes. Këshilla ime është që ju të mos shkruani asnjë germë, se do të ketë një gjyq të madh ndërkombëtar për të gjitha mediat që njollosën dhe dëmtuan kompaninë tonë”, -është përgjigjur Sarajliç. Më tej, i pyetur në telefon lidhur me faktin se cili ishte Henri, që rezultonte si pronar i kësaj shoqërie, Sarajliç ka mbyllur çdo shteg duke e kthyer në tabu përmendjen e faktit se pronar rezultonte trafikanti ndërkombëtar, Henri Tomei. “Jo, jo, jo. Unë nuk i përgjigjem kësaj pyetjeje. Nuk i përgjigjem. Absolutisht jo”, - ka deklaruar Sarajliç.

Afera, përfitimi i “EVDIN” gati i njëjtë me të “MEICO”-s

Pagesat e bëra nga firma “AEY” në drejtim të ndërmarrjes “MEICO” (të publikuara nga Gjykata e Majamit), nga qershori deri në dhjetor të vitit 2007 korrespondojnë me përpikëri me periudhën kur në lojë hyri dhe firma ”Evdin”. Totali i këtyre pagesave për “MEICO”-n shkonte gjithsej në 10 milionë dollarë. Në kushtet kur dihen dhe të dhënat e kontratës mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe firmës “Evdin”, atëherë përllogaritja e fitimeve kthehet në një kalkulim të rëndomtë aritmetik. Në këtë mënyrë përllogaritet se ndërmarrja “MEICO” fitoi rreth 10 milionë dollarë nga ngarkesat duke shitur me 22 dollarë/1 mijë fishekë. Sakaq, firma “Evdin” kishte (në bazë të kontratës) marzhin e saj prej 18 dollarësh/1 mijë fishekë. Në bazë të raportit të fitimit 18/22, del e qartë se firma “Evdin ltd” ka arritur të fitojë rreth 8.1 milionë dollarë duke mos bërë asgjë. Ky natyrisht që është një dëm dhe një vjedhje e faktuar, por askush nuk mund të sigurojë se ngarkesa të tëra mund të mos jenë deklaruar nga “MEICO” dhe vjedhja mund të jetë edhe më e madhe në këtë rast. Në kushtet kur Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka deklaruar se i ka lëvruar gjithsej 60 milionë dollarë (për blerjet në Shqipëri) Efraim Diverolit, atëherë mund të përllogaritet dhe fitimi i këtij të fundit (pa llogaritur transportin etj.), i cili është rreth 42 milionë (nga 60-a zbritet fitimi i “MEICO”-s dhe “Evdin ltd”) dollarë.

18 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›