Relacionet hetimore, ku ndahen dhe bashkohen ekspertët për vdekjen e Trebickës
Tiranë – Vendi i ngjarjes është këqyrur dhe ekspertët duhet të jenë në përpunimin e fundit të relacioneve të tyre profesionale rreth përcaktimit të rrethanave, mënyrës dhe shkaqeve të vdekjes së të ndjerit Kosta Trebicka. Po t’u referohesh të dhënave paraprake nga grupi i hetimit, ekspertët nuk janë të bindur në vdekjen aksidentale të të ndjerit. Sipas tyre, ka mjaft pikëpyetje rreth kësaj ngjarjeje dhe vështirësinë më të madhe e kanë ekspertët e Qarkullimit, ata kriminalistë, topografë apo dhe ata që do të analizojnë çiften si dhe saçmat e gjetura në trupin e shpendëve. Vështirësi do të ketë edhe në ekzaminimin e fuoristradës, që mendohet se do të jetë edhe prova me kokëforte për të hedhur dritë mbi ngjarjen që në vëmendjen e opinionit ka mbetur si joaksidentale. Madje burime nga grupi i hetimit thonë se ekspertët do të mendohen mirë para se ta hedhin firmën në procesverbalet e raportimit të tyre. Gazeta “Albania” ka kontaktuar me juristë me eksperiencë, të cilët janë shprehur se secili prej ekspertëve përpilon relacionin e tij, pavarësisht nga kolegët, dhe më pas ato administrohen në dosjen hetimore.
Nxitimi
Gjithkush prej ekspertëve që bëjnë pjesë në grupin e hetimit të kësaj ngjarjeje ka bërë betimin kur e ka marrë përsipër të realizojë një detyrë të tillë. Megjithatë, nuk dihet nëse janë dorëzuar analizat e tyre profesionale edhe pse policia nxitoi të jepte në avancë klasifikimin e vdekjes së Trebickës si aksident automobilistik, madje të thuhej për të se kishte shkelur rregullat e qarkullimit rrugor. Aq paradoksal është ky deklarim për faktin kur mendohet se është ende herët për të thënë se ekspertët topografë, ata të krimeve, të Qarkullimit Rrugor, autoteknik, apo të laboratorit të armëve apo dhe ata mjeko-ligjorë për kafshët, të kenë arritur kaq shpejt në përfundime për të cilat do të mbajnë përgjegjësi nesër, kur kolegët e tyre t’i kthehen kësaj ngjarjeje. Po ashtu, burime nga Prokuroria e Përgjithshme deklaruan se gjithçka do të thuhet nga organi qendror i akuzës kur të jenë kryer të gjitha aktet e ekspertimit. Deri tani zyrtarisht është konfirmuar këqyrja anatomo-patologjike e kufomës, e cila lë të kuptohet vdekja aksidentale, gjë që është mbrojtur nga Admir Sinamati, që e drejtonte grupin e ekspertëve mjeko-ligjorë që kryen këqyrjen e kufomës.
Mungojnë
Mungojnë mjaft ekspertiza dhe një prej tyre, e cila konsiderohet edhe kyçe për këtë hetim, është ajo e automjetit. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme kanë deklaruar se krahas ekspertëve shqiptarë në këtë ekspertizë do të marrin pjesë edhe ekspertë të huaj, që me sa kuptohet do të jenë ata që do të thonë fjalën e fundit për këtë vdekje misterioze që ka tronditur opinionin publik. Nuk është thënë ende asgjë se kur do të kryer ekspertiza e makinës “Nisan Patrol”, me të cilën udhëtonte Trebicka ditën e vdekjes së tij. Nuk është deklaruar ende edhe shpejtësinë me të cilën ka qenë duke udhëtuar Kosta Trebicka në momentin fatal. Edhe pse policia ka nxituar të japë një deklaratë zyrtare nëpërmjet zëdhënësit të saj duke e quajtur aksident, nuk u dëgjua të thuhej thuajse asgjë për shpejtësinë e mjetit, edhe pse teknikisht është krejtësisht e kontrollueshme. Ky fakt tregon se nuk është gati ende as ekspertiza e ekspertëve të Qarkullimit Rrugor. E vetmja “ekspertizë e makinës” është këqyrja e saj me sy të lirë dhe fotografimi i dëmtimeve të saj. Më pas ajo është zhvendosur nga vendi i ngjarjes, në drejtim të Komisariatit të Korçës. Duke iu referuar raportimeve në media, pjesë e hetimit të munguar janë edhe bisedat telefonike të orëve të fundit të Trebickës, zbardhja e të cilave pritet të vërtetojë qëllimin e udhëtimit në Voskopojë. Megjithëse familjarë të viktimës kanë pohuar se qëllimi i udhëtimit ishte gjuetia, për grupin e hetimit është ende enigmë udhëtimi i vetëm në një zonë të thellë për gjah, ku dihet që gjuetia ushtrohet thuajse gjithnjë nën shoqërinë e miqve.
Akt-ekspertiza mjeko-ligjore
Në media u raportua se pas kryerjes së akt-ekspertizës, ekspertët arritën në përfundimin se Kosta Trebicka pësoi gjatë aksidentit një plagë vdekjeprurëse poshtë veshit të majtë. Gjithashtu, sipas tyre, u konstatua se biznesmeni kishte marrë një tjetër goditje fatale në pjesën e sipërme të kraharorit, ku për pasojë i janë thyer dy klavikulat (këndet e klavikulës). Sipas deklarimit të ekspertëve mjeko-ligjore, viktima nuk kishte mundësi mbijetese, qoftë dhe për shkak të plagës së parë, ndërsa mori një goditje po aq fatale nga plaga e dytë. Sipas tyre, në pjesën e poshtme të veshit të majtë është gjetur dhe një cifël inoksi, që flet qartë se viktima ka pasur kontakt me automjetin. Ata arritën të hidhnin edhe versionin e parë të “argumentuar shkencërisht” se Trebicka është zënë poshtë nga makina, e cila pas rrotullimit të vetëm është kthyer në pozicion normal duke lëvizur indietro për rreth 40 metra. Ndërsa për mungesën e gjurmëve të gjakut ekspertët pohuan se dy tubat e makinës ku u godit biznesmeni janë prej inoksi dhe në to nuk mbetet asnjë lloj gjurme.
Zogjtë e vrarë
Në makinën e Trebickës u gjetën disa shpendë, më konkretisht 6 thëllëza. Secilës prej tyre do t’u bëhet ekspertiza, për të vërtetuar faktin se saçmat e gjetura në trupin e secilës ishin të armës së gjahut të viktimës apo të ndokujt tjetër. Ndërkaq, është thënë se fillimisht Trebicka ka shkuar në një lokal në Maliq të Korçës, të cilin e frekuentonte herë pas here dhe më pas është akomoduar në hotelin “Akademia”, në Voskopojë. Një nga punonjësit e lokalit në Maliq ka deklaruar në prokurori se e ka ndihmuar Trebickën të fuste qenin në makinën e tij dhe se ky i fundit u nis i vetëm drejt Voskopojës. Sipas burimeve policore, deri tani është bërë e mundur vetëm zbardhja e telefonatave mes Trebickës e bashkëshortes së saj. Nga thirrjet telefonike ka rezultuar se biznesmeni i kishte thënë të shoqes se do të shkonte në Leskovik, por kur ka mbërritur në Korçë e ka njoftuar se do të shkonte për gjah në Voskopojë. Policia ka deklaruar, sipas tyre, duke iu referuar dëshmive të dhëna nga të afërmit e Trebickës se gjoja ai kohët e fundit ndryshonte krejt papritur itineraret e lëvizjes së tij, gjë që pritet të vërtetohet gjatë hetimeve të mëtejshme.
18 Shtator 2008