E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katër emrat e mundshëm për postin e kryetarit të Gjykatës së Lartë



Laureta Rryçi

Tiranë - Zgjedhja e kryetarit të ri të Gjykatës së Lartë ka hedhur sërish në tavolinën e kreut të shtetit për diskutim emra gjyqtarësh që i përkasin Gjykatës së Lartë. Edhe pse ende nuk ka një emër konkret, burime pranë Presidencës shpjegojnë për gazetën “Albania” se rrethi i emrave që po diskutohen si më të mundshmit sa vjen dhe ngushtohet. Të njëjtat burime sqarojnë se gjatë këtyre ditëve janë analizuar të gjithë anëtarët e Gjykatës së Lartë, duke qenë se dhe ligji e kushtëzon që zgjidhja të bëhet brenda rrethit të gjyqtarëve pranë kësaj gjykate. Me një logjikë të thjeshtë duket se të gjithë anëtarët kanë midis tyre avantazhet dhe dizavantazhet për këtë post. Dizavantazh më të madh kanë gjashtë gjyqtarët më të rinj të kësaj gjykate. Ndërsa më të favorizuarit janë vetëm katër prej tyre. Kjo jo vetëm si të dallueshëm nga këshilltarët e presidentit apo nga këshillues të tjerë të kreut të shtetit, por edhe për vetë karrierën që kanë në Gjyqësor. Gazeta “Albania” sjell në numrin e sotëm emrat më afër postit të kryetarit. Mendohet se ata janë gjyqtarët Gani Dizdari, Ardian Dvorani, Shpresa Beçaj dhe Ardian Nuni.
Dizavantazhet
Ambiciet më të zbehta për të marrë detyrën e kryetarit të Gjykatës së Lartë duket se i kanë gjashtë anëtarët më të rinj të zgjedhur për në Gjykatën e Lartë. Kjo jo se nuk kanë besimin e presidentit, pasi këtë provë e kaluan pak muaj më parë, por menaxhimi i një gjykate kaq të rëndësishme kërkon jo vetëm një menaxher të mirë, por edhe një “ministër të jashtëm” për Drejtësinë. Por, edhe karriera apo eksperienca brenda pallatit të drejtësisë nuk mungon për disa anëtarë të tjerë. Ditët e fundit të mandatit do të kushtëzonin këdo për t’i besuar këtë post. Koha dhe përzgjedhja që kërkon për të zgjedhur kryetarin e ri do ta pengonte presidentin për të dhënë miratimin e tij për emra si Spiro Spiro, Perikli Zaharia. Për gjyqtarin Spiro thuhet se së shpejti pritet të dalë në pension. Ndërsa për Zaharinë se i ka mbetur shumë pak nga përfundimi i mandatit.
Avantazhet
Emrat më të debatueshëm për postin e kryetarit të Gjykatës së Lartë mendohet se janë katër. Gjatë takimit të ditëve më parë, presidenti u tha anëtarëve të Gjykatës së Lartë se ky proces ishte drejt përfundimit. Pak ditë na kanë mbetur që të mësojmë zyrtarisht emrin pasardhësit të Thimjo Kondit. Deri atëherë emrat më të lakueshëm dhe më të pranueshëm për kreun e shtetit mbeten Gani Dizdari, Ardian Nuni, Ardian Dvorani dhe Shpresa Beçka. Të njëjtat burime sqarojnë se Dizdari është shprehur se e vlerëson këtë post por ka dëshirë të mbetet anëtarë i Gjykatës së Lartë dhe kryetari i Kolegjit Penal. Ndërkohë, medalja e disa muajve më parë për gjyqtaren Shpresa Beçka ishte një tjetër sinjal i parakohshëm që na dha presidenti Bamir Topi. Ajo jo vetëm e plotëson kriterin e eksperiencës, integritetit moral, por edhe si përfaqësuese e denjë e kësaj gjykate prej disa vitesh, që ka prekur dhe institucione të tjera të Drejtësisë, si Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Megjithatë, jo pas mbeten dy kandidaturat e tjera, Nuni dhe Dvorani. Me një karrierë akademike, të cilësuar si drejtues dhe menaxherë të zotë, të cilët që të dy kanë një mandat të gjatë përpara për të qenë pjesë e Gjykatës së Lartë.
Pritja
Në Gjykatën e Lartë, kur pyet për kryetarin e ri të saj, më shumë kërkojnë të dinë, sesa të japin një përgjigje. Të gjithë në ethet e përzgjedhjes së presidentit nuk duan të flasin as mirë dhe as keq, edhe nëse kanë ndonjë rezervë për njëri-tjetrin. Mirëpo jo pak prej tyre i kanë rënë lapsit për të bërë llogaritë, se emri kujt po shqyrtohet dhe kush nuk është pjesë e kësaj gare. Natyrisht më të qetë janë ata që janë në fund të mandatit. Ndërsa më të trazuar ata që ia dinë vlerat karrierës së tyre, por gjithsesi mbetet në pëlqimin e presidentit. Mirëpo për administratën dhe për pjesën tjetër mezi pritet të vijë një kryetar i ri. Shumë punë janë lënë pezull dhe presin firmën e tij. Gjyqtarët e rinj duhet të betohen para kryetarit të rinj më pas t’iu besohen dosje për gjykim.

Presidenti Topi
“Duhet të jetë një individ me integritet të lartë moral dhe profesional, në gjendje të përfaqësojë denjësisht pushtetin gjyqësor, të përballet me sfidat që ka ky pushtet dhe të jetë në gjendje t’i qëndrojë larg influencave jo vetëm politike, por edhe nëpërmjet një linje tjetër, që është shumë influente në pushtetin gjyqësor, pikërisht afera që vjen nëpërmjet interesave ekonomike”.

Anëtarët e Gjykatës së Lartë

PERIKLI ZAHARIA (POLLOSHI)
Me Dekretin nr. 2678, datë 6 korrik 2000, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, u emërua anëtar i Gjykatës së Lartë. Është anëtar i Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Europianë (CCJE).

SPIRO SPIRO
Me Dekretin nr. 3109, datë 2 tetor 2001, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, u emërua anëtar i Gjykatës së Lartë.

IRMA BALA (HEBOVIJA)
Me Dekretin nr. 2962, datë 9 prill 2001, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë u emërua anëtare e Gjykatës së Lartë.

EVJENI SINOIMERI
Me Dekretin nr. 2987, datë 2 maj 2001, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, u emërua anëtare e Gjykatës së Lartë.

BESNIK IMERAJ
Me Dekretin nr. 4482, datë 17 shkurt 2005, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, u emërua anëtar i Gjykatës së Lartë.

FATOS LULO
Me Dekretin nr. 4730, datë 15 dhjetor 2005, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, u emërua anëtar i Gjykatës së Lartë.

Gjashtë gjyqtarët më të rinj të Gjykatës së Lartë
Arjana FULLANI
Evelina QIRJAKO
Guxim ZENELI
Majlinda ANDREA
Andi ÇELIKU
Aleksandër MUSKAJ

GANI DIZDARI, anëtar i Gjykatës së Lartë. Ka lindur në Tropojë më 30 prill 1949. Është i ve dhe ka një fëmijë. Është diplomuar në Drejtësi në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë më 1972-shin. Ka punuar si prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Tropojë në periudhën 1973-1982 dhe si prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Departamenti Gjyqësor nga 1982-1989. Nga 1989-1995 ka qenë prokuror pranë Gjykatës së Kasacionit dhe prej 1995-1999 ka qenë zëvendësprokuror i Përgjithshëm. Ka ushtruar profesionin e avokatisë nga 1999-2006 si anëtar i Dhomës së Avokatëve Tiranë. Që prej 2006-s është anëtar i Komisionit të Reformës Ligjore, kryetar i Nën-Komisionit Penal. Me Dekretin nr. 4732, datë 15 dhjetor 2005, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, u emërua anëtar i Gjykatës së Lartë dhe nga qershori 2007 kryetar i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

SHPRESA BEÇAJ, anëtare e Gjykatës së Lartë. Ka lindur në Kukës, në vitin 1961. Nga martesa ka dy fëmijë. Është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, në vitin 1983. Me mbarimin e fakultetit është emëruar kryesekretare në Gjykatën e rrethit Gjyqësor Gramsh. Në vitin 1985 është emëruar këshilltare ligjore po në Gjykatën e rrethit Gjyqësor Gramsh. Në vitin 1987 është emëruar si gjyqtare në Gjykatën e rrethit Gjyqësor Gramsh, detyrë të cilën e ka ushtruar deri në vitin 1990. Në vitin 1990 është emëruar gjyqtare në Gjykatën e rrethit Gjyqësor Tiranë. Në vitin 1994 është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë. Në vitin 1989 ka kryer kursin pasuniversitar në specialitetin gjyqtar. Në vitin 2004 është emëruar anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, detyrë të cilën e ka ushtruar deri në vitin 2006, ku ka dhënë dorëheqjen me daljen e ligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”.
Me Dekretin nr. 4156, datë 23 mars 2004, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, është emëruar anëtare e Gjykatës së Lartë.

ARDIAN DVORANI, anëtar i Gjykatës së Lartë. Ka lindur në Korçë, më 20 shkurt 1966. Është i martuar dhe ka një fëmijë. Në vitin 1988 është diplomuar jurist në Universitetin e Tiranës. Ka shërbyer si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër në periudhën 1988-1991. Ka ushtruar funksionet e këshilltarit ligjor dhe drejtorit të Departamentit Juridik pranë INSIG-ut në periudhën 1991-1994. Ka ushtruar profesionin e avokatit në vitet 1994-1998. Ka shërbyer si këshilltar ligjor pranë Këshillit të Ministrave në periudhën mars 1998-shtator 1999. Ka ushtruar funksionin e drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë në periudhën shtator 1999- shkurt 2005 dhe, gjatë vitit 2004, për një periudhe 6-mujore, edhe funksionin e drejtorit të Departamentit Juridik në Kuvendin e Shqipërisë. Gjatë viteve 1999-2005, ndërmjet të tjerave, ka qenë zëvendëskryetar i Këshillit Mbikëqyrës të INSIG sh.a., Albtelekom sh.a. dhe SICRED sh.a., kryetar i Bordit Kombëtar të Monitorimit Antikorrupsion, kryetar i delegacionit shqiptar në GRECO si dhe raporter i kësaj organizate ndërkombëtare për mbikëqyrjen e respektimit të standardeve antikorrupsion dhe antikrim për një numër vendesh anëtare të tij. Deri në shkurt të vitit 2005 ka qenë anëtar i përhershëm i grupit negociator për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në për çështjet e drejtësisë dhe punëve të brendshme. Është kryetar i Komisionit për Përmirësimin e Vazhdueshëm Profesional të Konferencës Gjyqësore Kombëtare dhe nga nëntori 2005 anëtar i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës. Me dekretin nr. 4481, datë 17 Shkurt 2005, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, u emërua anëtar i Gjykatës së Lartë.

ARDIAN NUNI, anëtar i Gjykatës së Lartë, ka lindur në Korçë më 01 janar 1969. Është i martuar dhe ka një fëmijë. Është diplomuar për Drejtësi në Universitetin e Tiranës, në vitin 1991. Në vitin 1997 ka marrë gradën shkencore “Doktor i Shkencave Juridike” dhe në vitin 2004 titullin “Profesor i Asociuar”. Z. Nuni është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Korçë në vitin 1991, ndërsa në vitet 1992-1993 ka punuar fillimisht si gjyqtar dhe pastaj zëvendëskryetar i Gjykatës së Rrethit Tiranë. Nga viti 1993 deri në vitin 2007 ka qenë pedagog i brendshëm në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, ku ka ushtruar funksionin e zëvendësdekanit të fakultetit (1993-1996 dhe 2003-2007) dhe funksionin e përgjegjësit të Departamentit të së Drejtës Civile (2002-2007). Z. Nuni ka kryer disa kualifikime pasuniversitare jashtë shtetit në fushën e së drejtës, ka qenë anëtar i senatit të Universitetit të Tiranës dhe i një vargu organizatash të tjera profesionale. Ai është autor dhe bashkautor i disa librave dhe monografive në fushën e të drejtës civile dhe ka dhënë mësim në programe universitare dhe pasuniversitare. Nga viti 1993 deri në vitin 2007 ka ushtruar profesionin e avokatit pranë Dhomës së Avokatisë Tiranë dhe nga viti 1998 e në vazhdim është pedagog i jashtëm i Shkollës së Magjistraturës. Me Vendimin nr. 48, datë 13.07.2006 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, është emëruar anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, funksion nga i cili u largua me dorëheqje për shkak të emërimit si anëtar i Gjykatës së Lartë. Me Dekretin nr. 5252, datë 04.04.2007 të Presidentit të Republikës, është emëruar anëtar i Gjykatës së Lartë.

18 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›