E Diel, 1 Nëntor 2026

“Bashkëpunimi i organizmave policore, në funksion të luftës kundër kriminalitetit”

21-09-2011 / Gazeta 55

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani takon Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Austrisë Herbert Anderl

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani vlerësoi dje gjatë takimit me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Austrisë, Herbert Anderl se bashkëpunimi mes organizmave policore të të dy vendeve në luftë kundër kriminalitetit si një kontribut rajonal dhe europian.
Duke nënvizuar faktin se policia shqiptare po përçon në punën e saj me shumë profesionalizëm moton e qeverisë për zero tolerancë ndaj kriminalitetit, ministri Nishani e njohu kreun e policisë austriake me disa nga arritjet kryesore në këtë drejtim.
Ministri Nishani theksoi në fjalën e tij se falë marrëveshjeve të bashkëpunimit me organizmat policore europiane apo të vendeve të veçanta është bërë e mundur të arrestohen dhe ekstradohen persona të kërkuar për vepra të ndryshme penale. Në këtë aspekt Nishani shprehu gatishmërinë për të nënshkruar çdo marrëveshje që është e nevojshme për të konsoliduar edhe më tej bashkëpunimin me Austrinë.
Kreu i policisë austriake Anderl i paraqiti Ministrit Nishani statistika në bazë të të cilave tregohej se veprat kriminale të qytetarëve shqiptarë në Austri janë zvogëluar në mënyrë të ndjeshme nga viti në vit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Austrisë Herbert Anderl shprehu në takim gatishmërinë që në të mirë të forcimit të rendit e të sigurisë në të dy vendet, të thellohet bashkëpunimi në luftë kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme, e në të njëjtën kohë të vijojnë trajnimet dhe shkëmbimi i përvojës mes organizmave policore të Shqipërisë dhe Austrisë.
Më herët kryepolici austriak takoi homologun e tij shqiptar Hysni Burgaj.
Dy bashkëbiseduesit theksuan se “bashkëpunimi policor i cili funksionon mbi baza sigurie dhe besimi reciprok është thelbësor”.
Ai shprehu angazhimin për mbështetje të vazhdueshme dhe thellimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi. Ndërsa gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, në përfundim të takimit, Burgaj bëri të ditur se “një ndër pikat më të rëndësishme që diskutuam ishte intensifikimi i bashkëpunimit midis dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›