E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bashkëpunimi me PS, vetëm kur të ikë Nano

13/06/2005  Intervistë e Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Ilir Meta, dhënë për “VOA”

Në një intervistë për VOA, kreu i LSI-së, Ilir Meta, nuk ka përjashtuar bashkëpunimin me PS-në, pas zgjedhjeve. Por ai ka vendosur si kusht, largimin e Nanos nga qeveria. Nga ana tjetër, ai ka theksuar se fenomeni i "Dushkut", do të sjellë një situatë të vështirë në Kuvendin e Shqipërisë.

Z.Meta, çfarë të rejash sjell partia juaj në krahasim me dy partitë e tjera të mëdha, në zgjedhjet e 3 korrikut?

Në radhë të parë, unë mendoj se Lëvizja Socialiste për Integrim, që nga fillimi i saj, kur është krijuar, ka sjellur risi të vazhdueshme, të cilat partitë e tjera jo pak herë, janë përpjekur për t’i imituar, por meqënëse ju keni një pyetje shumë të drejtpërdrejtë, se çfarë të reje po sjell LSI-ja në këtë fushatë zgjedhore, unë po ju them me bindje të plotë se Lëvizja Socialiste për Integrim, është e vetmja forcë politike që po tregon seriozitet dhe integritet për të respektuar Kushtetutën e vendit, për të respektuar Kodin Zgjedhor, për të mos hyrë në manovra të turpshme, të cilat shkatërrojnë legjitimitetin e procesit zgjedhor, siç është tashmë fenomeni i megadushkut, i aplikuar jo vetëm nga PS dhe PD por, dhe nga shumë parti të tjera, të cilat janë rreshtuar në krahët e tyre, për të humbur identitetin e tyre. Pra, mendoj se LSI, është e vetmja forcë politike, e cila po bën diçka për të ruajtur frymën kushtetuese të procesit zgjedhor dhe të përfaqësimit politik të qytetarëve shqiptarë, pra është e vetmja forcë politike që edhe përsa i takon renditjes në proporcional të kandidatëve të saj, ajo aplikon bashkimin e votave si të kandidatit dhe vetë subjektit, duke mos bërë diferencime apo trillime, të cilat janë realisht deformime të gjithë procesit zgjedhor ne vend. Dhe së dyti, unë mendoj se LSI-ja po manifeston një kulturë të re demokratike dhe politike dhe po sfidon qartë politikën e vjetër të partive të lodhura të Nanos dhe Berishës.

Sistemi proporcional nuk e favorizon partinë tuaj, duke pasur parasysh dy partitë e tjera, të cilat me proporcionalin kanë mbështetjen e aleatëve të tyre më të vegjël. Si e shikoni veten në këtë pozicion?

Unë ju them me bindje të plotë se manovrat që po bëjnë dy partitë rrezikojnë seriozisht integritetin e procesit zgjedhor. Ne e dimë shumë mirë se aplikimi i kësaj manovre vetëm me një zonë siç ishte ajo e Dushkut, katër vjet më parë solli çrregullime të madha për funksionimin e institucioneve në vend dhe disa zgjedhjeve të imponuara, siç ishte zgjedhja e presidentit konsensual, vonimi i hapjes së negociatave midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Besoj se, aplikimi i kësaj skeme në shkallë kombëtare, do të sjellë pasoja edhe më të mëdha të vendit. Përsa i takon pasojave që kjo mund të ketë për përfaqësimin politik të Lëvizjes Socialiste për Integrim, unë mendoj se kjo realisht dëmton ato forca politike, të cilat s’janë në gjendje të konkurojnë në mazhoritar dhe jam i bindur se si rezultat i kësaj manovre që po bëjnë dy partitë deri tani ende të mëdha në parlamentin shqiptar, jam plotësisht i sigurt se mbas zgjedhjeve të 3 korrikut, harta politike si dhe renditja e posteve politike në Shqipëri, do të ndryshojë tërësisht dhe për këtë, bindja ime është në suksesin e kandidatëve tanë drejtpërdrejt në mazhoritar në zgjedhjet e 3 korrikut.

Sipas analizave dhe rezultateve të ndryshme të sondazheve, partia juaj deri tani ka një rol vendimtar për sa i përket balancës mes forcave politike. A do të pranonit ju, një bashkëpunim në koalicion me Partinë Socialiste pas 3 korrikut dhe nëse po, çfarë kushtesh do të kishit ju?

Së pari, dua të shpreh rezerva të thella për sondazhet që janë bërë deri, tani për faktin se disa prej tyre kanë krijuar kontestime serioze dhe për sa i takon integritetit, mënyrës apo të afirmuarit nga insitucionet që janë bërë dhe debatit serioz që lindi, siç është rasti i “Gallup Organization” dhe “Gallup International” dhe po kështu, unë dua t’ju siguroj se në vend ekziston ende një mungesë tradite në këtë drejtim siç ju takon atyre që i bëjnë sondazhet, të cilët pavarësisht nga emrat e institucioneve të huaja që përdorin, gjithmonë bëhën nëpërmjet shqiptarëve dhe përsa i takon kësaj pale, pra shqiptarëve, jam i bindur se ende janë ne kushte të një presioni dhe të një ndrydhje psikologjike për të mos shprehur lirisht bindjet e tyre politike, por kjo është një gjë që do ta bëjnë së shpejti në kutitë e votimit në tre korrik. Jam tërësisht i bindur se, rezultati i LSI-së, ështe disa herë më i lartë se ai që ka paraqitur sondazhet, dhe këtë e them duke parë sondazhin e përditshëm që ne po bëjmë në të gjithë Shqipërinë. Dhe për sa i takon problemit të koalicionit pas zgjedhjeve, unë mund t’ju them shumë thjesht se objektivi i LSI-së, është për të dalë forca e parë në këto zgjedhje, pra për t’i fituar ato dhe përsa i takon koalicioneve, kjo është një çështje që mbetet për t’u rishikuar pas rezultatit të zgjedhjeve. Sa i takon bashkëpunimit me PS, ne nuk kemi ndonjë arsye për ta përjashtuar një mundësi të tillë, por ne e kemi bërë të qartë se nuk mund të ketë koalicion me grupimin e monopolistëve që përfaqëson kryetari aktual i PS, Nano. Sidoqoftë, zgjedhjet e 3 korrikut janë një shans i madh për të gjithë shqiptarët që ti japin mundësi dhe z. Nano dhe z. Berisha, që duke humbur në këto zgjedhje, të mbajnë premtimet e tyre për të dalë nga skena politike dhe të vazhdojnë jashtë saj jetën e tyre private, për t’i lënë të lirë shqiptarët së bashku me forcat e tjera politike për të ndërtuar fatin e përbashkët europian të këtij vendi.

Ju dhe disa nga drejtuesit e LSI-së keni qenë pjesë e qeverisjes së PS-së. A mbani ju vetë përgjegjësi, apo drejtuesit e tjerë të LSI-së, duke marrë parasysh faktin që keni qenë pjesë e kësaj qeverie deri vonë?

Edhe njëherë dua të sqaroj dhe qëndrimin tim lidhur me këto çështje. Së pari, theksoj se është e qartë se ne kemi vënë në një plan të përbashkët si z.Nano, ashtu dhe z.Berisha si dhe forcat politike që ata përfaqësojnë, të cilat janë personalizuar totalisht prej tyre. Nano dhe Berisha tashmë përfaqësojnë një fenomen të përbashkët në Shqipëri, dhe nuk mund të prodhojnë më asnjë të ardhme dhe nuk mund të ndihmojnë më Shqipërinë të bëjë asnjë hap përpara, përveç këtij rrethi vicioz që ata kanë krijuar gjatë këtyre 15 viteve, ku si me sherret e tyre dhe me dashuritë e tyre janë bërë një pengesë serioze për ndërtimin e insitucioneve të shtetit të së drejtës dhe të një ekonomie, e cila ecën përpara dhe i jep shanse të gjithëve. Lidhur me përgjegjësitë që mund të kem pasur unë apo drejtues të tjerë të LSI-së në të kaluarën, jam i bindur se të gjitha përgjegjësitë dhe detyrat që unë kam pasur, i kam kryer me përkushtim të lartë dhe rezulatate konkrete si në planin e brendshëm, ashtu dhe në atë ndërkombëtar. Nuk dëshiroj të përfitoj për të përmendur sukseset dhe arritjet e qeverive të cilat unë kam drejtuar por unë mund të them se ka kohë që kam kërkuar që të rishikohet politika e qeverisë, e Partisë Socialiste, dhe kjo ka gati 3 vite dhe, ka kohë që kemi patur mospajtime serioze me z.Nano dhe lidershipin aktual të PS, për sa i takon dështimit të politikës ekonomike, rritjes së varfërisë, dështimit të strategjisë të zhvillimit ekonomik dhe social dhe unë vetë kam paralajmëruar prej gati dy-tre vitesh, se nuk do të mbyllej marrëveshja për stabilizim- asocimin me këtë politikë të qeverisë aktuale, e cila është e drejtuar në mbrojte të interesave të grupeve të caktuara ekonomike, e cila është një politikë që ndrydh insitucionet dhe që i vë ato në funksion të interesave të grupeve të caktuara, ç'ka do të thotë se është një qeveri komplet e dështuar gjë që e tregon qartë dhe ngrirja e lëvizjes për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›