Demokratët prezantojnë konkurrentët e Elbasanit
12/06/2005 Partia Demokratike ka prezantuar në zonën 54, në Fushë Mbret, të Elbasanit, kandidatin e saj për deputet, Aurel Bylykbashi. Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së, Berisha, tha se në këtë zonë po kandidon një nga individët më të shquar të PD-së së Elbasanit. “Ju shpreh mirënjohjen për mbështetjen që keni dhënë për Partinë Demokratike në këto vite gjatë një regjimi që instaloi sistemin e korrupsionit. Ne jemi të angazhuar për krijimin e zonave të lira me qëllim punësimin tuaj dhe uljen e varfërisë. Te ju kandidon Aurel Bylykbashi një ndër individët më të shquar të Partisë Demokratike në Elbasan dhe gjithë Shqipërinë, inxhinieri i talentuar, me të cilin ne do të punojmë me përkushtim për punësimin tuaj dhe ujlen e varfërisë. Përballë tij kandidon përfaqësuesi i Fatos Nanos, i cili ndërtoi parajsën e tij me pasuritë tuaja. Fatos Nano ia nënshtron Shqipërinë helikopterëve të bashkëshortes, ai dhunoi kodin më të lashtë të njeriut, kodin e zisë. Ne angazhohemi që mbledhjen e parë të qeverisë të përgjysmojmë taksat e biznesit të vogël, me qëllim punësimin tuaj”, tha Berisha.