E Diel, 1 Nëntor 2026

Nano: Pas 22 ditësh, Berisha do të kthehet te liria e vet

12/06/2005  Kryetari i PS-së, Fatos Nano, ka vijuar dje fushatën elektorale në Durrës, ku ka prezantuar kandidatët e kësaj partie në deputet. Në fjalën e tij, Nano, tha se vetëm 22 ditë ndajnë vendin nga zgjedhjet. "Edhe 22 ditë, ju ndajnë nga fitorja e madhe. Këto 22 ditë janë një numërim mbrapsht për Berishën, një numërim drejt kthimit te liria e vet, në shtëpinë e vet", tha dje Nano. Ai ka theksuar se qeveria e majtë do të vijojë dhe pas zgjedhjeve me investimet në Shqipëri. "Rrugën e projekteve tona të ardhshme për transformimin e Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë e keni në dorë ju. Nuk mund t’ia lëmë çelësin e kësaj porte Berishës dhe njerëzve të tij primitivë", tha Nano. Sipas tij, për socialistët vazhdon epoka e transformimeve dhe e fillimit modern për Shqipërinë evropiane, e cila nuk mund të bëhet pa shembullin dhe modelin që ju po krijoni së bashku me ne këtu në Durrës. "Ne duhet të ecim përpara me të njëjtën shpejtësi për të kapërcyer dyert e hapura të Evropës, për t’u rikthyer në familjen që meritojmë midis kombeve dhe shteteve moderne", theksoi kreu i PS.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›