E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis vjelja e taksës së banesës

13/06/2005  Pagesa me dy këste, në qershor dhe dhjetor, kush e paguan të gjithën, përfiton 10 për qind ulje

Vetëdeklarimi nis tre muaj me vonesë, do të paguhet me faturën e ujit

Nëpër shtëpitë e kryeqytetasve, nga njësitë bashkiake janë shpërndarë formularët e vetëdeklarimit dhe do të nisë vjelja e taksës së banesës që ke në pronësi. Në mbledhjen e muajit shkurt të Këshillit Bashkiak, u miratuan tarifat e reja të kësaj takse, të cilat do të mblidhen me dy këste. Në këtë mbledhje u vendos që vetëdeklarimi do të përfundonte brenda tre muajve dhe në qershor do të niste vjelja e gjysmës së taksës. Në fakt, plotësimi i formularëve ka nisur vetëm këto dy javë. Dhe vjelja i bie të nisë andej nga gushti.

Vendimi

Megjithatë, këtë vit, Bashkia e Tiranës ka vendosur të mbledhë taksën e banesës, e cila është vendosur vite më parë, por nuk është vjelë asnjëherë deri tani. Për ndërtesat e bëra para vitit 1993 dhe me sipërfaqe nën 100 metra katrorë, vlera e kësaj takse është 10 lekë për metër katror, për ato të bëra pas vitit 1993 dhe me sipërfaqe nën 200 metra katror, vlera e taksës është 20 lekë për metër katror. Sipas paketës së miratuar dy ditë më parë në Këshillin Bashkiak, vetëdeklarimi i shtëpisë nga familjet duhet të përfundojë brenda muajit mars. Ky deklarim është i detyrueshëm për ata që nuk e kanë bërë asnjëherë këtë vetëdeklarim. Pagesa e taksës mund të bëhet me dy këste, kush e paguan njëherësh këtë shumë, përfiton 10 për qind zbritje. Për ndërtesat nën 100 metra katror, kësti i parë do të paguhet deri më 30 qershor, kësti i dytë deri më 30 shtator. Për ndërtimet nën 200 metra katrorë të bëra pas vitit '93, kësti i parë do të paguhet deri më 31 mars, kësti i dytë, deri më 30 nëntor.

Do të paguhet me faturën e ujit

Kjo taksë do të paguhet me faturën e ujit. "Taksa e ndërtesës, e cila ka qenë një problem për t’u mbledhur, nuk pëson ndryshime, ndryshon forma, pasi propozohet forma me vetëdeklarim dhe në rast se brenda një afati të caktuar, familjarët nuk do të vetëdeklarojnë sipërfaqen, për të cilën i detyrohen shtetit, si kudo në botën demokratike, një shumë të caktuar, atëherë do të vendoset një sipërfaqe fikse prej 100 m2 për ndërtesat para vitit 1993 dhe prej 200 m2 për ndërtesat pas vitit 1993, ç’ka do të thotë se të gjithëve u intereson të bëjnë vetëdeklarimin dhe të mos presin që pastaj të paguajnë më shumë sesa u takon për sipërfaqe, për shkak të mosbërjes së vetëdeklarimit", ka thënë kryetari i Bashkisë, Edi Rama, pas marrjes së vendimit.

AFATET PËR PAGIMIN E TAKSES SË SHTËPISË:

Vetëdeklarimi është i detyrueshëm për të gjithë banorët që nuk kanë bërë vetëdeklarimin ndonjëherë. Duhet të përfundonte brenda tremujorit të parë të vitit

Për ndërtimet nën 100 metra katrorë të bëra para vitit '93:

Taksa: 10 lekë për metër katror

Kësti i parë: Deri më 30 qershor

Kësti i dytë: Më 30 shtator

Për ndërtimet nën 200 metra katrorë të bëra pas vitit '93

Taksa: 20 lekë të reja për metër katror

Kësti i parë: Më 31 mars

Kësti i dytë: Deri më 30 nëntor

Kush paguan njëherësh 10 për qind zbritje

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›